Shendeti mendor 33 e shqiptareve me depresion

 Shëndeti mendor, 33% e shqiptarëve me depresion
Një studim i Qendrës së Shëndetit Mendor, mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për shëndetin, mendor u realizua vitin e kaluar në 10 rrethe të vendit dhe rezultoi se në vendin tonë njerëzit kanë shqetësime mendore, që arrijnë deri në format më të rënda të shëndetit mendor.

Ndërkohë, specialistët e shëndetit mendor në Institutin e Shëndetit Publik, shpjegojnë se përse shqiptarët janë më të stresuar se para viteve \'90-të. "Janë shumë faktorë që ndikojnë mbi shëndetin mendor. Ato fillojnë nga problemet ekonomike, pabarazia, mungesa e mundësive për të përballuar jetesën, faktorët gjenetikë dhe shumë të tjerë që rëndojnë shëndetin mendor te njerëzit",- ka shpjeguar drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli. Shpjegime për këtë japin edhe profesorët e psikologjisë, të cilët thelbin e kësaj e lidhin me disa arsye.

Studimi

Në studimi për shëndetin mendor, u përfshinë 520 persona të rritur, të moshës mbi 18 vjeç, bazuar në kuotat demografike, në 10 rrethe të vendit, si Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Elbasan, Berat, Vlorë, Korçë dhe Sarandë. Intervistat u kryen në mënyrë individuale në shtëpinë e të intervistuarave, përgjatë periudhës 15 korrik-15 shtator 2008 dhe të dhënat nuk ishin aspak pozitive. Problemi më i përhapur i shëndetit mendor në Shqipëri, sipas studimit, është stresi, me 41 % të rasteve.

"Bazuar në studimin e realizuar me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, personat që vuajnë nga depresioni përbëjnë 33 % të rasteve me sëmundje mendore, ndërsa për abuzimin me substancat janë shprehur në 8% të rasteve",- bëhet e ditur, duke u shtuar se qëllimi i studimit ishte vlerësimi i këndvështrimeve të popullatës mbi çështje të shëndetit mendor dhe mbi personat që vuajnë nga probleme të ndryshme të shëndetit mendor.

Faktorët

Njerëz të stresuar në çdo moment, duke kaluar në forma të rënda të shëndetit mendor, që është depresioni. Në fakt, këto probleme mendore janë kthyer në fenomen për shqiptarët dhe numri i tyre po vjen gjithnjë në rritje. Madje, specialistët e shëndetit mendor pohojnë se shqiptarët ishin më pak të stresuar para viteve \'90-të. Në vendin tonë, shkaku kryesor për shfaqjen e problemeve të shëndetit mendor janë kryesisht probleme ekonomike dhe papunësia, ndonëse para viteve \'90-të shqiptarët ishin më të varfër se sot. Në studim, këto raste përbëjnë 66 % të të gjitha rasteve që u morën në analizë për këto probleme.

Ndërsa nga ana tjetër, profesori i psikologjisë, Edmond Dragoti, ka dhënë disa shpjegime për këtë fenomen. "Shpjegimi për këtë është se populli ynë, në ato vite, ka qenë një shoqëri kolektive, që do të thotë se familja, fisi, dhe shteti, të mbështesnin financiarisht dhe shpirtërisht. Madje, varfëria dhe barazia ishte mbështetja më e madhe shpirtërore që merrte shoqëria para viteve \'90-të,- pohon psikologu Dragoti, duke shpjeguar se në ditët e sotme, jo vetëm që nuk ka barazi sa i përket nivelit ekonomik, por tashmë shoqëria nuk ka ku gjen askund mbështetje, as ekonomike dhe as shpirtërore. Sipas tij, pikërisht ky konflikt që ka tregu i sotëm, bën që shumë individë të mos gjejnë dot alternativa për të jetuar me sukses.



Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama