2. Deri këtë vit, të gjitha sondat robotike hapësinore, ose i kanë ardhur planetit Mars rrotull, ose janë ulur në tokën e tij, por asnjëra prej tyre nuk ishte vendosur në polet e trupit qiellor. Këtë e realizoi në muajin maj sonda "Phoenix", e cila nisi edhe gërmimet në sipërfaqen e akullt. Sipas rezultateve, del që planeti ka qenë dikur mbartës i ujit dhe ndoshta edhe i organizmave të gjalla. Për sa i përket sondës, ajo duhet të jetë shkatërruar nga klima e ashpër. Në nëntor, ajo solli në Tokë edhe sinjalet e fundit për të heshtur përgjithmonë.
3. Gjenetisti J.Craig Venter, një nga dy personat që mban autorësinë e zbërthimit të gjenit njerëzor, arriti të bënte bashkë 582000 copëza gjenetike, që vlejnë për të realizuar një informacion gjenetik për krijimin e një bakteri të ri. Hap pas hapi, ai krijoi programin e ADN-së së një bakteri të gjallë dhe e vendosi në një organizëm për të parë se si do të funksiononte aty.
4. Kina çoi astronautë në orbitën e Tokës. Shtetet e Bashkuara e arritën një objektiv të tillë në vitin 1962. Sa për kinezët, ata e lançuan misionin e tyre të parë me njerëz në vitin 2003, të dytin në 2005-ën dhe të tretin këtë vit. Ata e filluan këtë aventurë me një person të vetëm, më pas me dy dhe së fundi me një mision prej tre personash. Por e veçanta e misionit të fundit është se këtë herë astronautët kryen një "ecje" në hapësirë. Ajo çka është me të vërtetë mbresëlënëse, është hapi gjigant që ka bërë Kina gjatë pesë viteve të fundit në kërkimet hapësinore dhe dërgimin e anijeve me njerëz. Veç kësaj, aktualisht sonda kozmike kineze pa personel po orbiton aktualisht Hënën dhe sipas planit do të dërgojë në satelitin tonë njerëz në vitin 2020.
5. Një lajm i mirë për gorillën. Sipas një sondazhi të ri të bërë këtë verë, numri i gorillave në botë ka nisur të shtohet, ndryshe nga sa mendohej vite më parë, që kjo specie ishte në zhdukje e sipër. Vetëm në pyjet e Kongos, ndodhen 125 mijë gorilla, dyfishi i shifrës së pesë viteve më parë.
6. Qielli sa vjen e po shndërrohet në një hapësirë me shumë planetë. Shkencëtarët kanë zbuluar gjatë këtij viti shumë planetë që orbitojnë përqark yjeve të ndryshëm. E veçanta e këtij viti është se janë zbuluar edhe të ashtuquajturit eksoplanetë, pra planetë që ndodhen jashtë galaktikës sonë. Në qershor, astronomi zviceran Michael Mayor zbuloi 45 "botë" të tilla të vogla, vetëm 4.2 herë më të mëdha se Toka jonë, të cilat, sipas shkencëtarit, mund të kenë edhe jetë, por kjo është shumë e vështirë që të vërtetohet.
7. Disa shkencëtarë të universitetit të Berkley në Kaliforni lajmëruan se ata ishin në prag të zbulimit të një veshjeje të padukshme, pas kërkimesh intensive në lëmin e optikës. Shkencëtarët kishin përdorur nanowire të zhvilluar, në një tub poroz alumini. Si rezultat, u krijua një fletë dhjetë herë më e hollë se ajo e letrës, e cili i bënte objektet të cilat i mbulonte të padukshme. Por bëhet fjalë për një eksperiment ende në proces dhe kostoja e një materiali të tillë është jashtëzakonisht e lartë për t‘u përdorur.
8. Nuk ndodh shpesh që një lëmsh leshi të zërë faqen e parë të gazetave, por kjo ndodhi në nëntor, kur një profesor kimie njoftoi se ai kishte rindërtuar 80% të gjenit të një mamuti të zhdukur mijëra vjet më parë, duke përdorur si element fillestar një tufë qimesh të tij. Puna e shkencëtarit kishte të bënte jo vetëm me bërjen bashkë të 3 miliardë copëzave të ADNsë, por edhe sigurimin që asnjë nga materialet e përdorura të mos ishte prekur apo cenuar nga baktere të ndryshme që do të prishin gjithçka. Kjo punë na rikujton të gjithëve filmin "Jurasic Park" dhe vetiu lind pyetja: a mos do të shohim në një të ardhme të afërt një tufë mamutësh në rrugët tona? Përgjigjja është: Jo, por jo për një kohë të gjatë ama. Shkencëtari mohoi se një gjë e tillë mund të ndodhte tani shpejt, por pohoi faktin se kjo ishte e mundur në një të ardhme.
9. A mendoni se amerikanët nuk janë bërë të zgjuar? Në harkun kohor mes viteve 1979 dhe 2006, përqindja e atyre që mbaronin shkëlqyeshëm për shkenca u dyfishua. Këtë vit, sipas një sondazhi të një profesori të shkencave politike në Universitetin e Miçiganit, amerikanët dalin se nuk janë aq të zhvilluar për të kuptuar materialet shkencore. Kështu, një në katër amerikanë mund të kuptojë shkrimet në revistat e shkencës, ndërsa të tjerët as që do ta kuptonin përse bëhej fjalë. Kjo vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës pretendojnë se kanë një sistem arsimor shumë të mirë. Në të kundërt të Shteteve të Bashkuara, Pekini në muajin nëntor njoftoi se kinezët janë aftësuar shumë shkencërisht si popull.
10. Në Gjermani, më saktësisht në qendrën e Saksoni-Anhalt është bërë një zbulim shumë interesant. Në rrënojat e vjetra të një kishe janë zbuluar skeletet e një familjeje: nëna, babai dhe dy fëmijë që i takojnë 4600 viteve më parë. Bëhet fjalë për një familje, pasi të tilla ishin edhe rezultatet që dolën nga ADN-ja.