Jul Deda-Hervin Culit Shoku drejtor ti i sherbeje me zell Saliut

 Jul Deda-Hervin Culit: Shoku drejtor, ti i sherbeje me zell Saliut

TIRANE- Aktori Julian Deda, ka kritikuar përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, drejtorin e Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli. Në fakt, Deda duket se replikon për statusin e vetë Çulit në “Facebook”, dy ditë më parë, ku ai sqaronte përplasjen me regjisoren Sesilia Plasari për shfaqjen “Liri në Bremen”.

 

Më poshtë, reagimi i plotë i aktorit Julian Deda. “Shoku drejtor i Teatrit Kombëtar. Nëse mendon se me një status në ‘Facebook’ mund të sqarosh opinionin publik, e aq më tepër atë artistik, gabohesh. Ti quajte ‘karagjoz’ dhe ‘për të rënë në sy të Saliut’ të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ti, përfshi këtu edhe mua. Nisur nga këto dy terma që përdore ti shoku drejtor, jam i detyruar të të shpjegoj diçka. Dua ta nis nga i dyti. Nëse flasim për rënie në sy dhe shërbim ndaj Saliut, siç e quan ti sot këtë njeri që dikur i thoje DOKTOR BERISHA, dhe ‘godisje’ çdo njeri tjetër që i thërriste ‘Saliu’, kështu siç i thërret ti sot, je pikërisht ti që i shërbeje dikur me zell dhe një përkushtim që çuditi edhe demokratin më të thekur në këtë vend. Këtë ti nuk e bëje për PD apo Doktorin, por doje të bije në sy për një copë magazinë. Por ajo magazinë nuk t’u dha, kush e di pse? Unë e di, por më mirë le të mos e themi. Pastaj nise t’i bije në sy atij që dikur e thërrisje ‘piktori’ dhe sot i përulesh duke i thënë z.kryeministër. Pra një karrierë disavjeçare e bazuar në rënie në sy dhe shërbime ndaj të mëdhenjve për atë dreq magazine. Por ia vlejti, se edhe magazinën e more. Hallall. Për sa i përket termit ‘karagjoz’, dua të të kujtoj dy statuset tona respektive, ditën e djeshme (pardjeshme). I imi mori sigurisht shumë më tepër ‘like’ se i joti (kjo as që diskutohet), por ajo që është më e rëndësishme, aty kanë bërë ‘like’ të djathtë dhe të majtë pa dallim, sepse të gjithë e ndjejmë njësoj shqetësimin për këtë teatër, mbi të gjitha i kanë bërë ‘like’ edhe disa artistë të nderuar. Dhe ti pa pikë turpi na quan të gjithëve karagjozë? Shoku drejtor, nuk mund të jesh ti i vetmi në rregull këtu dhe ne të tjerët të jemi shumë karagjozë! Nejse, e di vetë ti, që nuk duhet të sillesh keq me komunitetin artistik, e sidomos me figura të famshme që publiku i njeh dhe i respekton në masë e ti i quash karagjozë, sepse do e ‘nervozosh’ publikun pastaj! Si përfundim, mua dhe shumë të tjerëve si artbërës dhe artdashës, nuk na intereson nëse teatri del me fitim apo me humbje; neve na intereson që nga aty të burojnë mendimi, talentet dhe profesionalizmi, sepse teatri nuk është biznesi yt që të na tregosh shifrat e lekëve. Vazhdoj të kem një këshillë për ty: RRI MIRË DHE BËJ PUNËN!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama