Rruga e re shprese per Apolonine

 Rruga e re, shprese per Apolonine

Në Parkun Arkeologjik të Apolonisë janë bërë disa ndryshime. Ekipi për mirëmbajtjen dhe sigurinë e kësaj pasurie monumentale, duke përfshirë dhe muzeun, ku ruhen rreth 800 objekte, është dhjetë persona. Drejtori i Zyrës për Administrimin dhe Koordinimin e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Marin Haxhimihali në një intervistë për gazetën “Shekulli” tregon se nevojat e Parkut të Apolonisë vazhdojnë të mbeten po ato.Ndërsa numri i vizitorëve në Parkun e Apolonisë ka shkuar rreth 17 mijë. Në total, për një Apoloni me 750 ha do të punojnë 10 vetë, kurse gjatë sezonit turistik ky numër personeli mendohet të shtohet.

Zoti Haxhimihali, qarku i Fierit është ndër më të pasurit me monumente të trashëgimisë kulturore, sipas jush si ndikon reforma e trashëgimisë në këtë zonë?

Aktualisht, sektori i Trashëgimisë Kulturore do t’i nënshtrohet një procesi ristrukturimi, proces që sipas këndvështrimit tim ka gjëra shumë pozitive. Do të bëhet riformatimi në funksion të terrenit, kjo ka qenë edhe një nga pengesat tona në të kaluarën, që vendimet për trashëgiminë të mos bëheshin me telefon. Ky është një sektor që sfidat i ka në terren, prandaj specialistët duhet të jenë atje. Jemi ende në hapat e parë, por po të marrim në analizë rastin e qarkut të Fierit, të cilin unë e njoh mirë, sepse kam shtatë vjet që punoj atje, mendoj se ky rikonstrukturim do të jetë i favorshëm.

Qarku i Fierit është ndër më të pasurit me monumente të trashëgimisë kulturore, sepse kemi dy parqe të mëdha, Apoloninë dhe Bylisin, por janë edhe shumë qendra të tjera si Ardenica, Klosi etj. Deri dje, të gjitha kishat bizantine në Myzeqe mbuloheshin teorikisht nga Instituti i Monumenteve të Kulturës apo nga Drejtoria Rajonale në Tiranë. Praktikisht në terren mbulimi ishte thuajse inekzistent, kjo ndodhte për arsye nga më të ndryshmet, qoftë mungesa e fondeve, e stafit etj. Tani, Drejtoria Rajonale në Durrës, ka degët e saj edhe në Elbasan, Tiranë e Fier, prandaj mendoj që do ketë një prezencë më të madhe në terren.

Bashkimi i Parkut të Apolonisë me atë të Bylisit, çfarë ndryshon?

Fakti i bashkimit të Parkut të Apolonisë me atë të Bylisit është quajtur pozitiv, sepse ka jo vetëm ekonomizim dhe kursim të burimeve financiare, por njëkohësisht, kjo e bën më të lehtë punën e koordinimit. Një administratë e kualifikuar e ka më të thjeshtë që të ndjekë problematikat e ndryshme.

Sa ishin vizitorët e vitit të kaluar?

Vitin e kaluar kanë qenë rreth 17 mijë vizitorë, pati një frenim të lehtë, që ndoshta lidhej dhe me klimën zgjedhore, por që u rikuperua gjatë gjashtë mujorit të dytë.

Cilat janë risitë e kësaj reforme në Apoloni? Personeli a është shtuar?

Më konkretisht në Apoloni ka disa risi. Është shtuar numri i punëtorëve në terren, sepse kur kemi filluar ne, ka qenë vetëm një 1 person i vetëm për pastrimin, por që mbulonte edhe gjëra të  tjera, më pas shkoi në 6 persona. Ndërsa tani, numri i punëtorëve që punojnë është 10. Dje gjatë mbledhjes u tha se gjatë sezonit turistik do të punësojmë punëtorë shtesë me kontratë, qoftë ciceronë, qoftë punëtorë për mirëmbajtje etj. Këta persona janë të domosdoshëm në një park me përmasat Apolonisë.

Në terren keni filluar punë?

 Edhe në terren puna ka filluar. Aty ku dikur pretendohej se kishte ferra dhe shkurre, ndoshta me të drejtë, sot duket një vend arkeologjik, sepse kanë dalë në pah rrënojat e vjetra të gërmuara dikur nga ekspedita e Leon Rey-t, që për shkak të mosmirëmbajtjes nga personeli i kufizuar, nuk dukeshin. Një tjetër sfidë që ka Apolonia është kalimi i autostradës pranë Parkut. Me ndërtimin e “By Pass-it” të Fierit është parashikuar që duke udhëtuar nga autostrada, mjafton të devijosh 3 km dhe gjendesh në zemrën e Parkut.

Është një taktikë shumë e rëndësishme, sepse shembujt evropianë tregojnë se të gjitha ato qendra të trashëgimisë kulturore  që kanë pasur infrastrukturë të mirë, kanë përfituar përherë. Prandaj nëse e llogarisim numri i turistëve do të dhjetëfishohet, nuk e teprojmë kur e themi këtë. Nga ana tjetër, nga kjo situatë do të këtë më tepër të punësuar, por kjo mbetet për vitet e ardhshme, sepse gjërat janë zvarritur. Përpos kësaj, një tjetër projekt me financim të Bashkimit Evropian synon zgjerimin e zonës së vizitueshme, krijimin e infrastrukturës në të gjithë zonën e Parkut dhe krijimin e një qendre të re pritjeje për vizitorët.

Gjatë sezonit turistik zhvillohen edhe aktivitete kulturore. Këto organizime e favorizojnë apo e dëmtojnë trashëgiminë kulturore?

Është bërë një traditë që në bashkëpunim me Bashkinë e Fierit dhe me partnerë të tjerë të ketë aktivitete kulturore. Por ka një problem në Shqipëri, sepse ata që janë në krye të këtyre veprimtarive në disa raste nuk janë sa duhet për të sensibilizuar ruajtjen e vlerave. Ata kanë qëllime promocionale    janë aktorë të fushave të tjera, që kanë të bëjnë më tepër me anën spektakolare të këtyre organizimeve. Nga ana tjetër, ne na mungojnë edhe kodet legjislative, rigoroze, që në këto raste do të duhet t’i kishim.

 Megjithatë, jemi përpjekur në maksimum për ruajtjen e këtyre vlerave. Jemi kundra veprimtarive komerciale, pra nuk është e drejtë që të vihet një sit arkeologjik dhe aty të fillojnë shitjet e pijeve alkoolike, apo edhe të gjërave të tjera. Është një ekuilibër, që duhet të ruhet me kujdes, pavarësisht qëllimit të këtyre aktiviteteve. Mendoj se ka ardhur koha që të gjitha këto lloj aktivitetesh të kodifikohen. Me këtë nënkuptoj, që të kenë rregullore të përpikta, deri në detaje, për atë çka lejohet dhe atë çka ndalohet gjatë organizimit të aktiviteteve të tilla.

 Po 800 objektet që janë në muze, në çfarë kushtesh vazhdojnë të ruhen?

Muzeu ështe një nga risitë e mëdha të këtyre viteve të fundit. Praktikisht është i vetmi muze në të gjithë Shqipërinë, që është rihapur dhe funksionon normalisht. Është një muze i përmasave evropiane, sepse ruhen në të rreth 800 objekte të nxjerra ekskluzivisht nga gërmimet në Apoloni.

Mendoj se është sukses, që kemi arritur ta hapim dhe ta mirëmbajmë edhe pa personel shtesë. Kemi parë se ka një dëshirë të madhe nga turistët, sidomos nga ambasadat e huaja në Tiranë, që nuk lënë rast pa vizituar Apoloninë. Është bërë praktikë që ambasadat të na marrin në telefon dhe ne të jemi aty edhe jashtë orareve.

 Çfarë masash merret për restaurimin e atyre objekteve që dëmtohen?

Restaurimi është një proces delikat, që ka të bëjë jo vetëm me Apoloninë, por edhe me faktin që ne nuk kemi një shkollë të mirëfilltë, ku të përgatiten njerëz për të bërë këtë punë. Nuk ka një shkollë që të kualifikohen brezat e rinj, prandaj me daljen në pension të disa specialistëve, siç është rasti i Federik Stamatit, krijohet një boshllëk, pavarësisht se janë disa persona që kanë dëshirën e mirë për të punuar. Këtë e kemi ngritur si problematikë, sepse ka të bëjë me përmirësimin e kushteve, ajo që në gjuhën teknike quhet aklimatizim i objekteve. Kjo do të thotë vendosja e pajisjeve të posaçme për të krijuar temperaturë konstante, por për momentin nuk i kemi këto, prandaj në kuadër të projektit mendohet që të krijohen edhe pajisje të tilla.

 Keni hapur edhe një aneks të ri në bashkëpunim me bashkinë e Fierit, dhoma muze e shkrimtarit Jakov Xoxa?

 Konkretisht me bashkinë e Fierit kemi hapur edhe një aneks të ri, që ka të bëjë me një dimension bashkëkohor. Është fjala për dhomën muze të shkrimtarit Jakov Xoxa, dhoma ku është shkruar romani “Lumi i vdekur”.

Në këtë dhomë ka pajisje dhe orendi të ndryshme, ka fotografi autentike të shkrimtarit Xoxa, është makina e tij e shkrimit, etj. Kemi parë se ka një numër shumë të madh turistësh, që janë të interesuar për të parë këtë dhomë. Është pjesa e turistëve që vijnë nga Kosova, ata janë shumë të lidhur me këtë roman, i cili flet për ardhjen e kosovarëve në ato treva. Ka një dimension social se ata banojnë në Dërmenas. Janë disa elemente të simbolikës rajonale, për të cilat shumë shkolla vijnë enkas me ekskursion për to. Ndoshta ata nuk janë shumë të lidhur me arkeologjinë, por vijnë për të parë gjëra të prekshme, sepse janë dorëshkrimet dhe është krejt fryma e asaj kohe. Këtë e tregon më së miri edhe libri i përshtypjeve.

 Menaxhimi i fondeve për këtë vit, si është menduar? Po buxheti i shtetit?

Përmirësimet më tepër kanë qenë në staf, sepse buxhetet janë praktikisht po ato që kanë qenë dhe vjet. Ka një hapësirë në ripërdorimin e të ardhurave, që do të thotë, se Ligji i Trashëgimisë Kulturore u mundëson institucioneve të realizojnë të ardhura dhe t’i ripërdorin ato deri në 90 për qind të atyre që fiton institucioni. Mirëpo, vitet e kaluara ka qenë praktikë që Ministria e Kulturës të vendoste një tavan, përtej të cilit nuk lejohej që të përdorje të ardhura. Ekzistojnë shembuj pozitivë, por që në Shqipëri nuk po zbatohen ende.          


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama