Menyra e Lee Strasbergut ne shqipe

 Mënyra e Lee Strasbergut në shqipe
U përkthye nga frëngjishtja në vitet tetëdhjetë nga regjisori Andon Pano, u ruajt në bibliotekën e Vangjush Furxhiut. Teatri i Metropolit jua sjell së shpejti aktorëve të rinj, teknikën e Actors Studios


Kurset me të cilat për tridhjetë vjet Lee Strasberg-u mbajti dhe ngriti Actors Studio-n, shkolla e famshme e aktrimit në Amerikë, vijnë së shpejti në shqipe pas përkthimit të Andon Panos. Dorëshkrimi ruhej në bibliotekën e aktorit Vangjush Furxhi. Teatri i Metropolit e sjell së shpejti në kolanën e botimeve për teatrin, të quajtur "Fillimi i një fluturimi".


Lee Strasberg (1901-1982) kishte një mënyrë sistematike për formimin e aktorit. Në fakt nuk bëhet fjalë për rregulla, por për një praktikë, filozofia e së cilës ishte improvizimi dhe kujtesa emocionale. Të rinjtë aktorë po edhe njerëz të dhënë pas teatrit do të gjejnë tek ky libër pasionin për psikologjinë e individit, artin e tij për t'iu përshtatur personalitetit të sejcilit dhe njohja e tij e thellë për njeriun.


Ky libër duhet të shënojë në anën tjetër një homazh për punën e një njeriu të lënë krejtësisht në harresë, Andon Pano. Me këtë rast ishte Drita Pelinku ajo që na kujtoi lidhjet me këtë dorëshkrim dhe me burimin e vërtetë të shkollës së aktrimit në Tiranën e viteve '50-'60. "Andoni u largua nga teatri shumë shpejt. U mbyll në shtëpi.


Aty punonte", tregon Pelinku. "E ndesha që ditën e parë që do të hyja në Shkollën Dramatike, në dhjetor të 44-ës, në Kinema Kosova. Bashkë me Sokrat Mion dhe Tefta Tashkon ai ishte në komisionin që zgjodhi të rinjtë e shkollës së parë të teatrit në Shqipëri. Andoni provoi fantazinë time dhe... fitova."


Pelinkun e shohim në këtë foto të viteve gjashtëdhjetë, të dy me Naim Frashërin nën instruksionet e Panos, për vënien në skenë të "Besa" e Sami Frashërit e cila u shfaq vetëm një herë.


Studioja e tij e vërtetë ishte shtëpia të cilën Pelinku e quan "një bibliotekë e hapur... Me sa duket, e vetmja kënaqësi që i kishte mbetur në jetë ishte leximi." Ajo rendte tek Pano, sepse kërkonte prej tij mendim për çdo shfaqje.


Andon Pano (1921-1993) vinte nga studimet në Bashkimin Sovjetik. Do të ishte në radhën e regjisorëve Sokrat Mio, Pandi Stillu, Andrea Malo, Xhemal Broja, Zina Andri (bashkëshortja e tij për disa vjet). Njëlloj si të tjerë të rinj që studiuan në Moskë ai solli me vete metodën e aktrimit të Konstandin Stanislavskit, i cili që prej vitit 1926 i kishte shpallur parimet e kësaj loje, fillimisht, në librin "Përgatitjet e një aktori".


Shkolla e artit dramatik në Shqipëri do të kishte për bazë sistemin e Stanislavskit, së paku deri atëherë kur vazhduan të japin mësim edhe nxënësit të atyre që ishin formuar në Rusi.


Nga ana tjetër, regjisorë të huaj që punuan pas luftës në Shqipëri, më të famshmin ndër ta që e kujtojnë me emër shkurt "Kriçko", aplikuan, madje mbajtën kurse me aktorë të rinj për të mësuar rregullat e këtij sistemi aktrimi.


Pelinku kujton se nga teoria e të jetuarit të rolit që i takonte periudhës së parë të sistemit të Stanislavskit, erdhi një periudhë tjetër, e teorisë së veprimit dhe psikik të personazhit.


