Ky ka qenë dhe fakti që ka bërë një "furtunë" të madhe si në media, ashtu dhe në saitet online, ku koncerti është konsideruar si një mashtrim i madh dhe është bërë vetëm për të "vjedhur" lekët. Por ja se çfarë thotë Arlind Hajro, organizatori i "Vlora Waves" dhe menaxher i grupit Pink Cake për Shqipërinë. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për mashtrim, pasi gjithçka ka qenë e sqaruar në reklamë dhe është thënë qartë që këngëtarja që do të vinte ishte Pink Cake, një këngëtare italiane, e cila ka ekskluzivitetin e përdorjes së imazhit dhe këngëve të këngëtares pop, Pink
Arlind, na tregoni pak si lindi ideja për ardhjen e Pink Cake në Durrës?
Pink Cake janë një grup që për Shqipërinë menaxhohet nga "Vlora Wave". Ne organizatorët u gjendëm në vështirësi të mëdha ekonomike dhe nuk mund të përballonim shpenzimet e udhëtimit dhe lekët për spektaklin. Për këtë arsye gjykuam dhe vendosëm ta "shisnim". U gjet një klub që pranoi, ai mori përsipër të hiqte të gjitha shpenzimet e Pink Cake, por nuk ka pasur të drejtën për reklamimin e artistes. Të gjitha reklamat janë bërë nga ne të "Vlora Waves".
Sa kohë kishte që reklamohej ardhja e këngëtares?
Kishte gati 2 muaj që bëhej reklamë në televizion dhe ishte e përcaktuar dhe në saitin e "Vlora Wave".
Sipas jush, pse ka lindur keqkuptimi?
Me lajmin e Pink Cake është spekuluar, duke thënë që këngëtarja është "jevgë lagjeje", që sipas meje ky është ofendim dhe racizëm, kanë thënë është nga Shkëmbi i Kavajës, madje doli dhe dikush që e njihte, por e vërteta është që Pink Cake është e vetmja Tribute Band e licencuar nga menaxheri i Pink dhe që gëzon të drejtën për të shfrytëzuar imazhin në Europë. Ajo madje i jep Pink-ut real 30% të fitimeve të saj.
Me sa kemi dëgjuar, natën që këngëtarja ka dhënë koncertin, ka pasur reagime shumë të ashpra nga fansat që gjendeshin aty. Çfarë ndodhi realisht?
Ne i kemi dhënë dëmshpërblim këngëtares për prishje të imazhit. Dikush është munduar ta qëllojë atë me shishe. Ky gjest është shumë i ulët, pasi në radhë të parë nuk qëllohet një femër. Një person qytetar nuk merr asnjëherë guximin të qëllojë një artist.
Ka informacione se është bërë një denoncim ndaj klubit ku ka dhënë koncertin këngëtarja, sa e vërtetë është kjo?
Unë kam informacion që drejtuesit e klubit ku u dha koncerti janë paraqitur në polici, ku kanë dorëzuar banera, kontratën dhe posterin ku vërtetohet se reklama ishte për Pink Cake. Dhe po e përsëris, reklama është bërë nga ne, organizatorët e "Vlora Waves", pasi nuk vendosi dot lokali se cila reklamë do bëhet.
Atëherë, kur ju thoni se në reklamë ka qenë gjithçka e sqaruar, pse u bë gjithë kjo "rrëmujë"?
Unë mendoj se është bërë për xhelozi. Xhelozia që kanë lokalet për njëri-tjetrin komprometon dhe artistët. Gjithë rrëmuja që është bërë në media është bërë enkas, ndaj dhe ishte i domosdoshëm një sqarim për opinionin publik.
Pse nuk mund të vijë Pinku i vërtetë?
Është e paimagjinueshme të pretendosh të shohësh Pinkun me 10 euro biletën dhe pa kontributin e asnjë sponsori. Nëse dikush ka dëshirë të sjelli Pinkun e vërtetë, të përgatisë 300 mijë euro dhe ua sjell unë.
Cili është mesazhi juaj për të gjithë ata që kanë mbetur të "zhgënjyer"?
Ne kemi vendosur ta risjellim sërish Pink Cake, kësaj radhe në Tiranë. Njerëzit të jenë më të vëmendshëm të lexojnë reklamën, që të mos e quajnë më mashtrim, por të jenë të përgatitur se çfarë do të shohin realisht.
Emir i saj i vërtetë është Serena Ottaviani. Është drejtoreshë shkolle në një shkollë rroku në Romë
Gazeta Shekulli