Ku jemi me mendjet e bukura?

 Ku jemi me mendjet e bukura?
Mendimi i lirë i inteligjencës shqiptare që u mboll në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë dhe u ndalua thuajse kategorikisht nga censura e rendit të ri ideologjik, është pasuri që u mungon vendeve të dijes dhe programeve shkollore.

Lista që dëshmon një traditë të shkruar dhe të konsoliduar të një Shqipërie me krye të pavarur intelektualisht, është jo e shkurtër:

Anton Harapi, Branko Merxhani, Zef Valentini, Eqerem Bej Vlora, De Rada, Sami Frashëri, Vangjel Koça, Arshi Pipa, Ernest Koliqi, Faik Konica, Fan Noli, Stavro Skëndo, Tajar Zavalani, Vaso Pasha, Gjergj Fishta, Gjon Shllaku, Ismet Toto, Krist Maloki, Lazër Shantoja, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Mehdi Frashëri, Mithat Frashëri, Jorgji Meksi, Nebil Çika, Nonda Bulka, Zef Krispi, Safet Butka, Getano Petrotta, Sejfulla Maleshova, Vinçens Dorsa, Namik Resuli.

Kjo është arsyeja pse për herë të parë ulen në një tavolinë rilevues të saj dhe përfaqësues politikë të arsimit dhe shkencës së trojeve mbarëshqiptare.

Më 29 maj, në Hotel Tirana, Qendra e Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës organizon konferencën shkencore mbarëkombëtare "Mendimi shqiptar dhe shkolla shqipe".

Lajmin e mirë e dha drejtori QSA-së, Ardian Marashi. Konferenca e planifikuar qysh në fillim të vitit rrezikonte të dështonte për shkak të fondeve, por vetëm u shty pak në kohë.

Është për t\'u përshëndetur kjo nismë e Marashit dhe, me sa duket, edhe e botuesit Ndriçim Kulla, i cili ka botuar një sërë veprash nga Branko Merxhani, Krist Maloki, Tajar Zavalani dhe një antologji "Mendimi shqiptar", me shkrime të autorëve të mësipërm.

Për iniciatorët, ky mendim shqiptar i periudhës 1870-1945, i dalluar sidomos si mendim kritik dhe estetik, "ose nuk njihet ose njihet krejt përciptazi dhe në mënyrë fragmentare edhe nga vetë intelektualët e, aq më pak, nga mësuesit".

Në këto vite, botimet e këtyre autorëve kanë shkuar tek lexuesi "pa aparatin konceptual dhe shpjegues të përshtatshëm, ngase me to nuk është punuar aspak nga specialistët dhe institucionet e arsimit" dhe, në këtë mënyrë, "trashëgimia jonë mendore ka mbetur pa u integruar në programet mësimore dhe të edukimit.

Por, akoma më keq, ndër aktorët akademikë dhe arsimorë mungon deri edhe vetëdija e domosdoshmërisë së integrimit të këtij mendimi në formimin universitar dhe shkollor".

Takimin e të premtes e përshëndet Kryeministri Sali Berisha, ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Fatos Beja dhe kryetari i Komisionit të Shkencave Shoqërore, Emin Riza. Kurse drejtori i QSA-së, Ardian Marashi, në fjalën e tij bën një pohim dhe ngre një problem: Vlerat e sigurta të mendimit shqiptar: ku jemi me traditën?

Seanca e paradites ka temë aktualitetin e mendimit shqiptar. Marrin pjesë Arbën Xhaferi, i cili trajton çështjen e orientimit europerëndimor të intelektualëve shqiptarë në vitet 1920-40; flasin Ndriçim Kulla, Gjergj Sinani, Ledri Kurti, Uran Butka, Sabri Hamiti, për kritikën e Krist Malokit, Agron Tufa, për memuaristikën e françeskanëve dhe vendin e saj në traditën letrare; drejtorja e Arkivit Qendror të Shtetit, Nevila Nika, flet për "Grupin e të rinjve" të viteve \'30-të dhe Enti Kombëtar "Djelmëria shqiptare", Enver Muhametaj për kriteret shkencore dhe pedagogjike didaktike të përfaqësimit të mendimit letrar shqiptar në programet dhe tekstet mësimore të shkollës sonë.
Seanca e dytë ka temë njohjen e traditës si nevojë dhe detyrim.

Kurse në seancën e pasdites diskutohet për politikat kulturore dhe arsimore mbarëkombëtare, ku pritet të marrin pjesë edhe Ismail Kadare, ministri i arsimit Fatos Beja, homologu i tij nga Kosova, Enver Hoxhaj, zv/ministrja e Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë, Luljeta Qazimi, kurse nga Mali i Zi vjen këshilltari i parë i ministrit për Arsimimin e Pakicave nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Katalogohen pasuritë e Drinos

Gjirokastër - Nis katalogimi i pasurive arkeologjike e kulturore të luginës së Drinos. Prej dy ditësh janë të pranishëm në qytetin antik të Adrianopolit dhe në luginën e Drinos specialistë të misionit italo-shqiptar, që përbëhet nga specialistë restauratorë, arkitektë dhe arkeologë.

Gjithçka kryhet në funksion të projektit "Archadrin", i cili ka si qëllim lindjen dhe organizimin e Parkut Arkeologjik të Hadrianopolit.

"Archadrin\' është një projekt shumëdimensional, i konceptuar në dy faza: gjatë fazës së parë do të kryhen restaurime në qytetin e Hadranopilit, një tjetër grup do të jetë i përqendruar në luginën e Drinos dhe një tjetër pikë e rëndësishme do të jetë në universitetin Eqrem Çabej, ku do të montohet një laborator restaurimesh arkeologjike.

Gjatë këtij misioni të parë për këtë vit janë në program studimi në terren për hartën arkeologjike të Luginës së Drinos, studimi i materialeve restauruese dhe studimi i ndërhyrjeve në funksion të një parku arkeologjik në Hadrianopolis.

Parashikohet, sipas metodologjive kërkimore, të vazhdohet me rikonjicionin sistematik të Luginës së Drinos, duke filluar me qytetin e Hadrianopolisit.

Puna do të vazhdojë me hedhjen në GIS të të dhënave të siteve arkeologjike tashmë të njohura, të cilat do të rilevohen nëpërmjet GPS dhe, mbi të gjitha, nëpërmjet rikonjicionit në arkivat e Institutit të Arkeologjisë", - është shprehur koordinatori i projektit, Dhori Bilushi.

Faza e dytë u përket gërmimeve arkeologjike në Hadrianopol, që pritet të rinisin në mesin e muajit korrik.



Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama