Plasari: "Një pasuri e rrallë. Për shkak të kushteve të sigurisë do të ekspozohen ndoshta vetëm për 1 javë"
Pasditen e 1 tetorit, në Bibliotekën Kombëtare, hapet ekspozita "Biblioteka e Bushatllinjve".
Me rastin e Ditëve të Trashëgimisë Evropiane në Shqipëri, hapen në vitrina për të parën herë për publikun një nga koleksionet e rralla të BK-së: rreth 150 njësi bibliotekare të dorëshkruara të Bibliotekës së famshme të Bushatllinjve (shek. XV-XIX) ku përfshihen filozofi, fe, gjuhësi, letërsi, administratë, kozmografi, retorikë etj.
Janë pasuria shpirtërore e pashallarëve të Shkodrës, si për të dëshmuar në njëfarë mënyre edhe thuajse krejt autonominë që gëzonte ky sanxhak kur u sundua prej tyre, në harkun kohor 1757-1831.
Biblioteka u themelua si institut i përgjithshëm prej Mehmet Pashë Plakut dhe u mbajt e pasurua nga djemtë e tij, sidomos Mustafa Pasha që përmendet si njeri studioz që kishte mëkëmbur një bibliotekë me libra frëngjisht dhe turqisht, të cilat në fund ia fali vakëfit të Shkodrës.
"Po i la vakëf të gjitha librat e bibliotekës sime që kam lanë në Shkodër të Shqipnisë që janë të vulosuna me vulën time dhe të regjistrueme dhe të ruejtuna në depon e veçantë", shënon Mustafa Pasha.
Është fat që dëshmitë për këtë bibliotekë se ç'ishte dhe ku ishte vendosur, si ishte konstruksioni i saj, me dhoma, sallon dhe vend studimi për lexuesit, vijnë prej një bashkëkohësi në fazën e fundit të shkëlqimit të objektit dhe pasurisë brenda tij. Madje ai ishte më shumë se kaq, ishte kujdestar i bibliotekës dhe administrator i zyrës së vakëfit të Shkodrës në vitet tridhjetë. Hami Bushati informon tek vepra e tij e çmuar "Shkodra dhe motet" se:
"Në bibliotekën e Vakëfit ka pasur afro 3000 volume teologjie, jurisprudence e libra të ndryshëm fetarë, tekste shkencore mbi fizikën, shkenca natyrore, matematikë, gjeometri, filozofi, astronomi, histori etj.
Nga librat e bibliotekës po shënojmë disa ekzemplarë që edhe në botën orientale ishin të rrallë: p.sh. Historia e Ibni Halëdunit, e përkthyer turqisht, Historia e Xhevdet Pashës 12 volume, Tarihi Vasif, Tarihi Taberi etj. Kurse tekstet e filozofisë qenë të autorëve: Ibni Sina (Avvicenna), Ibni Rushdi (Averroe), Imam Gazali, Fahruddini Rrazi, Mahjuddini Arabi etj. etj. Kishte edhe vepra origjinale në dorëshkrim. Duhet përmendur se në atë bibliotekë gjendej edhe libri i shkruar shqip prej Tahir Ef.
Gjakovës me titullin "Vehbije" dhe historia turqisht e Ahmet Pashë Dukagjinit. Të gjithë librat e biblotekës vuloseshin me vulën personale të Mustafa Pashës, por me largimin e tij nga Shkodra librat e bibliotekës vuloseshin me vulën personale të Mustafa Pashës, që Pasha i kishte dërguar bibliotekës nga jashtë. Vula kishte këtë përmbajtje: "Mbështetja ime është Zoti dhe ai është i mjaftueshëm - nga librat të cilët i ka bërë vakëf i përvuajturi pranë të mirave të Perëndisë, nga vezirët i quajturi Sherif Mustafa. Zoti është më i përhershmi...".
Ekspozimin e koleksionit oriental do të shoqërohet me të dhënat e Bushatit, përfshi këtu rregullat, të rrepta fort, në bazë të të cilave pat funksionuar biblioteka e Bushatllinjve. Një pjesë të kësaj rregulloreje po e botojmë përbri ilustrimeve, të cilat ilustrime dëshmojnë kaligrafinë dhe artin e ornamentikës, një kulturë islame e shprehur në libra.
Jetuan në shekujt XVIII-XIX, por siç vë re edhe Aurel Plasari, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, blinin libra treqind vjet më të vjetër se ata. Për shembull tek kjo trashëgimi që trajtohet dhe ruhet si pasuri kombëtare, gjen një Kuran të vitit 1451, ndër më të vjetrit e koleksionit. Ky kuran mban vulat e Kara Mahmut Bushatit, sundimtar i Shkodrës, pasha i tretë i dinastisë së Bushatllinjve dhe të Mustafa Pashës.
"Identifikimi tyre ka qenë i sigurtë nëpërmjet vulave, përndryshe do të kishin humbur në detin e fondeve orientale", thotë Plasari, i cili me këtë rast i bën homazh punës së jashtëzakonshme që kreu në vitet '60-'70, Zyber Bakiu (1897-1987), orientalist, përpunues i Koleksioneve Orientale të Bibliotekës Kombëtare. Bakiu bëri këtë selektim që kemi sot.
Pikërisht në atë kohë, sajë "politikës së përqëndrimit të vlerave të rralla të kombit", përqëndrim që siç thotë Plasari "duhet të ketë ndodhur kur janë mbyllur institucionet fetare", erdhën deri këtu, në BK, këto libra.
E përse ekspozohen tani këto? Ditët e Trashëgimisë Evropiane të shpallura nga Këshilli i Evropës për festa të kulturës një javë në shtator, ekzistojnë prej vitit 1991.
Pavarësisht se në Shqipëri ka së paku dhjetë vjet që "festohet" për trashëgiminë, Plasari thotë se bibliotekat shqiptare nuk kanë qenë të ndërgjegjshme se duhet të kryejnë edhe këtë funksion të ekspozimit të fondeve të tyre të rralla.
Vërtetë kemi të bëjmë me një koleksion oriental jo vetëm në kuptim e gjuhës po edhe të estetikës, Plasari kujton se tekstet e autorëve antikë, një pjesë e të cilëve, erdhën nga përkthimet arabisht. Jo thjesht për këtë kjo pasuri konsiderohet sot e ka mot pjesë e kulturës evropiane.
"Në Evropë sot janë shumë të çmuar dorëshkrimet arabo-persiane edhe për vlerat estetike. Jo vetëm për kaligrafinë. Një pjesë e tyre janë të punuar me ar që tregon modelin e një zhvillimi të lartë të prodhimit të veprave.
Koleksionet e dorëshkrimeve orientale më të pasura i ka Parisi, Biblioteka Nacionale e Parisit", thotë Plasari duke mos bërë më shumë koment për koleksionin që ekspozohet pas dy ditësh, si një pasuri e rrallë. "Dhe në rast se sigurojmë ruajtjen", përfundon ai, "ekspozita do të qëndrojë e hapur një javë."
Rrëgulla dhe detyrime për lexuesit
"...Kam vu kusht që pikësëparit: mbi çdo libër duhet të shkruhet çmimi i caktuam ndershmënisht prej një grupi të ylemave në të holla sermi. Kur ndokush dëshiron me marrë një libër për studim në shtëpi, ai person do të parapaguejë të paktën një të tretën e çmimit si peng e, pa u pague ajo shumë libri mos t'i jepet. Së dyti, ylematë e qytetit do të zgjedhin dy kujdestarë, të parë e dytë, për librat e bibliotekës.
Këta do të subvencionohen prej myteveli nga të ardhunat e vakëfeve të mia. Në rast se kujdestarët e bibliotekës abuzojnë ose e neglizhojnë detyrën të pushohen dhe të zavendësohen me dy të tjerë të zgjedhun nga grupi i ylemave dhe të mytevelisë, tue iu sigurue atyne rrogat e caktueme.
Në qoftë se në vakëfin e përmendun (në bibliotekë) ndodh zjarm ose ndonjë katastrofë tjetër, duhet të zavendësohet me te ardhunat e një viti të vakfe të mia ose me uhana të siguruese me peng apo me dorëzanës dhe me interes ligjor, mandej poqese se mbeten teprica nga ato fonde duhet të ndahen studentëve, krye për emën të medreseve.
Prej Vakëfnames së Vezirit Mustafa Pashë Shkodra
Gazeta Shekulli