1.2 milione euro Ministria dorejashte

1.2 milione euro, Ministria dorejashte
Miratohet në parim Projektligji "Për Artin dhe Kulturën" që i delegon fondet publike për projektet, te një strukturë jashtë ministrisë së Kulturës. Opozita vëren problematika të rënda, e quan të hiperkontrolluar strukturën e re. Seanca e tretë që i kushtohet në pak kohë dhe projektligji "Për Artin dhe Kulturën" miratohet. Nuk kthehet më për përmirësim në Ministrinë e Kulturës që e hartoi.

Por në fazën e diskutimit nen për nen, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, merr përgjegjësinë të korrigjojë ato vërejtje që kanë bërë në seancat e fundit grupet e interesit, përfaqësues të institucioneve dhe të komuniteteve artistike që do të jenë pjesë e këtij zhvillimi, po edhe dyshimet që u ngritën e pyetjet që iu bënë drejtpërdrejt ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferaj.

Ky i fundit beson se specialistët e tij kanë bërë një ligj që e decentralizon kontrollin e Ministrisë së Kulturës në projektet po aq sa e ruan përgjegjësinë për politikat kulturore që duhet të aplikojë Qendra Kombëtare e Artit dhe Kulturës. Kjo Qendër ka për të administruar gjithë financimet, mbi një miliard lekë (afro 1.2 milionë Euro) që Qeveria shqiptare jep për artin dhe kulturën e që deri në fund të këtij viti ka për t'i administruar MTKRS. Sepse mendohet që me pajisjen e akteve nënligjore, në fillim të vitit 2011 të mos jetë Ministria ajo që do të ndajë buxhetin për projektet kulturore, por kjo ndarje të bëhet nga Qendra Kombëtare e Artit dhe Kulturës.

Tani që MTKRS ka dalë dorëjashtë ligjit, çfarë mbetet për t'u përmirësuar në ligj dhe sa është e mundur kjo?

Ja shqetësimet që shprehën dje deputetët e Komisionit.

Fatmir Toçi, botues në profesion, tha se libri një nga sferat e rëndësishme të kulturës së një vendi, bashkë me fjalën kulturë e shkruar asnjëherë s'përmendet tek ky projektligj që dominohet nga fjalët teatër dhe festival.

Rajmonda Bulku, deputetja e Partisë Demokratike ulur përballë tij, ia ktheu: "Ligji për librin është më vete" dhe "jemi lodhur duke folur për librin dhe për të drejtën e autorit". Përgjigje dhe kundërpërgjigje. Deputetët e së djathtës mbanin diskutimin në parim. Ata të së majtës kapnin "problematikat e rënda" duke ilustruar me nene të veçanta.

Komisioni i hartimit, specialistë të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dëgjonte. Ata kanë katër vjet që e "kanë maturuar ligjin" që u nis nga ministri Bujar Leskaj, u mbajt në sirtar nga zëvendësi i tij Ylli Pango. Ky pat thënë se nuk mund të bënte çap pa mbështetjen e Ministrive të Financave apo të Ekonomisë. "Varet nga vullneti i ministrit kjo punë", i përgjigjej me mikrofon fikur një specialist i Ministrisë së Kulturës pyetjes këmbëngulëse të deputetit të së majtës Kastriot Islami: Si do të zbatohet ky ligj, kur nuk ka argumente bindëse për mosfunksionim e ligjit paraardhës të cilin po e shfuqizon projektligji "Për Artin dhe Kulturën"? "Problematikat e rënda" dolën nga Luiza Xhuvani e cila pak ka lëvizur nga pozicioni kundër, pa e justifikuar skepticizmin për njohjen nga brenda të problemeve të artit skenik në veçanti. Cila është arsyeja që po shfuqizohen ligj pas ligji, pyet ajo.

Dhe konstaton: projektligji nuk artikulon artet vizuale; nuk reformon institucionet; ka një globalizëm të ekzagjeruar; e vetmja risi është Teatri i Komedisë; ndërsa Teatri Kombëtar mbetet në atë atë status të turpshëm për vlerat që përfaqëson. "Edhe një ujk në pyll ka nevojë ku të fusë kokën", thotë Xhuvani si aktore deri vonë e trupës Kombëtare. Ajo i referohet neneve 16-17 të projektligjit për të tërhequr vëmendjen se aty fromalizohet kontrolli i ministrit të Kulturës mbi bordet që do të administrojnë fondet për artin.

