Bodigardi plagos drejtorin e INUV- it të Bashkisë së Tiranës, Florenc Hoxhën, ndërsa policia e shpall në kërkim për akuzën e vrasjes. I plagosuri Hoxha, mbërrin në spitalin ushtarak me tri plagë thike në gjendje të rëndë, por falë ndërhyrjes së mjekëve i ka shpëtuar rrezikut për jetën. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:50, të mbrëmjes së djeshme kur Hoxha, ka qenë në një lokal në pronësi të tij në fshatin Farkë e Madhe, të Komunës Dajt, kur u qëllua së paku tri herë me një mjet të mprehtë që sipas hetuesve plotësonte kushtet e armës së ftohtë. Sipas burimeve të policisë në vendin e ngjarjes, në cilësinë e autorit të dyshuar të krimit u identifikua dhe u shpall në kërkim ish- bodigardi i tij, Indrit Xhevahir Veliu.
Shpallja në kërkim e të dyshuarit u bë nga policia pas marrjes së dëshmive të personave që ndodheshin në vendin e ngjarjes, në momentin e krimit. Policia është njoftuar nga burime të spitalit ushtarak mbi mbërritjen atje të një personi të plagosur rëndë me mjete të mprehta që sipas burimeve ka qenë një thikë. Pas marrjes së informacionit në drejtim të vendit të ngjarjes, janë nisur disa efektivë të policisë si dhe një grup hetuesish për të zbardhur rrethanat e krimit. Nga veprimet e para, policia ka sekuestruar në vendin e ngjarjes, disa objekte dhe sende që sipas saj mund të përdoren në cilësinë e provës materiale.
Po ashtu policia bllokoi në vendin e ngjarjes, punonjësit e lokalit disa dëshmitarë dhe persona të tjerë që sipas hetuesve mund të zbardhnin rrethanat e krimit. Burimet e policisë thanë se të dy personat kanë qenë në kafe duke pirë kafe në lokalin që ishte në pronësi të Hoxhës, pranë shtëpisë së këtij të fundit. Sipas burimeve të policisë autori i dyshuar i krimit është larguar pas ngjarjes, ndërsa menjëherë një grup efektivësh të policisë së komisariatit nr.4, mbërritën në banesën e të dyshuarit për të kryer kontroll të banesës së tij. PO ashtu policia gjithashtu tha se po kryente kontrolle të tjera banesash në zonë dhe në të njohur të tij. Ndërkaq me 6 gusht të vitit 2014, Florenc Hoxha dhe bodigardi i tij, u arrestuan me akuzën e plagosjes me armë të Albert Isufit, i cili është një i afërm i një drejtuesi të lokal të Partisë Socialiste në zonë.
Isufi, mësohet se ka mbetur i plagosur dhe për këtë ngjarje ai akuzoi Hoxhën, me të cilin sipas burimeve të policisë ai kishte konflikt pronësie. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:20 ne afërsi te banesës se kreut te INUV, ndërsa i plagosur mbeti Albert Isufi, i cili ka thënë për policinë se është qëlluar nga Hoxha dhe truproja e tij, brenda nga banesa. Në këtë ngjarje ai akuzoi se ishte i përfshirë edhe bodigardi i Hoxhës. Pas shoqërimit disa orësh, Hoxha dhe bodigardi i tij në atë kohë u lanë të lirë për mungesë provash në lidhje me atentatin ndaj Albert Isufit. Aktualisht ngjarja është pa autor. Ende nuk dihet nëse është i njëjti person me të cilin Hoxha shoqërohej natën e 6 gushtit, por burimet e policisë thonë se kjo situatë po verifikohet. Policia tha se ka kryer disa shoqërime dhe verifikime në lidhje me ngjarjen, ndërsa mësohet se Hoxha pas operacionit të kryer ndaj tij në spital, ka dalë në sallën e reanimacionit, por hetuesit nuk kanë mundur ta pyesin për shkak se ai ishte ende nën efektin e medikamenteve.