Kërkesat e shqiptarëve për azil politik në Gjermani janë të shumta dhe janë kthyer në një shqetësim për këtë vend. Këto deklarata i ka bërë ambasadori gjerman, Helmut Hoffman, në një takim me zëvendësministren e Brendshme, Elona Gjebrea. Gjithashtu ai, theksoi se pavarësisht fluksit të madhe të kërkesave për azil nga shtetas shqiptarë, pak prej tyre do të miratohen.
Ambasadori gjerman tha se, shumica e azilkërkuesve janë emigrantë ekonomikë dhe jo të përndjekur politik. Hoffman bëri të ditur se një rol të rëndësishëm në shtimin e kërkesave për azil politik luan fenomeni i gjakmarrjes. Ai bëri apel që viktimat e këtij fenomeni të merren në mbrojtje. Gjithashtu ai bëri thirrje që të bëhet kujdes lidhur me kërkesat për azil, pasi ata mund të rrezikojnë liberalizimin e vizave.
“E përshëndesim qeverinë shqiptare që po merret me çështjen e rritjes së numrit të azil kërkuesve në vendet e Shengenit. Rritja e ndjeshme e azilkërkuesve shqiptar në Gjermani ka krijuar shqetësim të madh. Ne jemi shumë krenar në traditën tonë në procesin e azil aprovimit. Kjo na kthen në përvojën tonë me regjimin totalitar. Të gjithë atyre azilkërkuesve që janë të përndjekur nga politika ja aprovojmë kërkesën. Është mjaft e qartë që shumica e këtyre janë emigrantë ekonomik. Kjo është e qartë që sa më shumë emigrantë vinë për arsye ekonomike aq më e vështirë bëhet aprovimi i kërkesës. Bëhet edhe më i vështirë aprovimi i flitit për ata që janë të përndjekur politik. Në qoftë se do të shikojmë numrin e azilkërkuesve në gjermani do shohim se vetëm një numër i vogël arrijnë të marrin azil në Gjermani. Po të shikojmë statistikat nga 100 azilkërkues i aprovohet kërkesa vetëm 1 personi”,- u shpreh ambasadori Hoffman.
Ai tha, se kërkesat për azili po kthehen në një biznes për shumë njerëz që shfrytëzojnë këtë si një mënyrë për të marrë lejen e qëndrimit në Gjermani. Gjithashtu Hoffman kërkoi nga autoritetet shqiptare që të ndëshkojnë fenomenin e gjakmarrjes dhe t’i marrin në mbrojtje viktimat. “Fenomeni i gjakmarrje luan një rol të madh në procesin e azilkërkimit. Ne kemi një lutje për autoritetet shqiptare që të ndëshkojnë ata që kërcënojnë me gjakmarrje dhe ata që janë viktima të këtij fenomeni t’i marrin në mbrojtje. Në qoftë se nga të dyja frontet bëhet progres atëherë mund të marrim situatën e azil kërkimit në dorë. Duhet të them edhe që liberalizimi i vizave është një arritje shumë e madhe dhe kjo nuk duhet të cenohet nga zhvillime të tilla”,- theksoi Hoffman.
Ndërkohë zëvendës ministrja Gjebrea u shpreh se Ministria e Brendshme dhe institucionet e tjera përgjegjëse do të koordinohen dhe intensifikojnë punën për të mbajtur nën kontroll liberalizimin e vizave. "Qytetarët shqiptarë të respektojnë rregullat shengen. Do ngrihet taskë -forcë nga disa institucione”,- sqaroi zëvendës ministrja.