Një tjetër shkrimtar, Volteri, për hir të dashurisë do të arratisej nga burgu për të qenë pranë të dashurës së tij Olymbe Dunover, një vajzë e varfër që ai e dashuronte marrëzisht. “Unë jam burgosur këtu në emër të mbretit; ata mund të më marrin jetën, por jo dashurinë që ndjej për ty”, i shkruan në vitin 1713 të dashurës së tij, disa minuta para se të arratisej. Por dashuria nuk është e bukur vetëm në letrat e shkrimtarëve, por edhe në atë të udhëheqësve. “Ti je jeta në mua. Kur ti nuk je pranë meje, unë pres kthimin tënd që të filloj të jetoj sërish”, i shkruan presidenti amerikan, Ronald Regan, bashkëshortes së tij për 31 vjetorin e martesës.
Edhe Napoloni, perandori i egër francez i shkruante me ëmbëlsi Zhozefinës, bashkëshortes së tij të parë. “Zhozefinë, do të të shoh brenda tri orëve. Deri atëherë, e dashura ime e ëmbël të dërgoj njëmijë puthje, por mos më jep asnjë si shkëmbim, pasi ato ma ndezin gjakun më keq”. “Tirana Observer” boton letrat më të famshme të dashurisë. Çfarë i shkruanin mbretërit, perandorët e presidentët vajzave që u kishin robëruar zemrat? Fjalët e ëmbla të Hygoit, Gëtes, Xhek Londonit, Xhejm Xhojsit dhe dashuritë e vështira të Franz Kafkës, Lord Bajronit e Bethovenit.
Napoleoni i shkruan bashkëshortes sw tij, Zhozefinës,
Paris (1795)
Kam ecur me mendjen mbushur me mendimet për ty. E ëmbla ime, e pakrahasueshme ç'efekt të çuditshëm ke mbi zemrën time. Por çfarë mbetet akoma kur nga buzët e tua, zemra jote merr një dashuri që më tret si zjarri? Je e zemëruar? Pse më dukesh e trishtuar? Je e shqetësuar?... Sa dhimbje ndjej në shpirt! Ti do të largohesh në mesditë. Do të të shoh brenda tri orëve. Deri atëherë, e dashura ime e ëmbël të dërgoj njëmijë puthje, por mos më jep asnjë si shkëmbim, pasi ato ma ndezin gjakun më keq.
Viktor Hugo për Adele Foucher
1821
E dashur!
Kur dy shpirtra të cilët kanë kërkuar njëri-tjetrin për aq kohë për t'u rigjetur në më fund..., një bashkim i furishëm dhe i pastër si vetë ato... fillon në tokë dhe vazhdon përjetë në parajsë. Ky bashkim është dashuri, dashuri e vërtetë..., një besim i cili hyjnizon të dashuruarin, një bashkim jeta e të cilit rrjedh nga përkushtimi dhe pasioni dhe për të cilin edhe sakrificat më të mëdha janë kënaqësi të ëmbla. Kjo është dashuria që ti më bën të ndiej... Shpirti yt është krijuar për të dashuruar me pastërtinë dhe pasionin e engjëjve.
I yti përgjithmonë
V.H
Robert Schumann për bashkëshorten e tij Clara Schumman
1838
E dashur, kam qarë nga gëzimi duke e ditur se e je e imja dhe shpeshherë e pyes veten nëse të meritoj. Dikush mund të mendojë se në zemër e në mendje asnjë burrë nuk mund të grumbullojë në zemër aq shumë gjëra në një ditë... Por sa i
lumtur ndihesha dje e pardje! Nga letrat e tua buronte një shpirt fisnik, një besim e një mal me dashuri.
Çfarë nuk do të bëja për dashurinë tënde!
Winston Churchill pwr bashkëshorten e tij, Clemmie Churchill
10 gusht, 1894
E dashura ime Clemmie!
Në letrën që më dërgoje nga Madras shkruaje disa fjalë shumë të dashura për mua, se si unë e kisha bërë më të mirë jetën tënde. Nuk mund të ta përshkruaj kënaqësinë që më dhe sepse gjithnjë jam ndjerë aq shumë në borxh me ty, gjithnjë nëse në dashuri mund të mbahen llogari... Se ç'do të thotë të jetoj gjithë këto vite në zemrën dhe praninë tënde, nuk ka fjalë që ta përshkruajnë. Koha kalon shpejt, por nuk ka asgjë më të gëzueshme se sa të shohësh sa i madh dhe si shtohet thesari që ne kemi grumbulluar së bashku nëpërmjet stuhive e trishtimeve të miliona viteve tragjike, të tmerrshme e plot ngjarje.
Bashkëshorti yt i dashur
Lord Bajron, drejtuar Tereza Guiçiolit
25 gusht, 1819
E dashura ime Tereza!
E kam lexuar këtë libër në kopshtin tënd; dashuria ime ti nuk ishe aty, përndryshe nuk do të mund ta kisha lexuar. Është një prej librave të tu të preferuar dhe shkrimtari ishte një miku im. Ti nuk do t'i kuptosh këto fjalë në anglisht dhe të tjerët nuk do t'i kuptojnë, çka është dhe arsyeja pse nuk i kam kthyer ato në italisht. Por ti do të njohësh shkrimin e atij që të deshi me pasion dhe ti do ta zbulosh atë nëpërmjet një libri që ishte i yti se ai mund të mendonte vetëm për dashurinë. Nga ajo fjalë e bukur në të gjitha gjuhët, por mbi të gjitha në gjuhën tënde "amor mio" përbëhet ekzistenca ime këtu e më vonë kudo që të jem. Unë e ndjej se ekzistoj këtu ku jam dhe e ndjej se do vazhdoj të ekzistoj për atë qëllim që di të përcaktosh; fati im gjendet në duart e tua. Unë të dua dhe ti më do, të paktën ashtu siç më thua dhe siç vepron, çka të paktën është një ngushëllim i madh. Por ajo që ndjej për ty është më shumë se dashuri. Unë nuk mund të pushoj së dashuri ty. Mendo për mua ndonjëherë, nëse Alpet dhe oqeani do të na ndajnë, por ato nuk do të munden asnjëherë, vetëm nëse ti e dëshiron një gjë të tillë.
Ronald Reagan për bashkëshorten e tij
4 mars, 1983
E dashur Zonjë e Parë!
E di se sipas traditës këtë mëngjes unë duhet të vendos kartolina të tipit "Gëzuar Përvjetorin!", në tabakanë ku ndodhet mëngjesi yt. Por gjërat janë disi të ndërlikuara. Unë i zëvendësova ato me një dhuratë të cilën e dorëzova disa javë më parë. Sidoqoftë kjo mbetet dita që shënon 31 vite lumturie, të tillë që rrallë burrave u ndodh. Të kam thënë njëherë që kjo ka qenë njësoj siç e ëndërron një adoleshent martesën. E akoma mendoj njësoj. Ti e di se unë e dua fermën, por këto dy ditët e fundit ma kanë bërë më se të qartë se unë e dua atë vetëm kur ti je aty. E kjo është e vërtetë për çdo vend, në çdo kohë. Kur ti nuk je aty, unë nuk jam askund, vetëm një i humbur në kohë e hapësirë. Unë ndjej më shumë se dashuri për ty, unë nuk jam i plotë pa ty. Ti je jeta në mua. Kur ti nuk je pranë meje, unë pres kthimin tënd që të filloj të jetoj sërish.
Gëzuar përvjetorin dhe faleminderit për 31 vitet e mrekullueshme!
Të dua
Bashkëshorti yt mirënjohës,
Ronald
Pierre Curie për bashkëshorten e tij Marie, të dy kimistë që kanë fituar çmime Nobel
E dashur Marie!
Asgjë s'do të lumturonte aq shumë sa një lajm nga ty. Ideja se do të qëndroj dy muaj pa dëgjuar për ty ka qenë tmerrësisht e papëlqyeshme për mua: Kjo është sa për të të thënë se letra jote e shkurtër ishte më se e mirëpritur nga unë. Shpresoj se ti do të kthehesh këtu tek ne në tetor. Ndërsa për sa më përket mua, mendoj se nuk do shkoj gjëkundi, do të qëndroj në fshat, ku e kaloj gjithë ditën para dritares së hapur apo në kopsht.Ne i kemi premtuar njëri-tjetrit, apo jo? - Që të jemi të paktën miq të mirë. Kjo vetëm nëse ti nuk do të ndërrosh mendje. Sepse nuk ka premtime që s'janë të domosdoshme, disa gjëra nuk mund të ndodhin vetëm se ashtu të duket më e drejtë. Do të ishte mirë gjithashtu, gjë të cilën unë s'guxoj ta besoj se mund të ndodhë, që të kalonim jetët tona pranë njëri-tjetrit, të hipnotizuar nga ëndrrat tona: Ëndrra jote patriotike, ëndrra jonë humanitare dhe ëndrra jonë shkencore.
Nga gjithë këto, ajo e fundit besoj se është më arsyeshmja. Me këtë dua të them se ne jemi të pafuqishëm të ndërrojmë rendin social dhe, edhe nëse nuk do ishim ne nuk do dinim se çfarë të bënim. Nga këndvështrimi shkencor në të kundërt ne mund të shpresojmë të bëjmë diçka, toka në të cilën shkelim këtu është më solide dhe çdo zbulim që bëjmë, sado i vogël qoftë, do të mbetet dituri e përftuar. E sheh se si funksionin: Kemi rënë dakord që do jemi shokë të mirë, por nëse ti largohesh nga Franca për një vit, do të kthehej në një miqësi platonike, atë të dy krijesave të cilat s'do ta shohin më njëra-tjetrën. A nuk do ishte më mirë sikur të qëndroje këtu me mua? E di se kjo pyetje të zemëron dhe se ti nuk do të flasësh më për këtë gjë, por gjithashtu unë ndihem aq i pavlerë para teje. Mendova të kërkoj lejen tënde për të të takuar, kështu si rastësisht në Fribourg. Por ti po qëndron atje nëse nuk jam gabuar, vetëm për një ditë dhe atë ditë ti sigurisht që do jesh në dispozicion të miqve tanë, Kovalskis-ëve.
Më beso, besniku yt
Pierre Curie
I mbyllur në burg për ta ndaluar që të takonte Olymbe Dunover, vajzën e varfër të një gruaje të shtresës së ulët, Volteri u arratis pak pasi shkroi letrën.
Hagë 1713
Unë jam burgosur këtu në emër të mbretit; ata mund të më marrin jetën, por jo dashurinë që ndjej për ty. Po, e adhuruara ime, sonte unë do të të shoh ty edhe nëse do të më duhet të lë kokën për këtë gjë. Për hir të Zotit, mos mu drejto me terma të tillë shkatërrimtarë kur shkruan; ti duhet të jetosh dhe të jesh e kujdesshme; ki kujdes nga zonja, mëma jote, duke qenë se ajo është armikja jote më e tmerrshme. Çfarë duhet të them? Ki kujdes nga të gjithë; mos beso askënd; ji gjithnjë në gjendje gatishmërie në çdo moment, sapo të dalë hëna; unë do të largohem fshehurazi nga hoteli, merr me vete kaloshin pasi do të largohem si veriu për në Sheveningen; unë do të marr letër e bojë me vete; ne do të shkruajmë letrat tona.
Nëse më do binde veten; dhe mblidh gjithë fuqinë e mendjes që të të vijë në ndihmë; mos lejo që nëna jote të vërejë ndonjë gjë, përpiqu të marrësh pikturat e tua dhe ji e bindur se asnjë kërcënim, apo dhe torturat më të mëdha nuk do të më ndalojnë që të të shërbej ty. Jo, asgjë nuk ka fuqinë që të më ndajë nga ty; dashuria jonë është ngritur me virtyte dhe do zgjasë për sa të jemi gjallë. Lamtumirë, nuk ka asgjë që unë nuk do guxoja të bëja për hirin tënd; ti meriton shumë më shumë se aq!
Lamtumirë zemra ime e dashur!
Volter
Theodore Roosevelts drejtuar bashkëshortes së tij, Edith Roosevelt
20 maj 1943
E dashur Bunny!
E di se çfarë është kjo - një letër për përvjetorin e martesës. Unë mendoj se duhet të mbërrijë në kohën e duhur. A të kujtohet ajo ditë e nxehtë qershori para tridhjetë e tre vitesh? Kisha e tejmbushur me njerëz, babai me atë jelekun e mrekullueshëm me pika blu, turmat në rrugë, velloja jote e bardhë, mamaja jote me një prej atyre kapeleve të mrekullueshme. Dhe, a e mban mend si ishte bota atëherë, e vogël dhe e rregullt, një rend ndryshe. Gjërat kanë ndryshuar shumë që atëherë. Asgjë s'ka ndodhur ashtu siç e imagjinonim se do të ndodhte përveç fëmijëve tanë. Ne s'e menduam asnjëherë se do t'i binim botës kryq e tërthor. Ne nuk e menduam kurrë se profesionet dhe interesat tona do të shkonin aq larg. Ne nuk e menduam kurrë se tridhjetë e tre vjetori i martesës sonë do të na gjente të zhytur në Luftën tonë të Dytë me mua sërish në front. Epo e dashur, duhet thënë se ne kemi jetuar sipas pjesës më të rëndësishme të ceremonisë "Në të mirë e në të keq, në pasuri e varfëri deri sa vdekja të na ndajë".
Me shumë shumë dashuri,
Th. R