Mbi disa zhvillime te reja gjuhesore qe demtojne shqipen

 Mbi disa zhvillime të reja gjuhësore që dëmtojnë shqipen
Dhe gjuha si një organizëm i gjallë, për fat, lejon dhe rehaton me shumë bujari të gjitha dëshirat e individëve folës e shkrues për të qenë origjinalë, figurativë, ekscentrikë, me pak fjalë, të lirë në përdorimin e saj. Por një shkrues i mirë, di masën e lirisë gjuhësore që ka, di ta pasurojë në vend që ta dëmtojë gjuhën. Kujtoj gjithnjë me mall ndjesinë gjuhësore të marrë nga proza e Jakov Xoxes ose Dhimitër Shuteriqit, ose e përrallës popullore. Një gjuhë që rrjedh shqip dhe thjeshtë, me një larmi leksikore thithëse, argëtuese dhe informuese. Kur isha në Tiranë i bleva vajzës sime të vogël dy botime përrallash nga Virgjil Muçi, mbushur me fjalë e ndërtime ku tradita dhe e reja bëheshin një gjuhësisht, një shqipe e qartë dhe e pasur që shqiptarët e rinj rrallë kanë rast ta dëgjojnë në radio apo TV. Ndaj edhe e kanë harruar teksa rendin pas snobizmit gjuhësor që sot është bërë modë.

Bashkë me rritjen e botimeve dhe numrit të mediave të shkruara dhe elektronike, dhe përgjithësisht me intensifikimin e mbështetjes së publikut tek mediat për çdo informacion, ka ardhur edhe një shthurje jo krejt e justifikueshme e gjuhës, lajthitje e formës së shkruar, një rendje pas sasisë së botuar në të cilën injorohet pa skrupull cilësia e të shkruarit. Duket sikur vuajmë si shoqëri nga sindroma e një nxitimi obsesiv, pa arsye, pa vlerë, pa synim a plan. Tregu i lirë, duke kuruar problemet e fobisë dhe ngurtësisë komuniste në fushën e shkrimit dhe botimit, nuk duhej të keqësonte e zhvlerësonte shqipen. Shqipja e shkruar sot tregon se jemi larg gjetjes së një barazpeshe mes sasisë, shumëllojshmërisë dhe cilësisë. Nuk u referohem veç përkthimeve, sidomos atyre shkencore që shpesh janë krejt të pakuptueshme, por edhe romanet e shkruara në shqip botohen të paredaktuara ose me një pseudo-redaktim, që në fakt e dëmton si autorin e veprës, si lexuesin. Gjuha e shtypit (dhe më pas ajo e mediave elektronike që përgjithësisht bazohet ose ndjek gjuhën e shkruar) është një nga hallkat e dobëta në një zinxhir fatkeq të kakografisë sonë shprehëse, një shqipe formale e dëshpëruar dhe dëshpëruese. Është e trishtë ndjenja që ke kur shëtit nëpër Tiranë dhe sheh si shkruhen tabelat e dyqaneve apo reklamat. Po ç’faj të ka tregtari shpesh i pashkollë, kur mbushur me gabime janë tekstet shkollore, gazetat, dokumentet zyrtare. Në përmbledhjen informuese në hyrje të një galerie të re pikture në ish-ekspozitën e arteve figurative pranë Hotel Dajtit, në tetor të 2007-ës, kishte mesatarisht dy gabime në çdo rresht përgjatë së vetmes faqe.

Në këtë shkrim do të diskutoj vetëm disa përdorime të gabuara të viteve të fundit, në rrafshin leksikor (të fjalëve) dhe gramatikor (të strukturave/ndërtimeve), pa prekur problemet e përkthimeve, ato stilistike ose mungesën e logjikës dhe koherencës në tekstet e shkruara apo të lexuara. {{{{{Dy janë problemet kryesore që do të trajtoj: atë të prishjes së strukturës së shqipes, dhe atë të mos-respektimit të kodit të shkrimit.}}}}} Shembujt e përdorur vijnë nga përdorimet në gazeta, revista dhe televizion, nga gazetarë ose politikanë të njohur. Çfarë më jep të drejtën t’i quaj gabime e të mbaj këtë qëndrim preskriptiv, në dukje dogmatik? Mendoj se huazimet (që janë aq të zakonshme në të gjitha gjuhët e botës) janë nevojë e gjuhës dhe e pasurojnë atë. Nuk jam për purizëm gjuhësor, dhe jam vendosur gjithnjë kundër politikave të skajshme gjuhësore që ndëshkojnë fjalën e huaj, qoftë ato historike si në Prusi e Hungari, qoftë ato bashkëkohore si në Francë e Kanada (Quebec). Ksenofobia gjuhësore është shfaqje e frikës për t’u hapur, e pasigurisë kulturore dhe mungesë largpamësie. Çështja është se kur kthehesh në vendin tënd pas njëmbëdhjetë vjetësh siç qe kthimi im i parë në Shqipëri (një periudhë krejt e papërfillshme për të pritur evoluim që mund të shndërrojë gjuhën), dhe papushim të kap veshi fjalë e shprehje jo shqip që përdoren krejt pa nevojë, të dhemb zemra dhe veshët. Kur i kërkon dikujt një shami letre dhe të pyet duke të ndrequr “Deshe një facoletin?”, ose kur kërkon në restorant spaghetti (ahhh… kësaj s’i thua dot makarona) me domate të vogla dhe të korrigjojnë “me pomodorini?”, mbetesh pa gojë për shqipen tënde të vjetëruar. Kur një shoqe ose shok i imi (që si dhe unë beson në zhvillimin e lirinë gjuhësore, por edhe në ruajtjen me kujdes të asaj që e bën shqipen shqipe), më shkruan nga Shqipëria se “i mungoj”, pyes veten: Ç’t’i ketë ndodhur vallë shprehjeve “kam mall”, “më ka marrë malli” ose “më zuri malli”. Ca më të shkurtra e ca më të gjata sesa shprehjet e huaja apo të përkthyera fjalë për fjalë nga ndërtime të huaja, janë të bukura shprehjet shqip: s’kanë zgjeben dhe as janë të dala mode vetëm sepse tingëllojnë shqip. Po shkruaj pikërisht për gjuhën e shtypur (apo të lexuar), sepse besoj që veç ajo mund të kontrollohet, e që në formë përsëritjeje, lavazhi truri, mode apo grishjeje për imitim, ajo ka një rol të pamatë në dëmtimin ose përmirësimin e standardeve të të shkruarit dhe të të folurit, sidomos mes të rinjve. Këta edhe pse nuk janë lexuesit më të pasionuar të gazetave, ndjekin të etur dhe imitojnë rrufeshëm gjuhën (shqiptim, intonacion, fjalor, strukturë e stil) televizive dhe të radios.

2. Fjalë të huaja përdorur pa kandar e pa nevojë dhe probleme të fjalorit
Ndryshime të fuqishme politiko-shoqërore dhe ekonomike e kulturore si ato të viteve nëntëdhjetë janë të jashtëzakonshme, dhe sjellin me vete ndryshime kolosale në të gjitha format e qenies shoqërore, në gjuhën dhe kulturën e një kombi. Pa dyshim që normat, traditat e në tërësi vetëdija e nënvetëdija jonë, bashkë me gjuhën që është mënyra e ekzistencës dhe vetë thelbi i këtyre aspekteve, ndryshuan në formë e përmbajtje. Shtresa themelore e sistemit gjuhësor që pasqyron më shpejt e më fort këto ndryshime jashtë-gjuhësore, është leksiku ose fjalori i gjuhës. Por në shqipen e sotme, siç e keni vënë re patjetër edhe ju, (unë kam dëgjuar dhjetëra shqiptarë të ankohen) përdoren edhe huazime të panevojshme dhe shëmtuese. Ja disa raste që më kanë rënë në sy gjatë kohëve të fundit:

“policia do të intervenojë në çdo rast”- pse jo “ndërhyjë”?
“eksploatimi i këtij rasti nga opozita”- pse jo “shfrytëzimi”?
“elementi rriskues” – pse jo “rrezikues”?
“kryetari Rama realizoi një konferencë shtypi” – pse jo “kreu”, apo “dha”?
“kemi një klimë inekzistente” – pse jo “joekzistuese” ose “të paqenë”?
“pastaj u skatenua” – pse jo “harboi”, “u tërbua” “doli nga zinxhirët”?
“demontimi i municioneve” – pse jo “çmontimi”
“u demantua nga vetë Shtëpia e Bardhë” – pse jo “u përgënjeshtrua”

Të vjen mirë kur në Kosovë ndesh nëpër rrugë e menu restorantesh përpjekje për përdorimin e shqipes në vend të fjalëve të huaja. Por pastaj dëgjon kryeministrin Thaçi që thotë: “Duhet të partecipojmë të gjithë në zgjedhje”, ose “Populli i Kosovës më ka nominuar kandidat”. Besoj se Thaçi duhet t’i dijë në shqip “marr pjesë” dhe “emëroj”.

Veç rëndesës me huazime, ka përdorime krejt pa nevojë shprehjesh të huaja të përkthyera në shqip (ose kalkime), si rasti që përmenda më sipër “më mungon” për “më ka marrë malli” ose “nuk bën sens” për “nuk ka kuptim”. “Ata bënë më të mirën”, mund të jetë e përsosur në italisht, por s’ka asnjë lloj kuptimi në shqip. Në të kundërt, “bënë gjithçka” ose “bënë ç’mundën”, nuk do fuste në siklet asnjë shqiptar. Para pak vjetësh nuk përdorej kurrë shprehja “bën me dije” në shtyp, ndërsa sot e gjen me dhjetëra herë në çdo gazetë. Shprehja që përdorej në shqip ishte “njofton” ose “bën të ditur”, e cila është zhdukur krejtësisht për arsye, për mua, krejt të errëta. Sot thuhet “kjo agjenci lajmesh bën me dije”, ose “policia bëri me dije”, ose “u bë me dije”. Ç’të keqe kishte “bën të ditur”? Ishte socialiste qenja? Dhe nga mbiu “bën me dije”? Meqenëse “bën me dije” është aq në modë tani, shprehja përdoret nga disa gazetarë edhe në kuptime krejt të papritura si psh në kuptimin “dëshmon”: “Fakti se fatin e Kosovës do ta zgjidhin Bush e Putin, bën me dije për influencën e kufizuar të Evropës”. Mos ma merrni për keq zgjatjen: në këto rreshta unë thjesht po përpiqem “të bëj me dije” mbi përdorimin e “pa-dije” të kësaj shprehjeje.

Një tjetër ndryshim më ra në vesh në përdorimin e shumësit të fjalës “vit”. Shumësi “vjet” gati është harruar. Në radio e televizion dëgjon papushim “vite”. “Nënë Tereza vdiq dhjetë vite më parë”, “Kosova priti pavarësinë 17 vite”, “Para katër vitesh i kish vdekur gruaja”. Në intervista të drejtpërdrejta bërë dëgjuesve të radios, kam hasur nga drejtuesit pyetjen: “Sa vite keni?” për “sa vjeç je/jeni”. E pabesueshme! Jam e bindur që këtyre shkruesve e folësve u duket se sa më pak të tingëllojnë shqip, aq më të kulturuar paraqiten. Çështja është se shqipja bën një dallim të mrekullueshëm mes formave “vite” dhe “vjet”. Forma “vite” paraqet kryesisht kohëzgjatjen, ndërsa ajo “vjet” distancën kohore nga pika kohore e sotme në një pikë të caktuar të së shkuarës. Kështu është e drejtë të thuhet “vite vuajtjesh e brengash”, ose “krahasuar me tre vitet e mëparshme”, por duhet thënë “ka tre vjet pa ardhur” ose “vdiq para dhjetë vjetësh”. Unë digjesha të shihja fjalën “vjet” të përdorur saktë nëpër afishimet e institucioneve apo festave tiranase, ndaj kur në nëntor të 2007 lajmërohej një sesion shkencor ngaqë Biblioteka Kombëtare mbushte “85 vjet” nga krijimi i saj, m’u preh shpirti e thashë me vete “ Së paku Aurel Plasari ende flet shqip”.

3. Përdorime gramatikore “ndryshe”
Ky është aspekti më interesant në ndryshimet që po ndodhin në përdorimet e shqipes. Në periudha revolucionare gjuhët përgjigjen me forcë, por struktura e tyre gramatikore, ndryshe nga leksiku, nuk pasqyron drejtpërdrejt të tilla ndryshime. Po edhe këtu, në vitet e fundit, moda për t’i thënë gjërat ndryshe nga më parë ka fuqinë në dorë në Tiranë. Nuk e kam fjalën për përdorimet jonormative të të folurit që reflektohen në të shkruar si “juve e keni në dorë” për “ju e keni në dorë”, “ju të keqen jau bëri djali” për “juve të keqen jua bëri djali”, atyre jua transmetuan me vonesë” për “ua transmetuan”, “kujtimi i të ndjerës” për “i së ndjerës”, “brezi jonë” për “brezi ynë”, “ty do të ndjekë përgjithnjë” për “ty do të të ndjekë”, “i tha mos të shkonte” për “i tha të mos shkonte”, “këtë fakt nuk mund ta injoroi askush” për “nuk mund ta injorojë”, “Kosova do ta fitoj pavarësinë” për “do ta fitojë” etj, etj pa fund. Këto lloj problemesh gramatikore nuk të nderojnë, kur dalin në të shkruar. Në fakt në një vend të zhvilluar bëhet skartimi natyral i tyre shumë përpara se të arrijnë të botohen. Nga ana tjetër, të gjitha problemet e kësaj kategorie, janë të vjetra sa vetë gjuha dhe gjenden kudo e kontrollohen thjeshtë me edukim gjuhësor nëpër shkolla.

Janë më shqetësuese disa ndryshime të regjistrit formal të gjuhës së shkruar që nuk mund të ndodhin natyrshëm, dhe nga ana tjetër t’u kërkosh “qëllimshmërinë” do t’i bënte absurde. Parafjala “pavarësisht” dikur ishte pjesë e grupit “pavarësisht nga (dyshimet)” ose “pavarësisht prej (dyshimeve)”. Tani është shkurtuar duke e humbur pjesën e dytë, dhe e drejton emrin pas vetes në një tjetër rasë. P.sh. “ministri, pavarësisht paragjykimeve, do respektojë procedurat” ose “pavarësisht kësaj pune”. Dikur thuhej “duhet të kontaktoni klientin”, tani thuhet “kontaktoni me klientin”, “dikur “përfliten tetë kandidatura” e sot kam hasur “përfliten për tetë kandidatura”. Kështu pra folja, papritur, ndryshon natyrë dhe kërkon (sub-kategorizon për) një tjetër kategori sintaksore. Po ashtu, shqipja është një ndër gjuhët që në kushte të caktuara kërkon dy mohime (p.sh. s’thuhet “e pa kurrë”, por “s’e pa kurrë”) dhe i ka njësitë e polaritetit negativ (fjalë a shprehje që përdoren veç në fjali mohore ose pyetëse si “dot”). Por nëpër gazeta e revista sheh përdorime jo-shqip si “Akademia e bën dot një gjë të tillë”, ose “por ju do paguani asgjë”, ose “Universiteti është vetëm se një fenomen i shekullit të 20”.

Një problem tjetër gramatikor i gjuhës së shkruar janë lidhëzat. Ato mbipërdoren, fryhen e shpërdoren sikur kështu t’i jepnin një karakter më intelektual copës së shkruar. “Për shkak se” del vazhdimisht si “për shkak sepse”, “për faktin se” del si “për faktin sepse”, “për arsye se” del si “për arsye sepse”. Në të gjitha këto raste mund të thuhet thjeshtë “sepse”, ose të përdoret forma më e gjatë që përfundon me “se”. Po kështu është edhe rasti i lidhëzës “pasi” që del shpesh si “pasi që”. Si p.sh.: “Është një strategji e gabuar pasi që zhvlerëson konceptin e të drejtave themelore”; “Na i dhanë, pasi që ne ishim të parët”. Herë tjetër lidhëza e parafjalë ngatërrohen dhe krijojnë struktura të shëmtuara e të paqarta si “falë kjo pas punës së mirë që bëhet nga babai”. Ose përdoren për të mënjanuar foljet dhe krijuar ndërtime emërore të panevojshme që errësojnë kuptimin dhe thjeshtësinë e shprehjes, si “kjo me qëllim shmangien e shkeljes së kushtetutës” (mund të thuhej qartë: “Kjo synon të shmangë shkeljen e kushtetutës”) ose “kjo për arsye manipulimin e votave” (“kjo synon të manipulojë votat”). Së fundi, dua të përmend shkurt problemet në përdorimin e përemrave lidhorë sidomos “i të cilit/ i së cilës” etj. Për mungesë njohjeje të mirë të formave të shqipes së shkruar, këto forma ose fshihen pas gjetjesh të reja si “ç’” ose “çfarë”, ose përdoren gabimisht. Kështu, shprehjet “për ç’takim flet edhe ministri”, “me ç’rast ka thënë”, ose “përbëhet nga dy persona ku një prej tyre merret me mirëmbajtjen e rrjetit” – do dilnin më qartë si: “takim për të cilin”, “rast me të cilin” ose “njëri prej të cilëve”. Edhe kur këto forma njihen dhe përdoren nga shkruesit e mediave, shpesh dalin me gabime formale, sidomos forma “së cilës” e paraprirë nga nyja apo parafjalë (“e së cilës”, “prej së cilës”).
Për disa nga problemet në përdorim të përmendura në çështjen 3, mendohet se ka një ndikim nga kosovarishtja e shkruar dhe e folur në mediat kosovare (por ende nuk ka studime mbi këto ndikime). Personalisht jam krejt entuziaste për çdo afrim e rivëllazërim me kosovarët dhe gjithë shqiptarët kudo qofshin. Por ndërsa “tung” është aq e nevojshme në shqip, shumë nga format e lidhëzave apo përemrave të mësipërm, duhen ndrequr në kosovarishten e shkruar e jo të përcillen në shqipen standarde. Ky fill do na riçonte në një tjetër diskutim shumë më të madh: brezi i intelektualëve të rinj kosovarë dëshiron si ai i të vjetërve të ndjekë përgjithësisht shqipen standarde të Shqipërisë, apo ndihet më mirë me formimin e një gjuhe të shkruar më autentike? Po cilado qoftë zgjidhja që i japin kësaj çështjeje kosovarët apo shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi, shkrimi i shqipes është një problem edhe më i madh atje sesa brenda Shqipërisë, ndaj dhe kërkon me ngut punë, kërkim e diskutim. (Vijon)
*Eda Derhemi është studiuese e gjuhës dhe komunikimit në
Universitetin e Illinois-it në U-C, USA

Marre nga : Revista Mapo

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama