1.46 bilion euro projekte europiane per Art&Kulture Shqiperia pjese e gares

1.46 bilion euro projekte europiane per Art&Kulture, Shqiperia pjese e gares

Kur ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi deklaroi se Shqipëria ka nisur procedurat për anëtarësimin në “Creative Europe”, projekt i Bashkimi Europian për vitin 2014-2020, i cili u krijon mundësi thithjen e fondeve nga BE, shoqatave, organizatave dhe individëve që të aplikojnë me të drejta të barabarta në projekte europiane për Art&Kulturë, pyetja e parë që u shtrua ishte: Si do të realizohet kjo për një vend si Shqipëria, që nuk është anëtare e BE-së?

Nazim Rashidi, këshilltar për Rajonin dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Ministrinë e Kulturës, shpjegon hap pas hapi procedurat që ka ndjekur ministria për t’u krijuar mundësi organizatave të ndryshme që të aplikojnë për të përfituar nga fondi i ‘Creative Europe’, edhe pse Shqipëria ende nuk është anëtare me të drejta të barabarta e Bashkimit Europian. “BE punon me programe 6-vjeçare dhe një shtet si Shqipëria, që nuk është pjesë e Bashkimit Europian, që të bëhet pjesë e këtyre programeve duhet të firmosë një memorandum bashkëpunimi mes palëve. Ministria e Kulturës ka nisur procedurat që në muajin tetor me përgatitjen e dosjes, për të treguar gatishmërinë e shtetit shqiptar se kërkon të jemi pjesë e këtij programi dhe se është e gatshme të paguajë 150 mijë euro, që konsiderohen si biletë hyrëse në mënyrë që organizatave, shoqatave dhe individëve nga Shqipëria t’u krijohet mundësia që të kenë akses në fondet e programit “Creative Europe”.

 

Dua të theksoj se shteti shqiptar, pra Ministria e Kulturës nuk është përfituese, pasi nuk mund të aplikojë për këto fonde, përfitues janë organizatat dhe individët shqiptarë. Ne si ministri po kryejmë të gjitha procedurat juridike të nevojshme që t’u krijojmë mundësi këtyre organizatave të aplikojnë. Ajo që ka ndodhur nga muaji tetor, kur ne kemi nisur procedurat dhe deri tani, është se Britania e Madhe si vend anëtar i BE-së e miratoi programin ‘Creative Europe” vetëm javën e kaluar dhe gjithë firmosja zyrtare mes palës shqiptare dhe BE-së nuk ndodhi për këtë shkak. Fakti që Britania e miratoi me vonesë ka penalizuar jo vetëm Shqipërinë por dhe vendet e tjera që nuk janë anëtare të BE-së, të cilat pa nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje nuk mund të anëtarësohen në ‘Creative Europe’.

 

Ajo që bëmë ne si ministri, nisur nga kjo situatë e krijuar, ishte shprehja e vullnetit të mirë për t’u bërë pjesë e këtij programi dhe presioni që ushtruam që, pavarësisht se ende nuk është firmosur marrëveshja, organizatave shqiptare t’u krijohet të paktën mundësia që të aplikojnë me të vetmin parakusht që, nëse memorandumi mes palës shqiptare dhe BE-së nuk do të arrihet të firmoset në muajin qershor, dhe kjo jo për fajin tonë, këto organizata edhe pse kanë aplikuar nuk do të mund të përfitojnë nga këto fonde. Pra, dua të shpjegoj se Ministria e Kulturës mund të paguajë 150 mijë euro, në mënyrë që t’u krijojë mundësi organizatave dhe individëve të aplikojnë, megjithëse mund të ndodhë që asnjë prej aplikuesve të mos përfitojë nga ky program. Ne si ministri e kemi marrë parasysh këtë risk.

Hapi i dytë që ne do të ndjekim në ndihmë të këtyre organizatave është zhvillimi i takimeve me grupet e interesit për t’u bërë të qartë këtë proces, pra një lloj trajnimi sesi duhet të plotësojnë aplikimet. Për këtë qëllim, në këto takime do të ftojmë përfaqësues të huaj, të cilët do të shpjegojnë procedurat që duhet të ndiqen hap pas hapi për të aplikuar për fondet e projektit ‘Creative Europe’. Pra, në njëfarë mënyre ne do të ofrojmë asistencë teknike për to”, – shpjegon gjithë procesin e nisur tashmë Nazim Rashidi, këshilltar për Rajonin dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Ministrinë e Kulturës.

Çfarë është programi “Creative Europe”?

Kinemaja, media, letërsia, trashëgimia etj., gjithçka që përfshin artin dhe kulturën do të përfitojnë nga programi “Creative Europe”, i cili u miratua nga Parlamenti Europian më 19 nëntor 2013 dhe nga Këshilli i Europës më 5 dhjetor 2013. Me një buxhet prej 1.46 bilion eurosh, programi do të sigurojë fonde për të paktën 250 mijë artistë dhe profesionistë të kulturës, 2000 kinema, 800 filma dhe 4500 përkthime librash. Gjithashtu do të japë garanci që bizneset e vogla kulturore dhe krijuese të mund të marrin hua nga bankat deri në 750 milionë euro. Ky program është një mundësi e madhe për industrinë e filmit në Europë, për kulturën dhe artet në përgjithësi, pasi “Creative Europe” do t’u krijojë mundësinë mijëra artistëve për të arritur audience të reja në Europë dhe më gjerë.

Pse Arti dhe Kultura?

Qëllimi i BE-së është që të investojë më shumë në sektorët e saj kulturorë dhe krijues, sepse ata në mënyrë të konsiderueshme kontribuojnë në rritjen ekonomike, punësimin, zhvillimin dhe kohezionin social. Programi “Creative Europe” do të mbrojë dhe promovojë diversitetin kulturor e gjuhësor dhe forcimin e aftësisë konkurruese të sektorëve kulturorë dhe krijues. Më shumë fonde për krijuesit, në mënyrë që ata të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të kenë mundësi të punojnë edhe përtej kufijve. Ky program ka hyrë në fuqi në janar 2014.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama