Një lëkurë e bronztë pa u ekspozuar në diell, është e mundur. Produktet vetënxirëse na mbrojnë nga rrezet UVB dhe nga rreziqet e plakjes së lëkurës.
Si veprojnë?
Dy janë molekulat bazë të “magjisë vetënxirëse”: DHA dhe erythrulose. DHA i jep lëkurës ngjyrën e verdhë, ndërsa erythrulose nuancën kafe. Bashkimi i këtyre dy ngjyrave i jep mundësinë lëkurës që të përftojë një ngjyrë të bronztë natyrale. Vetënxirësit më të mirë përmbajnë vitamina mbrojtëse dhe hidratantë, që shmangin tharjen e lëkurës. Zgjidh produktet që përmbajnë filtra solarë.
Si të përgatisësh lëkurën?
Aplikimi i vetënxirësit kërkon njëfarë savoir-fair. Për të mos u gabuar, provo mbi lëkurë disa lloje kampionesh produkti në pjesën e brendshme të krahut për të gjetur atë produkt që bën për ty. Para se të vendosësh produktin, bëj një “gommage”, që i jep lëkurën një ngjyrë uniforme.
Si të përhapësh vetënxirësin në fytyrë?
Fillo nga qendra e lëkurës, duke lëmuar me kujdes faqet. Shmang kontaktin me sytë, zbrit në mënyrë delikate drejt qafës dhe dekoltesë dhe përhape me shumë kujdes në zonën e veshëve. Insisto në zonën e mollëzave, hundës dhe ballit. Në fund pastro me një pambuk të lagur zonën e vetullave dhe rrënjët e flokut.
Si ta përhapësh mbi trup?
Aplikoje produktin me të gjithë dorën, por me butësi duke u ngjitur nga këmbët tek kofshët, tamam sikur je duke veshur një çorape. Mos e kalo produktin dy herë në të njëjtin vend. Përfundo duke kaluar një dorezë të lagur në zonën e kaviljeve, gjunjëve dhe bërrylave. Mos harro pjesën e poshtme të këmbëve. Trego vëmendje sidomos në zonën e këmbëve, që këtë vit duhet të jenë super të nxira. Shpëla mirë duart dhe thonjtë. Prit dhjetë minuta para se të vishesh.
Çfarë lloji të zgjedh?
Këtë vit markat kozmetike ofrojnë një gamë të madhe produktesh. Mund të zgjedhësh mes kremit, qumështit, sprajit, xhelit...
Spraji: është i lehtë për t’u përdorur dhe të lejon një përhapje uniforme. Veprimi është i shpejtë, aplikimi është efikas. Nuk këshillohet nën zonën e fytyrës.
Xheli: të jep një ngjyrë më natyrale, por meqë është transparent, bëj kujdes se mos harron disa pjesë të trupit. Është i këshillueshëm për lëkurët e yndyrshme.
Qumështi: është produkti ideal për fillestaret. Aplikohet shumë lehtë dhe hidraton lëkurën.
Cilat janë efektet anësore?
Nuk ka asnjë efekt anësor. Edhe gratë shtatzëna mund të përdorin produktet vetënxirëse, sepse agjentët aktivë nuk depërtojnë në dermë. Ki parasysh që vetënxirësit në përgjithësi nuk të mbrojnë nga dielli, përveçse në ato raste kur përmbajnë filtra solarë.
Si ta ruash ngjyrën?
Produktet vetënxirëse veprojnë në dy orë dhe ngjyra zhduket pas disa ditësh. Për të marrë një efekt natyral, aplikoje vetëm një herë, fshije pas disa orësh dhe përsërit veprimin pas dy ditësh. Shmang sapunët shumë agresivë ose produktet me bazë alkooli, që pastrojnë grimin. Një mundësi tjetër: alterno dy ngjyra, një më të qartë dhe një më të errët që efekti të jetë më i bukur.
Si të trukohesh?
Për të qenë sa më efikas, vetënxirësi duhet të aplikohet në një lëkurë në formë e të shëndetshme. Nëse ke lëkurë të lodhur, vetënxirësi nuk do të ndryshojë asgjë! Për të unifikuar ngjyrën, hidrato mirë lëkurën.
Nga : Revista Jeta