Gjashtëmbëdhjetë këngë do të konkurrojnë për çmimin e parë të edicionit të 52-të të Festivalit të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar. Pasi janë dëgjuar të gjitha këngët e paraqitura, mbi 40 të tilla, pranë redaksisë së festivalit, juria profesioniste e udhëhequr nga Departamenti Muzikor ka përzgjedhur vetëm 16, të cilat do të interpretohen live në skenën e Pallatit të Kongreseve përgjatë tri netëve. Kjo ka qenë formula e festivalit të këtij viti, e aprovuar nga Bordi Drejtues i RTSH-së, i cili gjithashtu ka vendosur që ky edicion të zhvillohet në datat 26, 27 dhe 28 dhjetor.
Këtë vit drejtor i Festivalit do të jetë Alfons Zeneli, njëherësh edhe drejtor i Radio Tirana. Drejtorët Artistikë të festivalit do të jenë Edmond Zhulali dhe Shpëtim Saraçi, i cili të shtunën kthehet në Shqipëri, i gatshëm të fillojë punën. Ndërsa producent muzikor do të jetë kompozitori Alfred Kaçinari. Regjia e festivalit të këtij viti i është besuar Petri Bozos, skenari Alda Bidës, ndërsa skenografia mjeshtrit Adnan Kastrati. Formula e këtij viti parashikon që natën e parë të festivalit të prezantohen tetë këngë konkurrente dhe tetë të tjerat natën e dytë. Përgjatë dy netëve të para në skenën e Festivalit të Këngës do të jenë të pranishëm edhe artistë të njohur, të cilët do të këndojnë duete me konkurrentët e këtij viti, këngë të njohura të kënduara përgjatë viteve në skenën e festivalit të RTSH-së çka do të shtojë edhe më shumë nivelin e performancës së këtij eventi.
Gjatë dy netëve të para nuk do të ketë seleksionim dhe në natën e tretë të 16 këngët konkuruese do të ngjiten në skenë duke i dhënë kështu mundësi publikut të njohë më mirë këngët dhe konkurrentët e këtij viti. Siç është bërë traditë e këtyre tre viteve të fundit secila prej këngëve konkurruese është e zbërthyer në partitura dhe interpretimi do të realizohet live, në shoqërinë e Orkestrës së RTSH-së. Në datat 26, 27 dhe 28 dhjetor, në sallën e Pallatit të Kongreseve, këngëtarët, kompozitorët dhe tekstshkruesit do të prezantojnë për publikun 16 këngë në konkurrim si vlerë e shtuar në fondin e artë të muzikës së lehtë. Përtej kësaj, sfida e secilit syresh është trofeu i madh që në të njëjtën kohë përkthehet edhe në biletën e artë për në “Eurosong”. Për të 11-ën herë, kënga fituese do të përfaqësoje Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës që do të mbahet në Kopenhagen, në datat 6, 8 dhe 10 maj 2014.