"Teoria e veprimit që të bën realist, konkret, organik, të bën të gërmosh çfarë fshihet pas fjalës, sepse fjala vetë nuk thotë asgjë: ja kjo më ka udhëhequr mua. Veç metodës aktori ka përvojën e vetë personale dhe individualitetin e tij."


Përvojat e skenës Pelinku i ka ndarë për një kohë të gjatë me Panon, edhe pse ai u tërhoq shumë shpejt nga teatri.


Ai ishte burim informacioni dhe literature për aktoren edhe gjatë kohës kur ajo nisi të japë mësime të artit dramatik në Institutin e Lartë të Arteve. Pano e ka informuar për medotën e Strasbergut, një vepër e plotë të cilën ai e pati përkthyer nga frëngjishtja.


Metoda amerikane e aktrimit në fakt kishte nisur në Rusi, siç u tha më lart, me Konstantin Stanislavskin dhe Moscow Art Theater, i themeluar më 1898. Ai dhe kompania e tij sollën një kuptim të ri "jetës në skenë". Vepra e Stanislavskit "Përgatitjet e një aktori" u prit si një zbulim nga bota e teatrit në Amerikë kur doli në qarkullim atje më 1936.


Kur Teatri i Moskës vizitoi Amerikën, dy nga anëtarët e tij, Maria Ouspenskaya dhe Richard Boleslavski vendosën të rrinë në Amerikë dhe nisëm të japin mësim në Laboratorin Amerikan të Teatrit. Pikërisht këtu ndodhet Lee Strasberg-u i joshur nga "Sistemi" i Stanislavskit ashtu siç do t'ia mësonte Boleslavski.


Pak më vonë, Strasberg-u, bashkë me Harold Clurman dhe Cheryl Crawford themelon Group Theatre (1931-1941). Asaj iu bashkuan Robert Leëis dhe Elia Kazan (më 1932 u bë aktori kryesor). Pas shpërbërjes, më 1941, gjashtë vjet më pas u themelua Actors Studio, nën drejtimin e Lewis-it dhe Kazanit. Strasberg-u, nuk vonoi shumë, dhe u bë i vetmi mësues atje.


Ai u bë drejtor artistik prej vitit 1951 deri në vdekje, 1982 dhe aty u aplikua e quajtura "metodë amerikane e aktrimit". Nxënës të Strasbergut ishin Marlon Brando, Robert De Niro, Al Paçino, Xhejn Fonda, Merilin Monro, Pol Njuman dhe Dastin Hofman.


Ndër të parët që studiuan me Strasbergun pohonin se Studioja i ndihmonte aktorët që të ndesheshin me armikun që kanë brenda.


Ky vend i quajtur modestisht "studio" ishte si një dhomë private. Strasberg shkruan: "Në studio në nuk ulemi vërdallë dhe nuk ushqejmë egon e njëri-tjetrit. Njerëzit habiten sa të rreptë jemi me njëri-tjetrin..."


Puna e tij në Studion e Aktorëve vjen në shqipe, e riparë dhe e redaktuar nga Alert Çeloaliaj, pedagog në Fakultetin e Artit Dramatik.


Kiço Londo, drejtor i Teatrit të Metropolit, iniciator i projektit "Fillimi i një fluturimi" tha se vepra është pothuaj gati.


Ajo do të vijë pas daljes në qarkullim të "Hapësira boshe" e Peter Brook-ut, përkthyer nga Sesilia Plasari dhe vepra kryesore e Jerzy Grotowski-it për Teatrin e varfër, përkthyer nga Mehmet Xhelili.


Londo kujton se kishte dëgjuar për tekstin e Strasbergut të përkhyer nga një burrë i mençur, i quajtur Andon Pano, në vitet 81-83, kohë kur ndodhej me studime në degën e Artit Dramatik.


"Askush nuk mund të thotë se nuk ka qarkulluar në gjuhët e botës literatura për teatrin. Kemi dëgjuar nga Zhejët, nga Kudret Velça dhe të tjerë njerëz me kulturë. Askush nuk mund të thotë se nuk kanë ekzistuar vepra të mira për teorinë e teatrit në atë kohë kur shumëçka ndalohej." Por ajo që e shqetëson London është e sotmja, sepse tani ka vdekur dëshira për të pasur vepra të mendimit.

Elsa Demo
Nga : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama