Ne kerkim te “Doreshkrimeve te Purpurta”

 Në kërkim të “Dorëshkrimeve të Purpurta”
Breza e breza të tërë shqiptarësh kanë humbur në kujtesën e shekujve dhe mulliri i kohës i ka bluar në mekanizmat e pamëshirshëm të saj. Por, në dy Codex Beratinus, dorëshkrimet e vyera dhe të papërsëritshme, që ka ruajtur mjedisi shqiptar, ku është plazmuar kujtesa e madhe fetare e popujve, duket sikur përcillet edhe vetë fryma e këtyre njerëzve, që kanë jetuar dhe i kanë ruajtur ato.

Në kohën tonë, me një mundim të madh dhe nga ato që i kanë shpëtuar rrebesheve të kohës, mund të gjesh aty-këtu dëshmi, thirrje dhe pak elementë të qenësisë së banorëve të këtij vendi kaq të çuditshëm. Në pak prej tyre, që kanë qenë në Shqipëri, edhe pika të vërteta takimi dhe dhënie-marrje me kulturën e madhe të përbotshme. Në këtë vazhdë, para publikut shqiptar vjen një përpjekje e re e pjekur e publicistit Luan Rama, që prej kohësh është në ndjekje të kësaj kulture kaq të admirueshme. Për hir të së vërtetës, ai, edhe vetë ka qenë protagonist në një proces të vyer, si ai që lidhet me Kodikët, bashkë me një ekip të tërë studiuesish të nderuar shqiptarë që janë drejtuar nga Prof. Sh. Sinani dhe ku përmblidhet puna e personaliteteve të tilla Th. Popa, A. Buda, K. Naço, K. Naska, N. Nika si edhe autoritete të huaja shkencore.

Ky kërkim i tij nuk ka reshtur dhe nga ana burokratike, kur vetë Z. Rama me tagrin e diplomatit shqiptar në Paris mundësoi me të gjithë lehtësirat e mundshme vlerësimin e dy Kodikëve të famshëm të Beratit nga UNESCO.

Gjetja në këtë libër eseistik e autorit është vërtetë e veçantë: Në kërkim të dorëshkrimeve të purpurta. Edhe pse, libri i botuar së fundi nga Globus R.”Dorëshkrimet e purpurta”, që ka në dorë publiku shqiptar, nuk është thjesht një Ese e mirëfilltë, si ka dëshiruar ta emërtojë autori, ajo përbën një histori të këndshme dhe një përmbledhje krejt të pastër të disa prej historive më pikante të dorëshkrimeve të vjetra. Me një stil të thukët, Autori ruan modernitetin e punës së tij në frymën e ndërthurjes së këndshme të logjikës së shkrimit të kohës kur janë shkruar dhe shkrimit të sotëm. Me pak fjalë lexohet me një frymë...

Intermexo-Përmbajtja e librit
Lënda e këtij libri eseistik përmbledh disa kaptina. Ato fillojnë me “Purpureus”. Pastaj vazhdojnë me “Skribët e letrave të purpurt”, Dorëshkrimet e Detit të Vdekur, “Testimonium Flavianum”, Shën Pali, “ungjillori” i Ilirisë, Ungjilli i mëkatares Maria Magdalena, Ungjilli i Judës, Vulgata e Jeronimit dhe Bibla foli shqip, Shën Agustini, rrëfimtari i “Qytetit të Zotit”, Dorëshkrimet e ndritura, Kodikë të rrallë të Mijëvjeçarit të parë...

Në kërkim të “Purpereus”
Ashtu si me një frymë, do të udhëtonte gati 120 vjet më parë dhe studiuesi i njohur frëng, në kërkim të Kodikëve të jashtëzakonshëm beratas. Udhëtimi i tij për të mbërritur në Shqipëri zgjati gati dy muaj dhe kjo do ishte udha e mbrame e Pierre Batiffol, rektorit të Universitetit katolik të Toulon-it dhe peshkop i Toulouse, që kishte rënë në erë të shkrimit të peshkopit të Beratit Anthim Alexoudis, priftit që banorët e quanin “miku i arteve”. Ky i fundit në një vëllim të botuar në Korfuz do të shkruante një kapitull me titull: Librat e shenjtë dhe tepër të vjetër që përmbledhin tekstet e ungjillorëve të shenjtë Mateu dhe Mark, pronë e kishës së Shën Gjergjit. Libri do e kalonte shpejt dhe shumë gjeografikisht rëndësinë e tij.

“Germat janë shkruar në një parchemin në ngjyrë qershize të errët, me germa të mëdha në ngjyra ari dhe argjendi, në formë rrumbullake. Duket se vetëm Monsinjor Duchesne ishte i vetmi erudit që kishte lexuar tekstin e Alexoudi-it, kur ai po shkruante rreth Codex Rossanenssis. Zoti Gregory, një shkencëtar gjerman e kishte shënuar këtë të dhënë në vitin 1884, në Bulletin Critique, duke shtuar se ‘nëse këto dorëshkrime ekzistojnë, do të ishte një illo tempore prorsus inaccessus’”.

Në fakt udhën për ta parë ‘Live’ do e merrte vetë Duchesne, një erudit i pashembullt të kohës, por në fund nuk mundet, ndërsa falë Ministrisë franceze të Arsimit më 1885, detyra i besohet pikërisht atij Pierre Batiffol....Pas 15 orës udhëtim nga Vlora në Berat me kalë, ai mbërrin në një vend që edhe pse i mungojnë përshkrimet detajike, të kënaq me shkrimin e tij. Çudia e tij e parë është se përballet me hebrej të shumtë, “që mbajnë fesin e zi në kokë”. Këto përshkrime dhe varfërinë i kalon shpejt sepse përpjekja e tij konsiston diku tjetër. Ai çmeritet, kur shikon se në vendin ku pret të shikojë librat e rrallë të shenjtë, gjen shumë kodikë të mbajtur keq, kurse ata të shenjtët, për të cilin është mundësuar rruga e tij, kanë ende nevojë për negociata, që t’ia përshfaqin.
Ata nxirren vetëm një herë në vit në një meshë gati kanonike, që mbahet më 27 janar, në ditën e përnderimit të Shenjtit Gjon Gojëarti (Joan Chrysostomos). Historia për Batiffol-in është e jashtëzakonshme pastaj dhe e përshkruar me nota të mrekullueshme nga autori. I tregojnë sesi janë ruajtur dhe kur ai merr në dorë pas shumë përpjekjeve Codex Beratinus të shekullit të VI, duhet të jetë mahnitur, shprehet Rama. Faqet e para e zhgënjejnë, fletët e grisura janë të vendosura keq, germat krejt të oksiduara dhe kurmi i purpurt i librit është i zbehur keqazi derisa...vjen faqja 7, ku ai do shkruajë me patos:”Libri paraqitet në një gjendje të shkëlqyer...” Batiffol mrekullohet kur në një nga anët e kapakut, të njërit prej kodikëve, lexon:”Shikojini shkronjat e këtij ungjilli të shkruar nga vetë dora e Gjon Gojartit, kur ai ishte në Antioche, në atdheun e tij”.....Ai e përshkruan kodikun e vjetër beratas se “ishte ndër më të bukurit e stilit “unical” të lashtë dhe i ngjashëm me ‘Dioscoride-s e Vjenës, Codex Patmiensis apo Palimpsestin e Shën Petërburgut”. Për fat, kodikët më të vyer të Beratit jetuan, ndërsa për të tjerat s’dihet më asgjë. Luftërat, tërmetet, djegiet apo vendet e paeksploruara ende nëpër kishat apo ndoshta ndonjë fat i madh shtegtimet...mund të jenë destinacioni i tyre...Të gjitha këto janë fare pak për të treguar atë udhëtim, të mrekullueshëm, që ka marrë autori, dhe që e çon lexuesin drejt “Skribëve të letrave të purpurt”, “Dorëshkrimet e Detit të Vdekur, “Testimonium Flavianum”, Shën Palit, “Ungjillorit” të Ilirisë, Ungjillit të mëkatares Maria Magdalena, Ungjillit të Judës etj...
...
“’Kodikët e purpurt’ të Beratit, që vetëm pak kohë më parë u përfshinë si “Pasuri e Trashëgimisë Botërore dhe hynë në “Kujtesën e Botës” duket se kanë qenë grishja e publicistit të njohur Luan Rama, autori i mirënnjohur, për të përshkruar një shteg, që tashmë është ndjekur nga personalitete të mendimit. Si u bënë dorëshkrimet e vjetra, si ishte teknologjia e përgatitjes së tyre, ku mund t’i hasim murgjit, rabinët dhe si morën jetë dorëshkrimet...Njësoj si elementet e mbetur arkitektonikë ato janë nga dëshmitë e pakta, që neve na kanë mbetur nga shekuj të tërë sakrificash njerëzore për të përsosur vlerat e njerëzimit. Bash një botë e tërë, ku njerëzit kanë derdhur njohuritë e grumbulluara, eksperiencat e hidhura dhe ato të suksesshme, traktatet e tyre shkencore...Luan Rama, këtë herë e ka bërë ekskursionin e tij përmes Beratinus 1 dhe Beratinus 2. Ato përbëjnë një vlerë të jashtëzakonshme për historinë e Krishtërimit, sepse të paktën, me atë që dihet deri më tani, Beratinus 1 është një nga kodikët më të vjetër të vyer të botës, shkruar në gjuhën greke dhe për nga vlerat historike vjen fill pas kodikut të shkruar në Mesopotami në manastirin e Shën Joanit në gjuhën siriane, në një format 33.6 x 26.7 cm.
“Luan Rama me këtë libër rrethon si argument një prej sekreteve më të sekretuara të shkrimeve të këtyre periudhave: të purpurtën. E prodhuar vetëm me ngjyrues natyrorë, kërmij deti të tretur në vaj ulliri (pjesa tjetër e sekretit mbetet po aq e fshehtë edhe në kohët moderne, kur teknologjia ka arritur që të deshifrojë edhe formulat më të ndërlikuara të përbërësve kimikë të botës së gjallë dhe të vdekur), e purpurta shfaqet e ruajtur me të njëjtën madhështi dhe shkëlqim edhe pas afro dymijë-vjeçarëve në dorëshkrimet kishtare...I nisur prej së përgjithshmes, së purpurtës, duket se autori ka si qëllim kryesor të arrijë tek ajo që e bën botën iliro-shqiptaro- të hyjë në histori. Përshkruan dy kodikët e Beratit dhe rrugën si ato u shënjuan në “Kujtesën e Botës”; zbulon udhëtimin e P. Batiffol në Mitropolinë e Beratit dhe ndërlikimet që pritën derisa iu dhanë-në çastin e fundmë dhe për fare pak kohë-ungjijtë më të vjetër, midis të cilëve edhe një shekullit të katërt, i hershëm sa “Codex Vatocana B”, që sot fatkeqësisht nuk ruhet më, pahëson si shqetësim shkencor mungesën e të dhënave për ekzistencën e një “manastiri të Theologut”në Berat ku thuhet se janë ruajtur në krye të herës “dy ungjijtë e shenjtë”; u rikthehet diskutimeve për mundësinë që njëri prej “katërë dottorëve” të kishës së shenjtë Shën Gjon Gojartit të ketë qenë kaligrafi origjinale e njërit prej ungjijve më të vjetër të Shqipërisë; rendit argumente se udhëtimi i Shën Palit ndoqi Via Egnatia dhe e përshkoi jo e preku Illyricim”...”, shpjegon Prof. Shaban Sinani, njëkohësisht dhe autor i parathënies së librit të tij...

Për publikun është një dobi e madhe dhe respekt që merr të disiplinuara njohuri dhe të sendërtuara gjëra që vlejnë për kulturën e madhe botërore. Kurse për autorin një ngjitje më lart e stekës së tij në fushën e kësaj publicistike. Që me sa duket nuk do reshtë këtu..

Shkruan : Ben Andoni
Nga : Revista Mapo

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama