Fatkeqësia e shqiptarëve ishte se lidershipi komunist i përbërë prej njerëzve të pakulturë e të pashkolluar, tërësisht injorantë për atë që ndodhte në botë, jo vetëm që nuk zhvilloi asnjë element që mund të kishte të bënte me turizmin, por filloi të ndërtonte fabrika gjigante për industrinë e rëndë, sidomos atë kimike, e cila jo vetëm që nuk dha asnjë rezultat por krijoi ndotje të mëdha të ambjentit, pasojat e të cilës ne do t’i vuajmë edhe në të ardhmen. Jugosllavia e Titos e zhvilloi shumë turizmin duke siguruar të ardhura të mëdha në valutë e duke ndërtuar një infrastrukturë, të cilën sot e trashëgojnë tërësisht funksionale.
Ndryshimet demokratike në Shqipëri dhe hapja e ekonomisë së tregut pas viteve ’90 ndryshuan shumë pak përsa i përket turizmit. Edhe sot pas 18 vitesh ne nuk mund të themi se jemi një vend që kemi turizëm. Ajo që ka munguar në vizionet e qeverive është koncepti i turizmit si ‘industri e rëndë’. Pavarësisht se sot dëgjohet të flitet për rëndësinë e tij asgjë nuk bëhet konkretisht. Bregdeti i Shqipërisë, temperaturat, ujërat e ngrohta të deteve, dielli gjatë shumicës së ditëve të vitit, malet dhe lumenjtë e liqenet, përbëjnë ‘minierën e arit’ të shqiptarëve, të cilën akoma nuk kanë arritur ta zbulojnë. Një industri me kosto minimale ku i vetmi shpenzim është shërbimi.
Ka shumë vende sot në botë që kanë arritur ta kthejnë në mjeshtëri shfrytëzimin e turizmit duke siguruar të ardhura marramendëse e standarte të larta jetese për popullsinë e tyre. Ishujt Bahamas, nga natyra pa ujë të pijshëm dhe pa energji dhe asnjë lloj pasurie përveç pemëve të palmave, vetëm nëpërmjet turizmit kanë arritur një starndart shumë të lartë jetese. Egjypti siguron të ardhura shumë më të mëdha nga turizmi sesa nga nafta apo nga Kanali i Suezit.
Në Shqipëri ministria e turizmit duhet të bëhet një superministri, jo vetëm në organikë por edhe në mundësitë e veprimit. Ndërkohë që sot është një agregat turizmi, sporti, kulture, rinie, e kush ka le të vërë më shumë. Të ketë një pavarësi edhe nga qeveria, të ketë të drejta e prioritete, të vendosë e të detyrojë institucionet e tjera shtetërore në shërbim të kësaj të mire të përbashkët.
Edhe pse vonë, le të vëmë në jetë fjalët e Hrushovit!
Nga Arjan Konomi : Revista Shqip