Ligji i ri parashikon që buxheti të kalojë nga ministria në Qendrën Kombëtare të Artit dhe Kulturës, e cila ka një bord që propozohet nga titullari i institucionit. Ministri Xhaferaj e cilëson një "model i funksionimit, deri diku i pavarur, i institucioneve të publike të artit dhe kulturës". Xhuvani mendon se "bordet duhet të lindin nga grupet e interesit. Për mua është e pakuptimtë prezenca e një përfaqësuesi të Ministrisë së Kulturës, si edhe të Ministrisë së Financave në bord".

Ajo sugjeron modelin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Mark Marku, deputet i Partisë Demokratike ka kërkuar që ata që japin argumente të kësaj natyre, që shohin njëherësh te decentralizimi i kulturës rrezikun e kontrollit të saj nga politika, të vërejnë qartë se: ligji respekton politikbërjen në ndarjen e fondeve publike.

Ky është thelbi. "Është marrë mendimi i 80 për qind të artistëve shqiptarë", shton Marku. "Ligji do të kuptohet më mirë po të tejkalohen situatat emocionale." Ftesës së Markut, deputeti Marko Bello i përgjigjet se jemi para një pretendimi të madh, flitet për Art dhe Kulturë, që ky ligj s'ka këmbë t'i mbajë. Sugjeroi që ligji të kthehet mbrapsht dhe të merret me qetësi përmirësimi i tij.

Përballë Bellos rri Ardiana Gjonaj. Në këtë histori asaj i kanë bërë përshtypje gjykimet e theatrove - e drejtuesve të teatrove në varësi të bashkive që bënë vërejtje një seancë të mëparshme. "Të përmirësohen nene të veçanta por ta miratojmë." Në fund të fundit Gjonaj mendon se ky ligj nuk lidhet me thelbe politike, kultura dhe arti nuk lidhen me nga këto lloj thelbesh. "Ta miratojmë, u intereson të gjithëve." Kryetarja e Komisionit, Valentina Leskaj dëgjon po edhe vëren kush hyn e del: "Është bërë si stacion treni këtu, ikën njëri vjen tjetri".

Në krah të kryetares, një anëtar shprehet kundër kthimit të ligjit. "Edhe po ta kthejmë ministria të njëjtin do na sjellë prapë. Po kontributi ynë ku është? Jemi të aftë ta përmirësojmë." Ledi Shkreli e refuzon këtë diskutim në parim. Ajo mendon se një projektligj si ky duhet të jetë në unison me filozofinë e punës së një qeverie. I referohet konkretisht nenit 16 të ligjit.

"Si qëndrojnë bashkë çështja e decentralizimit dhe autonomisë në parim me nenin 16, i cili thotë se QKAK-ja drejtohet nga kryetari, i cili emërohet dhe shkarkohet me VKM pas udhëzimit të ministrit të MTKRS-së. Kjo nuk ka sens, sepse këtu nis centralizimi ose decentralizimi." Në buzë të tryezës së Komisionit, deputeti Genti Strazimiri la më në fund në qetësi njëri mbi tjetrin dy telefonat celularë dhe iu drejtua të nderuarve kolegë: kemi apo s'kemi nevojë për një ligj për artin?

Atij vetë i bën përshtypje se të gjithë aktorët dhe faktorët, dhe këtu fliste në cilësinë e artdashësit apo të artndjekësit, na falin emocione. Por ajo gogla që s'po zgjidhet dot, sipas deputetit Strazimiri, janë fondet: Sido ta bësh ligjin, thesi i fondeve është po ai. Prandaj ai u bëri thirrje kolegëve të nderuar që të shohin ligjin që kanë përpara dhe jo atë që do donin të ishte, dhe u kthye te telefonat e tij. Deputeti Islami, i fundit që bëri rezistencë si kurioz në këtë Komision, shtroi prapë një pyetje: Përse s'u ngrit ajo Qendër Kombëtare që parashikohej në ligjin e mëparshëm dhe përse mendohet se kjo qendra tjetër do të ngrihet? Ligji është po ai. Mimoza Sofroni, drejtoreshë e Artit dhe Kulturës në MKTRS tha për të mijtën herë se institucionet e kulturës ishin akoma me Vendimet e Këshillit të Ministrave 150 dhe 309-të, të vitit 1993.

"Duke ditur se arti dhe kultura janë shumë të gjera në fushat e tyre, u detyruam ta rishikojmë ligjin, por në thelb kemi mbajtur ligjin anglosakson të teatrit. Është ngritur grupi i punës nga administrata e ministrisë dhe është konsultuar tri herë me afro 40 artistë. Normalisht, komuniteti i artistëve është i pafund."

Pa bërë ndonjë lidhje me përgjigjen, Islami shtoi: Këtë radhë jeni ju në maxhorancë. Radhës tjetër do.."
"...jemi prapë ne", shtoi krahu i djathtë në një zë.

Të rejat e projektligjit:

Krijohet Qendra Kombëtare të Artit dhe Kulturës.

Krijohen Teatri Kombëtar i Komedisë dhe Cirku Kombëtar.

Pushteti vendor jep 30% të buxhetit të kulturës për mbështetjen e teatrove.

Subvencionim nga fondi buxhetor i kompanive private të artit.

Fondet për projektet artistike nuk i nënshtrohen legjislacionit për prokurimin publik.

Kanë thënë për projektligjin në Kuvend:

Kiço Londo, Teatri i Metropolit

Historia e legjislacionit të artit skenik në 20 vitet e fundit ka një parabolë të çuditshme. Ka një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 1993, me të cilin të gjitha institucionet vazhdojnë të punojnë. Është bërë një ligj në vitin 2000, i cili dështoi. Është bërë edhe një ligj në vitin 2006, i cili gjithashtu dështoi. Me këtë ligj shteti po stimulon ngritjen në nivelin kombëtar të çdo lloj vlere të dyshimtë. Ky është masonizëm komunist.

Zhani Ciko, Teatri i Operës dhe Baletit

Në rast se Kuvendi do ta miratojë këtë ligj, do të bëjë hapin e parë cilësor me këtë ky ligj, që një pjesë e buxhetit të pushtetit lokal të kalojë në funksion të institucioneve artistike. Kjo është reforma për mua. Kjo është gjë e madhe që do të lejojë që edhe një komunë të japë diçka për kulturën, për angazhimin e njerëzve. Kjo është pika e re, është ideja e re që sjell ky ligj.

Kristaq Skrami, Teatri Kombëtar

Për bordin e Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës, ne mendojmë të ndahet në disa departamente. Pra, të mos jetë i njëjti bord që diskuton edhe për artin pamor, edhe për librin, edhe për muzikën etj., sepse mund të ndodhë që kryetari i bordit, mund të jetë aktor ose regjisor dhe pjesën më të madhe të fondit, 70%, i kalon te teatri. Ndarja e buxheteve të jetë kompetencë e politikave kombëtare të Ministrisë së Kulturës.

Arben Kumbaro, regjisor

Deri tani kemi parë tmerr. Kemi parë që emërohen aktorë nga ministra dhe nga Kryeministri... Bëni një ligj, nga sot e tutje, preje me thikë, mos merr njeri pa audicion dhe pa kontratë artistike, jo me urdhër politik. Kjo histori duhet të marrë fund. Ju lutem, reflektoni thellë për këtë ligj dhe mos e kaloni, sepse do të ketë reperkusione të rënda në menaxhimin e atyre pak parave që ka kultura shqiptare!

Ndriçim Xhepa, aktor

Ky ligj që i takon artit, nuk dua të shihet me ngjyrat e flladit kuq e blu, ngjyra partiake, se është turp. Ikën 20 vjet... Unë kam përshtypjen se ky ligj kërkon të mos nxitohet as ministri, as komisioni parlamentar, siç është bërë në vite. Ministri përkatës të mbledhë një bord njerëzish, që merren me artin dhe jo me burokratë që sot i bie të jenë të njërës parti dhe nesër të një tjetre. Nuk ndërtohet ligji i teatrit me njerëz të burokracisë.

Mark Marku, deputet

Gjëja më e mirë që është arritur me këtë ligj, është kjo: për herë të parë me një ligj ministria bëhet një institucion politikbërës dhe krijon struktura të tilla që merren me shpërndarjen e fondeve. Kjo ka qenë një kërkesë e përhershme e komunitetit të artistëve dhe në përgjithësi ka qenë një nga problemet e politikave kulturore në Shqipëri. Krijimi i Qendrës Kombëtare të Artit mendoj se e zgjidh këtë problem.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama