1 Prill...

1 Prill...
Sfilata e gënjeshtrave më spektakolare të botuara në internet dhe mediat ndërkombëtare. Më poshtë do të gjeni një përmbledhje të gënjeshtrave më të bukura të këtij prill, që janë realizuar nëpër vende të ndryshme të botës. Disa syresh kanë natyrë shpikjesh, të tjera kanë të bëjnë me shërbime e produkte të veçanta revolucionare që prekin fusha si teknologjia, futbolli, transporti etj.

Fëmijët “fluturojnë” qyl me Ryanair

Por, vetëm me Ryaniar ama! Kompania e fluturimeve me kosto të lirë, këtë 1 prill i uli çmimet në nivelin zero për kalamajtë. Por, me një kusht: ata duhet të kenë aftësi mbërthese pas objekteve që mund t’i arrijë vetëm Supermeni apo heronjtë e serisë “X Men”. Pikërisht kështu. Fëmijët mund të fluturojnë pa paguar, por nëse arrijnë të qëndrojnë mbërthyer pas krahëve, kabinës së pilotimit, apo në çdo kënd tjetër të avionit, pa rënë nga 10 mijë metra lartësi gjatë gjithë fluturimit. Në fakt, kështu mbyllet edhe oferta e Ryanair: “...për sa kohë arrijnë të mbahen!”

Emaili “me shqisa” i Google

Quhet “Gmail Motion” dhe është rrengu që ka bërë Google me rastin e 1 prillit 2011. Informacioni është dhënë në fakt me seriozitet maksimal nga kompania. Sikundër lë të kuptohet vetë emri, Gmail Motion na qenka një funksionalitet i ri i shërbimit email të Google, i cili i mundëson përdoruesve që të përdorin emailin e tyre përmes lëvizjeve trupore. Kjo është shpallja zyrtare e këtij shërbimi: “Mausi dhe tastiera janë shpikur para se të ekzistonte interneti. Nga ajo kohë, janë arritur procese të panumërta teknologjike që e kanë bërë më efikas bashkëveprimin ndërmjet personave dhe kompjuterit. Përse duhet të vazhdojmë ta përdorim këtë teknologji të vjetruar? Sot shpallim Gmail Motion – tani mund ta kontrolloni Gmail mes lëvizjeve të trupit tuaj”. Gjithashtu, në Youtube mund të gjeni një video fort të këndshme që simulon këtë shërbim të ri.

Kafe-taksi e bërë në vend?

Ideja e këtij rrengu i ka ardhur Starbucks, zinxhiri ndërkombëtar i specializuar në shërbimin e kafesë. Kompania ka njoftuar më 1 prill se do të ofrojë nj shërbim të pazakontë të shërbimit të kafesë me skuter, të ngjashëm me atë të pica-taksisë. Por, me një dallim madhor: Duke qenë se kafeja humb disa nga vetitë e saj kryesore kur nuk përgatitet në vend, ngarësit e motorëve nuk do të jenë thjesht korrierë, por do të jenë bariste të vërtetë, të aftë të përgatisin kafenë më të mirë, në sytë e klientit, kudo që ky të ndodhet.

Italia, 1 prill politik

Frymëzuar nga shembulli botëror, i pashoq i Ernesto “Che” Guevarrës dhe i grupeve të majta aktiviste në Itali, Posta Italiane duket se ka nisur të shfaqë shqetësimet shoqërore në pullat e lëshuara. Kështu, në vendin e përtej detit janë shfaqur disa pulla postare (false), të cilat ngrenë në mënyrë të revoltuar nevojën për referendum mbi shërbimin e ujit publik dhe kundër energjisë bërthamore. Paralelisht me këtë ndodhi, është njoftuar edhe dorëheqja e Kryeministrit italian, Silvio Berluksoni. Ndërkaq, për të zbutur situatën e ngarkuar politikisht të 1 prillit italian, njoftohet se Lady Gaga do të këndojë “L’italiano” të Toto Kutunjos.

Nedved kthehet në fushën e blertë

Futbolli nuk bën përjashtim nga festimi i gallatave të 1 prillit. Kështu, u njoftua se Pavel Nedved do të kthehet të luajë futboll, pasi e ka lënë këtë veprimtari dy vjet më parë. Arsyeja që jepet ka të bëjë me dëmtimin e Alex Del piero. Nedved do të zëvendësojë pikërisht Del Pieron, derisa ky i fundit të marrë veten dhe nëse ai nuk arrin të rehabilitohet, parashikohet të ndodhë një rrokadë mes të dyve. Del Piero shkon më në fund në pension dhe Pavel Nedved i zë vendin.

Dita e rrenave, më të mirat ndër vite

Herald Sun njoftoi se një klerik që ecën me hapin e kohës, një farë At Bob McGuire ka shpikur një ‘drive-in’ për mëkatarët që duhet të rrëfehen, por e kanë me ngut. Kështu, ata mund t’i afrohen me makinë sportelit të rrëfimit dhe pa u ngritur nga sedilia, të rrëfejnë zullumet nga dritarja në dritare, e më pas t’i japin gaz.

E përditshmja britanike “The Independent” njoftoi se Portugalia do t’i shesë Spanjës Ronaldon për shumën 160 milionë euro, për të paguar borxhet e qeverisë.

Gazeta “Mirror” botoi një artikull ku njoftonte se shumë shpejt qeveria britanike do të vendoste një taksë për ajrin e freskët, me qëllim mbështetjen e mjedisit dhe luftën kundër ndotjes.

Nuk mbetet pas edhe muzikantja dhe këngëtarja islandeze Bjork, kur njoftoi në faqen e saj zyrtare se ishte bërë pjesë e grupit të rokut Led Zeppelin.

Duket se edhe suedezët e ftohtë nuk i rezistojnë dot 1 prillit. Prodhuesi dhe tregtuesi i mobilieve Ikea, njoftoi se do të hidhte në treg poltrona të krijuara posaçërisht për qentë, duke ç’rrënjosur në këtë mënyrë diskriminimin që u bëhet qenëve kur i lënë të shtrihen maksimumi në objekte të krijuara për njerëz.

Gjithashtu, në krye të gallatave më të mira të 1 prillit, mbetet ajo e vdekjes së Paul McCartney në vitin 1966. Një sozi e tij, Uilliam Campbell, ish polic, luajti rolin kryesor në lajmin e rremë por tronditës së vdekjes së bitëllsit. Rrengu u vu në jetë edhe nga një gazetar anglez që qëndronte përballë së shtëpisë së të “ndjerit” në Londër.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama