Sa herë ndërrohen vitet ka njerëz që edhe pse forma e përdorur nëpërmjet kartolinës mbetet klasike, urojnë ndryshe. Edhe këtij fundviti ne gjurmuam disa syresh që janë kujdesur të urojnë shqip përtej gjuhës së klisheve, pa e lënë veten që fjalët e tyre për tjetrin t'u koten në fraza të fryra që nuk kanë ndonjë efekt. Kartolinat e tyre herë të mbyllura në postën elektronike, e herë në zarfe të zakonshëm letre, të kthejnë vetiu tek një kuptim mirëdashësh i "urimit nga zemra".
Fjalori i shqipes e shpjegon kështu: "Kartolinë - fletë letre e trashë, në trajtë katërkëndëshe, zakonisht me përmasat 9x15 centimetra, që ka nga njëra anë fotografi a vizatime dhe që mund t'i dërgohet dikujt si letër pa zarf, fotografi me këto përmasa".
U ndje një prirje për thjeshtësi dhe origjinalitet, duke e braktisur bredhin e ngarkuar me zbukurime llamburitëse dhe refrenin: "Gëzuar, qoftë ky një vit i mbarë për ju dhe familjen..."
Institucionet, por edhe njerëz publikë nga gjithfarë fushash kanë uruar mbarësi në të tjera mënyrash, të fshehura mes simboleve që dëftojnë paqen, fitoren, suksesin, gëzimin e të tjera, për më shumë dije, qytetari, apo një jetesë e bukur dhe e qetë në vendin ku jetojmë. Dhe nëse do t'i merrnim hua urimit të Artan Lames një përcaktim, do thoshim se tipari i përbashkët i gjithë këtyre kartolinave është "nishani shqiptar".
Ja, vetë publicisti Lame, i udhëhequr nga pasioni i koleksionistit, për kartolinën e dërguar në fund të 2009-tës, ka zgjedhur katër simbole Kombëtare që na vijnë nga vitet e para të shtetit shqiptar: Urdhri i Shqiponjës së Zezë, (1914), Urdhri i Skënderbeut (1926), "Urdhri i Trimërisë" (1928) dhe Urdhri i Skënderbeut (1940) të cilat i ka kompozuar në rend në një sfond të bardhë.
Bri tyre si në një strofë poezie, janë rreshtuar fjalitë: "Të dashur miq. Për një vit rresht, e kam tepruar duke ju treguar gjërat që nuk shkojnë/ që janë të shëmtuara, që janë qesharake në vendin e Shqiponjave.
Megjithatë, në këtë Vend secili prej nesh ja del të gjejë edhe gjëra të bukura, të cilat na bëjnë të rrijmë këtu dhe të mos ikim nga sytë këmbët. Në vend të bredhit, po ju sjell nga koleksioni im këto katër nishane shqiptare.
Janë të mrekullueshme këto copëza të historisë sonë dhe është pikërisht bukuria e tyre, që bën që ato të jenë ende mes nesh edhe pas kaq shumë kohe që kur ato janë krijuar. Gëzuar, 2010 të gjithëve!".
Një tjetër urim vjen nga drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi, që ka shkëputur nga Arkivi i Kulturës Materiale një "Fragment çarçafi Prizren (fundi i shek XIX)".
Një ndjesi e këndshme te vjen tek sheh qëndismën me ngjyrat e gjalla të së kuqes, së verdhës, bojëqiellit, që mbushin figurat e zogjve, petaleve të luleve, frutave rreth e qark.
E dy zogjtë në mes të cohës, duket sikur janë aty për të të uruar vetëm ty mu në mes të dimrit.
Mbi kokat e tyre mbishkruhet thjeshtë: "Me urimet më të mira për Krishlindjet dhe Vitin e Ri 2010". Me siguri e ka gërmuar këtë figurinë të krijuar nga një dorë gruaje kosovare mes dhjetëra të tjerave që ruhen në Fondet e Etnografisë.
Në kartolinën e dërguar nga përkthyesi gjerman i letërsisë shqipe Joachim Röhm shihet fotografia e një librarie të thjeshtë - të tilla janë në Tiranë libaritë që ndonjëherë duken si vende ku përpunohet në ilegalitet ndonjë mall që konkurron mallrat legalë - përveç librave, ofrohen edhe shërbimet e tjera "Kancelari", "Libërlidhje", "Fotokopje".
E veçanta e këtij kompozimi qëndron tek fjala "librar" e theksuar me të zeza, emri i saj "Pessoa" dhe portreti që e shoqëron, ai i poetit portugez Fernando Pessoa. Duket që dërguesi ka për qëllim të na urojë për më shumë dije.
Kush e njeh përkthyesin skrupuloz Joachim Röhm, që ikën e vjen prej tridhjetë vjetësh në Shqipëri e kupton pse e ka vrarë mendjen t'u dërgojë të njohurve të tij të këtushëm dhe në botë, një nishan intelektual nga ky vend.
Ja çfarë thonë vargjet e shkurtra që ka zgjedhur, me firmë të Alberto Caeiros: "Matanë kthesës së rrugës/ Është ndoshta një pus/ ndoshta një kështjellë/ Dhe ndoshta vetëm vazhdimi i rrugës".
ndoshta, që këtu zënë fill "Urimet më të mira për Vitin 2010".
Artisti Maks Velo edhe këtë herë ka zgjedhur një prej punëve të krijimtarisë së tij për të uruar. Një të hershme, ku bien në sy motivet popullore në veshjet shqiptare.
Dy palë luftëtarësh, nga njëra anë jeniçerët, e në krahun tjetër, ndoshta një ushtri, për të cilën jemi të shtyrë të mendojmë se janë të krishterët, të vendosur në pozicione lufte, përballë njëri - tjetrit, vetiu të sjellin në mendje shpjegimin e kartolinës së zjarrit në fjalorin e shqipes: "Kartolina e zjarrit (usht.) plani dhe skica e luftimit, që përmban të dhëna për pozicionet e zjarrit, vendosjen e armëve të zjarrit, zonat që mund të mbeten të vdekura nga zjarri".
Ndoshta Velo nuk ka fare parasysh "kartolinën e zjarrit", por ne kemi parasysh opinionet e tij në media për çështje të ballafaqimit të fesë, sidomos asaj myslimane, me qytetërimet moderne
Kartolina e dërguar nga i zgjedhuri i Njësisë Bashkiake nr.10, Blend Fuga, përcjell nostalgji ndaj së shkuarës së qytetit, një qoshkë të të cilit ai e drejton politikisht.
Përveç urimit "Gëzuar Festat! Shëndet, Lumturi dhe Begati për Ju dhe të Afërmit Tuaj", shihet bredhi dhe lodrat poshtë tij, kambanat e vogla të Krishtlindjeve dhe këpucët simbolike të babagjyshit. Pas saj, një fotografi e hershme e Tiranës, që të shtyn të mendosh se çfarë ka ndryshuar në qytetin sot.
Edhe këtë herë, politika nuk hoqi dorë nga misioni i vet!
Mes grumbullimit të shumtë të kartolinave, zgjodhëm edhe atë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, "Poeteka", ku radhiten 6 trofe të ndryshëm që kanë marrë fituesit shqiptarë e të huaj të katër viteve të fundit. Është aty për të uruar suksesin me një nishan shqiptar, një aktivitet ndërkombëtar që mbahet çdo vit në qytetin e lashtë të Durrësit.
Për të uruar Vitin e Ri, shumëkush ndoqi të njëjtën rrugë si përherë, një mesazh në telefon, urimin e drejtpërdrejtë, apo postën elektronike, ka ende vazhdues të traditës. Një kartolinë, që vjen pa menduar në fund të ditës, pret diku që ti ta lexosh, pulson papritur në postën tënde elektronike, e bashkë me të urimi i thjeshtë, mirëpritet çdo herë.
Gazeta Shekulli