Zhvillimi ekonomik dhe politik i Epirit ne kohen e Republikes (234/233 - 168 p.e.sone)

Që në fillim të veprimtarisë së saj Lidhja u ndodh përpara vështirësive të mëdha të shkaktuara nga situata të brendshme dhe të jashtme jo të favorshme për të. Territorialisht ajo qe rrëgjuar afërsisht në kufijtë e shtetit epirot përpara sundimit të Pirros. Kështu nuk bënin më pjesë në të: Ambrakia, Kasopia dhe Athamania. Megjithatë, ajo mori një sërë masash për riorganizimin administrativ dhe ushtarak të vendit. Lidhja vuri dorë në sistemin e mëparshëm monetar të vendit. Të gjitha këto pasqyrojnë qartë ndryshimet që u bënë në organizimin e brendshëm politik dhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Në periudhën e Republikës së Epirit u vu në qarkullim një masë e madhe monedhash, më e madhe se asnjëherë tjetër në Epir, prej bronzi dhe prej argjendi. Disa tipa të këtyre monedhave u përmbahen simboleve të vjetra të përdorura që më parë nga Lidhja Molose apo Aleanca Epirote, megjithëqë ishin në përshtatje edhe me një varg simbolesh të Aleksandrit dhe të Pirros të prera jashtë Epirit. Por, në monedhat e federatës republikane të Epirit shënohen për të parën herë edhe emrat e nëpunësve të lartë, që ka mundësi të lidhen dhe me strategët eponym të Lidhjes. Nuk dihet gjithashtu me saktësi se ku mund të jenë prerë këto monedha; supozohet të jenë prerë në Dodonë ndoshta dhe në Foinike, por nuk përjashtohet mundësia që një nga vendprerjet e tyre të ketë qenë dhe Antigonea, ku janë zbuluar tani së fundi monedha të pavulosura si dhe shufra bronzi për nxjerrjen e tyre. Përsa i përket zonës së qarkullimit të monedhave të Lidhjes Epirote, ato përhapjen më të madhe e kanë pasur brenda trevave të Epirit dhe sidomos në zonat veriore të tij. Pak prej tyre janë gjetur në Greqi e në Maqedoni, por kanë qarkulluar në sasira të konsiderueshme në qytetet dhe krahinat e Ilirisë së Jugut, sidomos në ato kufitare me Epirin. Kjo tregon se midis këtyre trevave fqinje në çerekun e fundit të shek. III dhe në fillim të shek. II p.e.sonë ekzistonin marrëdhënie të rregullta dhe intensive tregtare, që shprehen edhe në afërsitë stilistike dhe tipologjike të disa monedhave republikane epirote me ato të Amantisë, të Orikut, të Apolonisë etj.
Qytetet epirote, nga pikëpamja e sistemit të fortifikimit, urbanistikës, strukturës së ekonomisë dhe tipareve të kulturës ngjanin shumë me qytetet bashkëkohëse ilire; puna e skllevërve zinte një vend të rëndësishëm. Historiani grek Polibi duke përshkruar me hollësi pushtimin e Foinikes nga ilirët në vitin 228 p.e.sonë, thotë se sipas marrëveshjes së paqes, epirotët e lirë qenë liruar me anë shpërblimesh, ndërsa skllevërit e qytetit, ilirët i morën me vete së bashku me pasuritë e tjera, prej të cilave Teuta mbeti shumë e kënaqur.
Të dhëna të shumta për format klasike të skllavopronarisë në qytetet epirote të kohës helenistike, ofrojnë dhe materialet epigrafike të zbuluara kryesisht në Dodonë e në Butrot. Vetëm në hyrjen perëndimore të teatrit të Butrotit janë afishuar të skalitura në blloqet e gurëve, 29 akte lirimi. Sipas këtyre dekreteve shpallen të lirë rreth 400 skllevër, pjesa më e madhe e të cilëve vinte nga sferat e prodhimit, midis të cilëve gjysma ishin gra.
Në kohën e Republikës një rol të madh në jetën ekonomike dhe politike të vendit filluan të lozin qytetet e trevave veriore të Epirit. Foinike, sipas Polibit, dallohet në këtë kohë si qyteti më i fuqishëm dhe më i pasur i Epirit, ndërsa të dhënat arkeologjike të fituara në këto vitet e fundit në Antigone e paraqesin këtë qytet të madh, me një sistem të fuqishëm fortifikimi dhe me një planimetri shumë të rregullt urbanistike (sistemi hipodamik). Në këtë qytet funksiononin punishte të veçanta të specializuara në degë të ndryshme të zejtarisë dhe zhvillohej një veprimtari e gjerë tregtare, rrezja e shtrirjes të së cilës arrinte deri në brigjet e Mesdheut Lindor dhe Perëndimor.
Në politikën e jashtme, Lidhja Epirote që në fillim u tregua e paqëndrueshme dhe nuk kishte fuqi të mjaftueshme për të përballuar presionin diplomatik dhe ushtarak të shteteve fqinje dhe konkretisht të lidhjes etole në jug, të Maqedonisë në lindje, shtetit ilir në veri dhe atij romak në perëndim. E ndodhur në një pozitë tepër kyçe midis këtyre shteteve rivale, me një potencial të madh ekonomik dhe ushtarak, ajo u tërhoq më tepër pas politikës së aleancave dhe të qëndrimit asnjanës, që e çuan më vonë Epirin në humbjen e pavarësisë së tij të plotë ekonomike dhe politike.
Në fillim Lidhja Epirote pati marrëdhënie të mira me etolët. Në vitin 230 p.e.sonë, kur asaj iu imponua një luftë e rrezikshme nga ilirët, të cilët për një kohë e pushtuan dhe kryeqytetin Foinike, qenë pikërisht etolët ata që bashkë me akejtë e ndihmuan aleaten e tyre që të përballonte këtë provë të vështirë. Por kjo ngjarje e tronditi aq shumë Epirin sa bëri që Lidhja të ndryshonte menjëherë politikën e saj kundrejt etolëve, duke hyrë në aleancë me kundërshtarët e tyre, me shtetin ilir, të kryesuar nga Teuta dhe pak më vonë me atë maqedon, në krye të të cilit qëndronte Antigon Dosoni. Madje në vitet 219-217 p.e.sonë, epirotët e ndihmuan aktivisht pasardhësin e Dosonit, Filipin V kundër etolëve. Por këtë veprim ata e paguan shtrenjtë, pasi etolët duke kundërvepruar, hynë në Epir dhe shkretuan pjesë të tëra të tij duke mos kursyer as vetë Dodonën që ishte qendër e rëndësishme kulti. Edhe pas këtyre ngjarjeve Epiri e përkrahu Maqedoninë, madje edhe atëhere kur Roma hyri në luftë e vendosur për të zhdukur këta rivalë të fuqishëm të saj në Ballkan. Në vitin 205 p.e.sonë, Lidhja bëhet ndërmjetëse midis palëve ndërluftuese për vendosjen e një paqeje, që u nënshkrua në Foinike, për të cilën më tepër ishte e interesuar Maqedonia.
Në luftën e dytë maqedono-romake, Epiri u përpoq të ruante asnjanësinë midis Maqedonisë dhe Romës dhe të ndërmjetësonte rishtas në vitin 198 p.e.sonë për një paqe midis tyre, por kësaj radhe pa dobi, meqenëse kërkesat romake qenë të rënda për Filipin. Në këtë kohë tek një pjesë e epirotëve filluan të shfaqeshin tendencat e para për të përkrahur hapur Romën. Ndihma që u dha romakëve Karopsi, një prijës i kaonëve, për të thyer qëndresën e ushtrisë maqedone, e cila kishte zënë grykën e Vjosës midis maleve të Trebeshinit dhe Dhembelit, qe mjaft domethënëse në këtë drejtim dhe i kushtoi humbje të mëdha Filipit. Këto tendenca proromake u shfaqën më qartë, në prag të luftës së tretë maqedone. Të deleguar nga Roma erdhën në Epir dhe kërkuan nga Kuvendi i epirotëve, që ishte mbledhur në qytetin bregdetar Gitana (akoma i paidentifikuar), të përkrahte Romën në luftën e saj përfundimtare me Maqedoninë. Ky presion diplomatik i vuri në lëvizje përkrahësit e Romës në Epir. Mirëpo këta duke dashur t’i imponojnë këshillit të Lidhjes politikën e aleancës me Romën, ngjallën kundërshtimin e një pjese të anëtarëve të saj dhe në mënyrë të veçantë të molosëve, të cilët kërkonin të ruhej si dhe më parë politika e ekuilibrit midis palëve ndërluftuese, në sajë të së cilës Epiri kishte shpëtuar deri tani pa u dëmtuar. Më vonë këto kundërshtime dhe intriga të brendshme, çuan në dobësimin e unitetit të veprimit të Lidhjes. Në vitin 170 p.e.sonë molosët qenë hedhur më në fund definitivisht nga ana e Perseut, ndërsa kaonët e thesprotët u radhitën në luftë përkrah romakëve.
Në këto veprime arbitrare dhe të kundërta, Lidhja Epirote në fakt e humbi pavarësinë dhe funksionin drejtues të saj. Fatin e Epirit duhet ta vendoste tani lufta dhe rrjedhimet qenë katastrofike sidomos për krahinat që gjatë saj mbajtën qëndrim antiromak. Në vitin 169 p.e.sonë krahina të tëra të Epirit u shkretuan, rreth 70 qytete të tij u plaçkitën dhe u dogjën nga pushtuesit romakë, ndërsa 150 000 veta u kthyen në skllevër. Një numër i madh epirotësh të shquar u dërguan në Itali.
Pas vitit 168 p.e.sonë, vetëm disa krahina që përkrahën Romën në luftën e saj kundër Perseut ruajtën një farë autonomie formale; ato u riorganizuan në një Lidhje të re epirote, gjeografikisht të kufizuar, të quajtur sipas të dhënave epigrafike Lidhja e epirotëve përreth Foinikes, por që më vonë do të përmendet vetëm si Lidhja Epirote.
Qendra e jetës ekonomike dhe politike e kësaj Lidhjeje, qe përqendruar kryesisht në Foinike, por përveç Foinikes kishte edhe qendra të tjera të rëndësishme si Pandosia e Dodona, të cilat prenë në këtë kohë monedhat e tyre me legjendën e “Epirotëve”, por pa emra nëpunësish, siç ishin, p.sh. ato të prera nga Lidhja republikane para vitit 168 p.e.sonë. Lidhja Epirote përreth Foinikes u krijua si një njësi kinse autonome politike-administrative dhe ekonomike, por ndër rrethana pushtimi dhe nën kontrollin drejtpërdrejt të Romës, të cilin ajo e ushtronte përmes njerëzve të besueshëm në Epir. Kjo Lidhje e vazhdoi ekzistencën e saj, pavarësisht se politikisht nuk pati ndonjë rëndësi, deri në vitin 148 p.e.sonë, kur, bashkë dhe me pjesën tjetër të Epirit që kishte mbetur jashtë kësaj Lidhjeje, hyri më në fund në sferën e administrimit të provincës maqedone të porsakrijuar, ashtu sikurse dhe krahinat e tjera të Ilirisë të Jugut, në jug të lumit Mat.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama