0-5-30
Imunologu Alberto Mantovani, drejtori shkencor i institutit klinik “Humanitas” në Milano dhe profesor universiteti komenton: “Sot, rekomandimi më i mirë për të garantuar një funksionim të mirë të sistemit imunitar është të ndjekësh rregullin ‘0-5-30’ që do të thotë: zero cigare, sepse duhani shkakton inflamacion; 5 racione fruta dhe perime çdo ditë, sepse produktet bimore kanë efekte pozitive mbi funksionin e qelizave imunitare të mbrojtjes që gjenden në mukozë dhe 30 minuta ushtrime të përditshme fizike sepse lëvizja përmirëson aktivitetin e sistemit imunitar”. Një sistem i mirë imunitar siguron mbrojtje të fortë natyrale nga sëmundjet. Nëse sistemi imunitar nuk është i mirë, organizmi bëhet i dobët ndaj lodhjeve dhe sëmundjeve dhe nuk mund të mbrojë nga infeksionet – qofshin ato të zakonshme, si ftohjet apo alergjitë, apo ato serioze, të shkaktuara nga disbalancimet e gjata imunitare.
Ushqimet e mrekullisë
Mineralet dhe vitaminat ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar, neutralizojnë grimcat të cilat i dëmtojnë qelizat. Ushqimi i mirë është kyç për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemit imunitar. Deficiti i ushqimit mund të çojë te problemet kronike imunitare, meqë bakteret dhe viruset e kanë më të lehtë zhvillimin nëse mungojnë disa përbërës të cilët stimulojnë një sistem imunitar të fortë, duke përfshirë vitaminat dhe mineralet.
Po çfarë duhet të themi për vetitë e ushqimeve, të tilla si hudhra, lëngu i pulës, kërpudhat dhe dhjetëra ushqime të tjera, të cilësuara si ushqimet e mrekullisë? “Nuk ka prova të qarta shkencore, nëse këto apo të tjera ushqime, përmes veprimit të disa përbërësve të tyre, kanë ndikim mbi sistemin imunitar. Janë të shumta studimet për probiotikët ose ndryshe ‘bakteret e mira’ që ndihmojë aktivitetin e aparatit, por megjithatë duhet më shumë siguri”, tregon mjeku Massimo Triggiani. Sigurisht që të studiosh mikrobiomën, d.m.th. bakteret me të cilat bashkëjetojmë është një nga barrierat e mjekësisë: të arrish të modifikosh florën bakteriale në favorin tonë do të ishte diçka e jashtëzakonshme.
Jo, stresit
Disa studime sugjerojnë se të flesh mirë dhe mjaftueshëm është e nevojshme për një imunitet të mirë. Thuhet se tek ata që çlodhen më pak se shtatë orë në natë, rreziku i infeksioneve trefishohet. Mark Opp, një neurobiolog i Universitetit të Uashingtonit, i cili ka bërë studime të shumta për këtë argument, sugjeron të flihet të paktën tetë orë para se t’i nënshtrohet vaksinimit. Në të njëjtën mënyrë duhet të përpiqemi të mos stresohemi shumë: stresi rrit sasinë e kortizolit në qarkullin, duke ndikuar edhe te sistemi imunitar. Disa studime tregojnë se në rastet e periudhave të tejzgjatura të stresit rritet shumë ndjeshmëria ndaj infeksioneve dhe ngadalësohet shërimi i plagëve. “Që sistemi nervor dhe imunitar janë të lidhur ngushtë, kjo dihet tashmë. Kështu që rregullat bazë janë të pushosh mjaftueshëm, të përballosh stresin në mënyrë pozitive dhe të jesh optimist”. Gjithsesi për të kuptuar dhe për të qenë të sigurt nëse gjithçka funksionon mirë, mjaftojnë disa analiza të thjeshta gjaku.