Jazz&Wine edicioni i pare nis ne qytetin e Beratit

 'Jazz&Wine' edicioni i pare nis ne qytetin e Beratit

Në qytetin e Beratit zhvillohet edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar “Jazz & Wine” në datat 5 dhe 6 shtator. Sensibilizimi qytetar ndaj vlerave të rralla historike e muzeale që Berati trashëgon, si dhe dëshmitë reale të udhëtimit tonë evropian në shekuj do të paraqiten nëpërmjet konceptit muzikal te “Muzika bizantine në bashkëbisedim me Jazz-in”. Shpalosja e potencialeve muzikale të dy zhanreve “Jazz & Iso-Polifoni” në dialog do të prezantohen duke u realizuar me pjesëmarrjen e artistëve ndërkombëtarë dhe artistët e trojeve shqipfolëse. Ndërsa një nga synimet e festivalit është edhe prezantimi i verës, së bashku me ringjalljen e muzikës Bizantine, për ta bërë të përshtatshme me tingullin modern dhe aktual të kohës, duke i ruajtur origjinalitetin, por dhe për të manifestuar vlera të lashta muzikale të kulturës sonë, për një publik më të gjerë vendas dhe të huaj. Organizatorët; Eda Zari, Sokol Çunga, Vaso Tole, Mikaela Minga, së bashku me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro etj., dje gjatë prezantimit të programit për medien shpjeguan rrugëtimin e këtij festivali, që përpos muzikës jazz ka në qendër edhe verën. Ata dëshirojnë që ky festival të kthehet në një ritual të përvitshëm, në një qytet tjetër të Shqipërisë. “Ky festival, i pari i këtij lloji në Shqipëri do të vazhdojë dialogun e nisur me vendet amë, për një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm, duke hulumtuar vlera të spikatura kulturore muzi-  kale dhe zhvilluar ato për brezat e rinj”, shprehen ata.

Zari: Brezave të rinj nuk duhet t’u lëmë fotografi nga Berati, por vlera reale

Eda Zari shpjegon se qytetin e Beratit e zgjodhën për shkak të rëndësisë historike dhe kulturore në botë. “Qyteti i lashtë muze i Beratit është titulluar ‘Trashëgimi Botërore’ nga UNESCO. Berati është i pasur në art, muzikë, kulturë, ka kuzhinën tradicionale, verën dhe është mbartës i shumë miteve dhe legjendave të popullit shqiptar ndër shekuj”, shprehet Zari. Sipas saj, një ndër arsyet kryesore për ta nisur këtë edicion ndërkombëtar kulturor në Berat është sensibilizimi qytetar, ndaj vlerave të rralla historike e muzeale që ky qytet trashëgon, brez pas brezi. “Ne duhet t'u lëmë brezave, jo kopjen e fotografisë së Beratit, por vlerat reale të tij. Ky edicion do të manifestojë ngjizjen e elementëve të dy botëve magjike muzikale, që tashmë janë titulluar ‘Trashëgimi   Botërore’ nga UNESCO, Jazz-i dhe Isopolifonia jonë. Iso-polifonia shqiptare, feston denjësisht e plot merita të larta, më datë 5 nëntor, përvjetorin e 9-të të marrjes së titullit “Kryevepër e paprekshme e trashëgimisë gojore” nga UNESCO. Nëpërmjet këtyre dy stileve të nivelit botëror muzikal, miliona njerëz kanë kënduar dhe ende i këndojnë sot, dëshirës së tyre për liri, dashurisë, tolerancës dhe dinjitetit njerëzor”, thotë Zari. Edicioni i parë ‘Dialog festiv. Jazz & Wine’ sjell gjithashtu në vëmendje dhe manifeston në Panairin e Verës, produktet më të spikatura të verës shqiptare, të cilat konkurrojnë edhe në tregjet e huaja me sukses. Slogani që i motivoi organizatorët që të ndërmarrin nismën e këtij edicioni në një djep të lashtë si Berati është: “Kulturat e mëdha nuk kanë nevojë të shfaqen në Metropole”, e thënë nga Vaso Tole.

Kumbaro: Këtë trashëgimi duhet ta trajtojmë si pasuri kombëtare

Ky festival është nga ato propozime që përputhen plotësisht me linjën e Ministrisë së Kulturës. Ndërthurja e perfomancave bashkëkohore, me ato të traditës dhe në një farë mënyre me promovimin e trashëgimisë është vlerësuar pak, gjithashtu fusha e kulinarisë nuk është vlerësuar siç duhet. Kumbaro tregon se, ka diskutuar shumë herë me Vaso Tolen, për të pasur zgjerime, jo vetëm në formën klasike të folklorit. “Prandaj jemi sot në këtë moment ku ky festival ka gjetur skemën dhe dekorin e duhur në një nga qytetet më të njohura të trashëgimisë kulturore, siç është Berati. Ka ndërthurje edhe me muzikën, aftësinë artistike të disa grupeve që e bëjnë akoma më interesante, sepse në këtë festival do të jenë pjesëmarrës disa grupe shqiptarë dhe të huaj”. Sipas saj, është e pamundur që trashëgimia materiale, e monumenteve të kulturës, e parqeve arkeologjikë, të jenë vetëm në mbrojtjen e shtetit, nën sulmin e medies dhe pastaj në indiferencën e qytetarëve. “ Unë them që ta trajtojmë këtë pasuri, si një pasuri kombëtare, të përbashkët ku secili ka një rol për të luajtur. Shteti ka detyrën kryesore të restaurimit dhe konservimit, por po ashtu ka për detyrë që të zhbirojë detyra për edukimin e komunitetit, në mënyrë që ai të përfshihet emocionalisht dhe të jetë i vëmendshëm në atë që duhet t’i ruajë”.  

Nën tharmin e jazz-it, me shpirtin e pjergullës 

Mikaela Minga

Mikaela Minga (muzikologe) është edhe moderatore e festivalit. Sipas saj, në kohët moderne, festivalet muzikorë janë kthyer në aktivitete kulturore krejt të pavarura dhe të larmishme. Sidoqoftë, nuk mungojnë rastet, kur mund të gjurmosh brenda tyre një lidhje me atë përmasë rituale, të dikurshme që lidh të shkuarën me bashkëkohësinë. “Jazz&Wine Festival Albania” vjen në këtë edicion të parë si një gërshetim i tillë, për të celebruar në dy net të përveçme verën dhe muzikën. Nuk do t’i biem botës rreth e përqark, siç ndodh fjala vjen, me verën Beaujolais Nouveau, në Francë, por do të qëndrojmë në një vend, në qytetin e Beratit aty ku kultura të ndryshme të botës kanë lënë njëra pas tjetrës gjurmët e tyre, dhe çdokush mund t’i përjetojë këto duke shkelur gurët e tij”. Nëpërmjet një panairi ku marrin pjesë mbi 13 kantina artizanale që veprojnë në zonën e Beratit, por edhe jashtë saj si: Korça, Rahoveci, Vlora etj., në krah të saj vjen tharmi i jazz-it, në një hapësirë koncertalemuzeale te Muzeu i Onufrit dhe te Muzeu Etnografik. “Mendoj se festivale të këtij tipi duhen kuptuar si skena ku bëhet muzikë. Dua ta nënvizoj një gjë të tillë, sepse këtu është e mundur të dëgjohen dhe të njihen nga afër stilet dhe shprehjet e shumta të muzikës jazz. Njëkohësisht mund të dëgjohen nga afër protagonistët që janë sot për sot aktivë, që duke iu referuar kësaj estetike, krijojnë profilet e tyre, sa të ngjashme aq edhe të pangjashme nga njëri-tjetri”. Eda Zari, një artiste që lidh botën shqiptare të muzikës me atë ndërkombëtare, dhe që përveç performancave të saj të profilizuara vjen në këtë festival me një nismë të veçantë dhe të re: një bashkëbisedim mes muzikës bizantine dhe jazz-it; një ndërthurje mes një vokaliteti që ka dalluar praktikat kristiano-ortodokse të lindjes, e njohur ndryshe dhe si ‘art i këndimit psalltik’ dhe ‘sonoritetit jazz’. Pikënisje jazz-in kanë gjithashtu edhe muzikat tradicionale të Ballkanit te “Zig-Zag Orchestra”, te “Jazzhes Fusion Impact” apo “Albania Sax Quintet”. Në një hapësirë tjetër vjen Ilir Bajri, një artist që eksploron cilësitë elektro-akustike të tingullit. Vijnë në këtë festival edhe emra të mirënjohur të skenës muzikore ndërkombëtare.   


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama