Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se është duke ndjekur me vëmendje situatën e orëve të fundit në Kumanovë të Maqedonisë dhe shpreh shqetësimin e saj për situatën e krijuar, me pasoja të rënda në jetë njerezish, dëmtime të pronës dhe rendit publik, transmeton Albeu.com.
"Dënojmë aktet e dhunës dhe bëjmë thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe për mos përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, e cila nuk i shërben stabilitetit demokratik dhe prosperitetit të Maqedonisë.
Gjuha e urrejtjes dhe veprimet ekstreme duhet t’i lenë vend angazhimit ndaj të drejtave themelore, demokracisë dhe shtetit ligjor. Harmonia e marrëdhënieve ndëretnike, sanksionuar në Marrëveshjen e Ohrit, është esenciale për stabilitetin demokratik dhe busull orientuse për rrugëtimin Euro-Atlantik të Maqedonisë", thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipëri.