Është ndarë dje nga jeta, në moshën 75-vjeçare, studiuesi shkodran Mentor Quku. Prej kohësh po përballej me një sëmundje të rëndë e të pashërueshme, duke mos reshtur së shkruari për poetin Ndre Mjeda. Prej 40 vitesh punë intensive studimore, Quku ja kushtoi Dom Ndre Mjedës, duke u shndërruar në simbol të quajtur studiuesi i mjedologjisë.
Ka lindur në Bilisht të Korçës më 20 janar 1939. Fëmijërinë dhe rininë e kaloi në qytetin e Shkodrës. Shfaqi një talent të veçantë në pikturë. Mori mësime nga ikonografia e njohur Viktori Puzanova, si dhe nga piktorët e shquar Simon Rrota dhe Vladimir Jani.
Lufta e klasave ia ndërpreu të drejtën për të vazhduar në këtë fushë. Në qershor 1954 kreu shkëlqyeshëm shkollën pedagogjike Shejnaze Juka në Shkodër, në vitin 1957 Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë, ndërsa në vitin 1963 Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Aktualisht jeton me bashkëshorten, Ixhlal Qukun, në Shkodër, me të cilën ka tre vajza, Valbonën, Orjetën dhe Evisin.
Në vitet 1954-1957, ka shërbyer arsimtar në shkollat e Shtiqënit, Brutit dhe Kukësit. Ndërsa në vitet 1957-1961 ka shërbyer në shkollën e mesme Hydajet Lezha, Lezhë. Për dy vite shkollore, 1961-1963, ka qenë mësues në shkollën e mesme Xheladin Fishta, Shkodër. Më 1963-1965 ka kryer shërbimin ushtarak në Laç të Milotit. Pastaj, në vitet 1965-1991, ka qenë mësues në shkollën e Barbullushit.
Më 1991-1992 drejtor në shkollën e Bahçallekut. Më 1992-2000 ka qenë drejtor i Muzeut Historik Shkodër. Sot është në pension. Është drejtor i revistës Kumtari, nr. 5,6,7, si dhe i gjashtë vëllimeve të Seminari Ndërkombëtar, Shkodra në shekuj, I, II/1, II/2, III/1, III/2, III/3. Ka drejtuar projektet dhe ka organizuar katër seminare ndërkombëtare Shkodra në shekuj (1, 2, 3, 4).
Është autor i shumë studimeve e botimeve, si në metodikë të dhënies së mësimit, pedagogji familjare, pedagogji shkollore, pedagogji sportive, tekstologji, psikologji e arteve figurative, psikologji sportive, psikologji e moshave. Gjithashtu në histori, histori arti, letërsi biografike, letërsi politike, letërsi për fëmijë, histori e letërsisë për fëmijë, mitologji, folklor, frazeologji, toponomastikë.
Ka botuar në Studime filologjike, Studime historike, Studime pedagogjike, Kultura popullore, Buletin shkencor i Universitetit Luigj Gurakuqi Shkodër, Kumtari i Muzeut Historik Shkodër, Seminari Shkencor Ndërkombëtar Shkodra në shekuj, Nëntori, Les Lettres Albanaises, Shqipëria e Re, Ylli, Hylli i Dritës, Gjuha e Jonë, Albanica Ekskluzive, Lemba, Flaka, Illyria, Dielli, Koha Javore.
Tema qendrore e studimeve të tij mbetet ajo e Ndre Mjedës, për të cilin ka organizuar kërkime në Shqipëri, Kosovë e në shumë vende jashtë shtetit. Në vitin 2004 botoi vëllimin e parë Rinia. Me këtë rast fondi Dr. Peters Mahringer-Fonds i bëri një vlerësim maksimal, duke i siguruar mundësitë për ekspedita kërkimore shkencore në arkivat, bibliotekat dhe muzeumet e Vjenës.
Më 2005-2006 punoi në Österreiche Haus-Hof-und Staatsarchiv, Österreische NationalBibliothek, Archiv der Universität Wien, Bibliothek des Ost-und Südost Europa Instituts, Muzeun Nacional të Vjenës, Meyerling Museum, Bibliotekën e Universitetit të Gracit. Bashkëpunoi me personalitete të shquara të kulturës dhe shkencës si Arshi Pipa, Bernard Stillfried, Ilona Slavinskin, Ivan Boserup, etj. Punoi në Arkivin e Propaganda Fides, Arkivin e Jezuitëve Romë, Arkivin Historik të Provincës Venet.-Met. Gallarate; Bëri kërkime në Arkivin e Bibliotekës së Hamburgut, Chataue Aleux Laval, Bibliotekën Naukoëa Ksi??y Jezuit?ë, Krakoë; në The Royal Library, Manuscripts and Rare Books-Copenhagen; në Manastirin e Ara Christi, El Puig, Valencia, Kuvendin San Spirito, Porta Coeli. Është laurat i çmimit letrar “Serembe”(2008).