Lushnje lind nje vic me 6 kembe. Ne Vjose kapet peshku i rralle

 Lushnjë, lind një viç me 6 këmbë. Në Vjosë kapet peshku i rrallë
Ndërsa pronarët e viçit ishin "të frikësuar" nga lindja e këtij viçi, që për ta konsiderohej një ters për familjen. Në familjen Kasapi, pas 7 lindjesh normale, lopa e tyre, përmes operacionit ka sjellë në jetë një viç që peshon 40 kg, por çudia ishte e madhe kur veterineri, Kudret Gjyshja, i cili kreu edhe operacionin e lindjes së kafshës, konstatoi se viçi kishte 6 këmbë dhe dy organe gjenitale; atë femëror dhe atë mashkullor. Të zotët e saj pohojnë se nëse viçi do të jetojë, do ta shesin për mish.

Sipas veterinerit Gjyshja, lindja e këtij viçi është një gjë e rrallë, që nuk ka ndodhur në këtë zonë ose me gjerë. Ai shton se familjarët nuk duhet të shqetësohen se lindja e këtij viçi nuk simbolizon asgjë të keqe. Veterineri, ndërkohë, shpjegon se shkaqet e kësaj lindjeje, edhe pse janë të rralla, mund të ketë ardhur nga grupi i gjakut i njëjtë ose nga injeksioni me barna hormonalë, të cilët kanë sjellë këto anomali.

Ai thotë se viçi mund të këtë jetëgjatësi dhe më vonë do t\'i bëhet një ndërhyrje kirurgjikale, me anë të së cilës do t\'i hiqen gjymtyrët e tepërt.

Kapet në Vjosë një peshk i rrallë. Peshku që ka frikësuar peshkatarët

Peshkatarët e zonës së Frakullës kanë zënë në lumin Vjosë një specie, që për ta është e rrallë. Karakteristika e kësaj specieje që peshkatarët nuk mund t\'i vënë dot një emër, pasi nuk e njohin, është se ai ka kokë të madhe, gojë të madhe, me dhëmbë të mprehtë, ndërsa në të dy anët e kokës ka 14 vrima të dukshme, nga shtatë për çdo anë koke.

Peshkatari Përparim Zgurati tregon se kishte dalë më shokët, si zakonisht, në breg të lumit Vjosë, për të kapur peshk me rrjetë, kur ai kishte parë këtë peshk që lundronte në sipërfaqe të ujit.

"Për momentin edhe u frikësova, - tha peshkatari, - pasi ky lloj peshku, në vend që të largohej, erdhi drejt meje me shpejtësi. Ndërkohë, peshkatari është larguar disa metra dhe peshku nuk është larguar, por përkundrazi, është drejtuar drejt tij. "Isha edhe i frikësuar, por edhe kureshtja se si një peshk i vogël që kishte përmasat e kokës shumë më të mëdha, të më sulej mua, më bënte të mos largohesha. Mora rrjetën menjëherë dhe pasi e hodha mbi të, e kam kapur, ndërkohë kam thirrur edhe shokët.

Të gjithë jemi habitur kur e kemi parë me ato karakteristika jo të zakonshme. Ai deshi të dilte nga rrjeta, por nuk mundi dot, pasi është qëlluar në kokë nga një tjetër peshkatar". "Për mua, - tha Përparimi, - ky peshk është i rrezikshëm, pasi siç e shikoni, ka dhëmbë të çuditshëm dhe gojë të çuditshme, ndërkohë edhe sjellja e tij e egër ndaj nesh tregon se ai është shumë i rrezikshëm për peshkatarët ose për njerëzit që duan të lahen në këto ditë të nxehta në lumin Vjosë.



Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama