Vitet e fundit jane zhvilluar shume Festivale Kombetare dhe Nderkombetare per polifonine dhe kengen popullore. Ne keto Festivale, perveç kengeve karakteristike, per studiuesit vendas dhe te huaj, kane terhequr vemendjen edhe veshjet e individeve, apo grupeve te ndryshme. Per te pasqyruar me sakte gjeografishtrirjen e polifonise, menyres se te kenduarit, vendit te zhvillimit te ngjarjeve, veçorive te veshjeve, zhvilluam nje bisede me Prof. Dr. Aferdita Onuzi.
Znj. Aferdita, per kengen polifonike flitet shume per polifonine. Lexuesi do te dije me sakte se ne çfare territoresh shtrihet polifonia ne hapesirat mbarekombetare shqiptare?
Tashme eshte e njohur hapesira e shtrirjes se kenges polifonike. Ndonese forma e te kenduarit polifonik ndeshet edhe ne disa krahina te Shqiperise Veriore, sipas studiuesve te ndryshem etnomuzikolog, ajo eshte zhvilluar ne formen e saj klasike ne territore qe perfshin fshatrat e krahut lindor te liqeneve te Ohrit dhe te Prespes e deri ne thellesi te Camerise. Nderkohe, kujtojme se kjo menyre te kenduari ndryshon nga njera njesi apo krahine etnografike, ne tjetren. Ndaj dhe ne popull thuhet kendojme “devolliçe”, “kolonjarçe”, skraparlliçe”, “himariotçe”, “vlonjatçe”, etj…Te gjitha keto menyra, te cilat paraqesin veçorite e tyre stilistike, jane zhvilluar e ruajtur deri sot ne mjedise e kushte te caktuara gjeografike, historike e kulturore. Kesisoj, vlerat e kenges polifonike, nuk qendrojne vetem ne harmonine e jashtezakonshme, gati qiellore te zerave te marrsit, te kthyesit dhe te atyre qe mbajne ison. Kenga polifonike sherben edhe si nje burim i rendesishem per dokumentin e jetes shoqerore, ekonomike e historike te banoreve qe e kane praktikuar kete kenge.
Cfare eshte specifike tek kenga polifonike?
Specifika e kesaj menyre te kenduari lidhet edhe me formen e krijimit te saj. Kur mblidheshin burrat nen hijen e rrapit (qe zakonisht ndodhej ne qender te fshatit), ose ne tubime te tjere, apo neper oda dasmash, gezimesh te tjera si dhe ne festa motmoti, ishte e pamundur te mos ia merrnin kenges. Nganjehere fillonin si bejte midis dy personash apo dy grupe njerezish, ku secili perpiqej te demostronte mençurine e tij. Papritmas ia merrnin kenges, tashme per te treguar edhe aftesite si kengetar. Ne menyre edhe me te veçante spikatnin keto aftesi, ne raste dasmash apo gezime te tjera familjare, ku here kendoheshin kenge dashurie apo humoristike dhe sidomos ato te trimerise. Varesisht nga subjekti dhe lloji i kenges dridhej zeri e ndryshonte mimika e kengetareve, madje dhe pozicioni i qendrimit. Perveç menyres origjinale te te kenduarit dhe vlerave te tjera artisike qe permbajne keto kenge, (me vleresimin e te cilave merren studiues me te pergatitur se une), per ne studiuesit e trashegimise kulturore, por edhe per historianet, , tekstet e ketyre kengeve perbejne nje burim te rendesishem per te marre informacione lidhur me menyren e jeteses se perditshme, veçanerisht per elemente te ndryshem te kultures materiale dhe asaj shpirterore. Po ashtu, krejt natyrshem, nepermjet vargjeve te njeres apo tjetres kenge, mesojme per zakone te ndryshem te jetes familjare, per ato te dasmes (mbi krye te saj, nje eyrek u thye), e te lindjes, per mikprtijen tradicionale, per dollite dhe rregullat e tjera, per ritualet e kryera ne raste vdekjesh, per ngjarje e luftime te ndryshme, per jeten ekonnomike dhe orientimin tregetar te krahines. Veçanerisht konsiderohen me vlere te veçante informacionet lidhur me veshjet e perdorura ne fshatrat dhe krahinat ku eshte kenduar kenga polifonike, per shkak se ne kete hapesire, veshjet popullore kane dale me heret nga perdorimi, krahasuar me zonat e tjera rurale te Shqiperise. Kjo eshte arsyeja qe ne etnografet i vleresojme keto informacione dhe i kushtojme vemendje te veçante teksteve qe sjellin kenget e ndryshme.
Polifonia ka si te veçante edhe veshjet.. Si do ti komentonit ato?
Koha kur ne u njohem me veshjet qe ende vazhdonin te qarkullonin, na i sjell grate te veshura me tumane. Por ne tekste kengesh te krijuara me heret, ato paraqiten me kemisha te gjata, apo me fustane te qendisur, ne koke mbajne mandile te verdhe., etj.. Ne to, here flitet per personazhe te veshur me kostume fshatare, e here qytetare. Keshtu, permenden si pjese veshjesh per gra linjat e gjata, te “rrahura”, ne tezgjah, futat e bardha, shamite e verdha, brucat, lekurrcet, etj.. Kesisoj, na parakalojne para syve te gjitha periudhat e zhvillimit kulturor te kesaj hapesire. Pra, here informohemi per periudhat para proceseve te myslimanizmit, e here per ato me pas. Edhe me te rendesishem konsiderohen informacionet per veshjen e burrave. Diku permenden personazhe te veshur me fustanelle, e diku tjeter me kemishe “hajdutçe”. (eshte fjala per veshjen e komiteve), sherqet, gunat e dhirta, etj…
Po kur flitet per kenget e trimerise si paraqiten ne veshje dhe ne kenge burrat?
Kur behet fjale per nje kenge trimerie, armet e argjenda, koburet, harbite, silahu, etj, jane edhe me shume te pranishme. Madje, nepermjet vargjeve te ketyre kengeve jemi informuar edhe per nje me te hershme, te qethjes se flokeve nga burrat e kesaj hapesire. “Cepezes”, quhen heronjte e ngjarjeve te ndryshme te ketyre kengeve. Por jo rralle kemi ndeshur edhe vargje ku paraqiten aspekte te ndryshem qe flasin per psikologjine dhe menyren e te sjellurit te banoreve, te cileve u pelqen “ta mbajne kesulen mbi sy”, te te ftojne ne duel, te denojne sjellje qe jane jashte normave tradicionale etj.
Cilat jane vendet kryesore ku zhvillohen ngjarjet e pasqyruara ne kenge?
Jeta baritore perben pjesen me te madhe te subjekteve. Per keto arsye shumica e mjediseve ku zhvillohen ngjarjet e pasqyruara ne kenge, jane mjedise kullotash e stanesh. Ne fakt ishte me i forte frymezimi dhe skena me e bukur per te kenduar kenge te ketij lloji. Po keshtu edhe kenga “himariotçe”, ne skenen ku kendohej, e bente valen e detit te heshtete dhe zogjte e malit te ndalnin kengen para dridhjes se zerave te kengetareve bregas. Sigurisht, keto ishin skenat ku u krijuan ne zanafille keto kenge. Ne kushtet qe ne sot i shijojme, synojme te ruajme rrugetimin e tyre si vlera te trashegimise shqiptare ne kushte te tjera. Ne kete sens deshirojme qe kengetaret te kendojne kengen polifonike, te tregojne po aq kujdes si per ruatjen dhe transmetimin e dialekteve te kesaj menyre te kenduari edhe per veshjen e tyre tradicionale, sidomos kur marrin pjese ne veprimtarite e ndryshme etnofolklorike qofte brenda, ashtu dhe jashte Shqiperise. Nje gje eshte e vertete, fustanella eshte kurora e asaj mbretereshe qe quhet kenge popullore.