Pas vizitës shtatëditore në Shqipëri, më datën 16 maj, u organizua dhe ceremonia e largimit të tij nga Shqipëria, e cila u pasua me incidentin e ndodhur në Rrugën e Durrësit. Ku, teksa Mbreti i Italisë po kalonte nëpër atë rrugë (për në drejtim të aeroportit të Laprakës ku e priste avioni që do e çonte në Itali), me veturën e hapur ku ishte dhe Kryeministri Vërlaci, një djalë 21-vjeçar i quajtur Vasil Laçi (që punonte si shërbyes në hotelin "Internacional", qëlloi disa herë me revolver në drejtim të tyre. Plumbat e pistoletës së tij që u shkrehën në mënyrë demonstrative kundër ardhjes së Mbretit të Italisë në Shqipëri, prekën vetëm Kryeministrin Vërlaci, duke e plagosur lehtë atë, ndërsa Emanueli III shpëtoi paq. Ndërsa forcat e shumta të policisë italiane dhe asaj shqiptare që ishin në gatishmëri të plotë, e arrestuan menjëherë atentatorin shqiptar (i cili disa ditë më pas u ekzekutua me varje në litar), ky incident nuk u publikua fare në faqet e shtypit, i cili pasqyroi gjithë vizitën e Mbretit të Italisë në Shqipëri. Po kush ishin politikanët italianë që e shoqëruan Mbretin Viktor Emanueli gjatë vizitës së tij në Shqipëri dhe cilët ishin personalitetet e larta shqiptare që e pritën atë në aeroportin e Laprakës dhe e shoqëruan përgjatë Rrugës së Durrësit deri në sheshin "Skënderbej". Si u prit ai nga qeveria shqiptare e asaj kohe dhe populli i Tiranës e ai i rretheve të tjera dhe si u largua ai nga Shqipëria? Lidhur me këto po botojmë shkrimin e mëposhtëm të marrë nga gazeta "Tomorri", organ i Partisë Fashiste të Shqipërisë së asaj kohe, e cila e pasqyroi gjerësisht dhe i bëri një jehonë të madhe vizitës së Viktor Emanuleit III në Shqipëri.
Gazeta "Tomorri"; Kryeqyteti shqiptar po kremton
Shqipëria priti dje vizitën e Sovranit të saj me të gjithë hovin e zëmrës së saj bujare. Tirana ishte në festë për të mirëpritur kremtërisht Mysafirin më të shkëlqyerë, Sovranin e madh i Cili ndën Kurorën e Tij bashkon fatet e Shqipërisë e t‘Italisë, në Komunitetin Perandorak të Romës. Me gjithë shiun e dëndur që kishte rënë vazhdimisht gjithë natën edhe kohën e mvrejtur, një gjallëri e jashtëzakonëshme zgjojti sot Kryeqytetin shqiptar. Të tërë natën vazhdonin punimet për të përgatitur dhe për të përsosur zbukurimet e rrugëvet gjatë së cilave do të kalonte kortezhi mbretënor. Ndërtimet më të mëdhaja arqitektonike, të zbukuruara sipri me nyje të Savojës dhe me emblema të shqipes dy krenore shqiptare, me shkrime "Rex", të mbështjella me pëlhurna të përshtatëshme me ngjyrat shqiptare e italiane ishin ngrehur nëpër qoshet e shesheve dhe gjatë shëtitorevet. Në sheshin Skënderbej ishte ngrehur një statujë e madhe që përfytyron Fitoren, vepër e skulptorit Panacea. Flamuj kuq-ë zi dhe tringjyrësh valonin nga shtylla të lartra.
Festone dafinash plotësionin gjelbërimet, të vendosura në stoli tërheqëse nën kujdesin e arqitektëve Lambrozi dhe Lamberitini. Nëpër qoshket dhe gjatësi mureve turma populli dukeshin kudo të grumbulluara që këndonin manifestat e mvartuna për këtë rast, me përmbajtje të diktuarë prej Kryeministrit. Këto manifestime thoshin: Manifesti i Shkëlqesë Vërlaci. "Popull i Shqipërisë, Mbreti ynë Viktor Emanueli i III-të i Savoia-s, po vjen ndër ne për të parën herë prej ditës në të cilën n‘emën të And, I u dorzue Kunora e Mbretënis. Qeverija dhe Populli janë edhe në këtë rast fatbardhë të bashkuem në gëzim për të përshëndetun Mbretin Fitimtar, vazhduesin e denjë të traditave drejtësie, trimnije e nderi të Shqipërisë Auguste të Savoja. Zani i besniknins që del nga krahënorët t‘uej për ballë Sovranit t‘onë August thotë në mënyrë ma të bukur, se fjalët e Qeverisë s‘Uej, të cilat janë ndnjenjat e që ruen çdo zëmër shqiptare. Mbreti, që i ka dhanë Shqipnisë Statutin që na garanton, që ka bashkuem fatin tonë me atë të popullit fisnik italjan dhe që ka sigueruem fitoren dhe kufijt ma të gjanë e të drejtë t‘Atdheut shqiptar, do ta ndjej rreth vetes valën e ndjenjave t‘ona dashunije e devosioni. N‘emën t‘uej Qeveria e siguron Mbretin August se nuk do t‘i mungojë kurrë fjala e Shqiptarëvet që janë kryelartë të jenë nënshtetas të Tij".
"Radhitja madhështore"
Nuk vonoi që gjatë anëve të rrugëve të rregulluar me parmakë të bardha druni, të rendoheshin me rradhë simbas programit të posaçëm të parashikuar, përfaqësitë e shoqatat, ndërsa bataljone ushtarësh, skuadrione kalorije, vargje të dendura të Rinisë së Liktorit Shqiptar zinin edhe ata vendet e tyre që të mbushnin të dy anët e rrugëvet prej hyrjes në qytet e gjer te banesa e Mëkambësore. Shiu u pakësua me zbardhëdhimin e agimit dhe në të gdhirë pothuaj se lërejti fare, por pastaj prap nisi të bjerë i hollë dhe i lehtë. Qielli i vërejtur i jepte një theksim të veçantë pritjes së madhe të popullit për Sovranin, gjë që përnjeherë u paralajmërua prej zhurmës së aeropllanëve që filluan të përçajnë qiellin e Kryeqytetit. Qysh në orën dhjetë rreshtimi ishte plotësuar. Gjatë një fronti prej mijra metrash, populli i Tiranës i reshtuar prapa parmakëvet priste me padurim që t‘i shfaqte Sovranit mirseardhjen. Prej lulishtes së mëkambësisë së Përgjithëshme, gjatë rrugës Francesko Jakomoni, rrugës 28 nëntori, në sheshin Skënderbej, rrugën princi i Piemontit, midis një lumi flamujsh e trofejsh, i tërë populli ishte prezent. Midis sheshit Skënderbej që mbahej i zbrazët nga një skuadron i kalorësisë me flamur, ndodhej një grup zonjash shqiptare të veshura me kostumet e tyre tradisionale. Banda e Bashkisë kishte zënë vënd aty pari dhe lozte hymne patriotike, ndërsa mbi shkallët e Pallatit të Bashkisë, ndodheshin pjestarët e parisë së vëndit, shumë prej të cilëve të veshur me kostume kombëtare. Në sheshin e Ministrivet përpara shatrivanit zinin vënd antarët e Këshillit të Epërm Fashist Korporativ. Pastaj ishin përfaqësitë e Prefekturavet të Durrësit, Elbasanit, Korçës, Gjinokastrës, Vlorës, Beratit, Shkodrës, Tiranës së bashku me ata të krahinave të reja të shliruara të Dibrës dhe Kosovës. Kameratet e Fashit Femnor ishin të rreshtuar gjatë rrugës 28 nëntori. N‘anë tjetër të rrugës ishte Fashi i Luftimit të Tiranës.
Pranë Xhamisë së Sulejman Pashës kishte zënë vëndë grupi i atdhetarëvet shqiptarë të Çamëris, Kosovës dhe Dibrës, me shkrime brohorimi në drejtim të Mbretit Perandor e të Shqipërisë më të Madhe. Në qoshen e sheshit Skënderbej, nga ana e rrugës së Durrësit, ishin të rreshtuar nënëpunësit e të gjitha Ministrivet dhe të administratavet publike. Pas këtyre vinin grupet e tregtarëve dhe t‘industrialistëve, t‘artizanëvet e pas këtyre puntoritë e shoqërive sipërrmarëse dhe të shoqërivet industriale. E tërë rruga Princi i Piemontit ishte e rreshtuarë anash prej kollonave të formacioneve të Rinisë së Liktorit Shqiptar: Balilla, Shqiptare të Vogla, Avanguardista dhe Shqiptarë të Rinj, Fashiste të Reja dhe Fashistë të Rinj. Në skajin e fundmë të të rreshtimit të Rinisë së Liktorit Shqiptar, para pallatit të Konsullatës Turke, ishte një bataljon Fashistash të Rinj me abarin R.L.Sh. të Tiranës. Vargu vazhdonte me vargje të formuarë nga kambësorë të Regjimentit të 50-të. Pritja bëhej gjithnjë dhe më e padurueshme me kalimin e çastevet. Pas pak prapë u dëgjua zhurma e motoravet të aeropllanëve bombardimi dhe ndjeksave që përtërinë paralajmërimin e mbritjes së Sovranit. Ndërkohë në aeroport ishin të grumbulluar të gjithë autoritetet për t‘i parashtruarë përshëndetjen e parë Madhërisë së Tij Mbretit Perandor. N‘orën 11 një aeroplan S. 82 që valonte në krye galjardetin Mbretënor, i dualn përpara që t‘a presin dy grupe, prej së cilëvet njëri duke pas në krye Shkëlqesën Kontin Ciano, Ministër i Punëve të Jashtëme, arrijtur qysh dje mbasdreke në Tiranë, ndjekur prej shefit të ceremonialit të Ministrisë së Punëve të Jashtëme Shëklqesë Gëessier Celesia di Veglasio. Të dy grupet i dualnë përpara Sovranit për t‘a shoqëruar gjer te grupi i Autoritetevet, në qëndrën e të cilëvet ndodhej Shkëlqesa Mëkambësi i Përgjithshëm, Kryeministri Shkëlqesa Vërlaci, Kryetari i Këshillit Erpror Fashist Korporativ Shkëlqesa Toçi, me pjestarët e Qeverisë, Senatori Marka Gjoni, Shkëlqesa Parini. Inspektori i P.N.F dhe personalitetet e tjera. Sovrani i cili ishte i veshur me divizën e Marshalit të Parë të Perandorisë, priti ofertën rituale të bukës e të krypës, simbas traditës së mikpritjes shqiptare, që i u paraqitnë prej Shkëlqesës mëkëmbësit të Përgjithshëm, prej Kryeministrit dhe Kryetarit të Këshillit t‘ Epërm Fashist Korporativ"
"Dhurimi tradicional i bukës dhe kripës"
Ndërsa bandat u binin notave të marshit Mbretënor e "Giovinezza-s" si dhe Hymnit të Flamurit Shqiptar, Mbreti Perandor kaloi në rivistë kompaninë e nderit të përbërë nga togje këmbësorësh detarësh e aviatorësh me bandë dhe flamurë në krye. Për të pritur Madhërinë e Tij Mbretin Perandor, kishin dalë në aeroport edhe Kryekonsulli i Gjermanisë, Konsulli i Bullgarisë, Konsulli i Rumanisë, dhe nënkoloneli i Speth, në përfaqësim të Misionit Ushtarak të Reich-ut. Në veturën e parë të shërbimit zinin vënd Admiral Bonneti, Adjutanti i Fushës i Përgjithshëm i Mbretit Perandor, Koloneli Graziani. Mastri i Ceremonivet t‘Oborrit, Koloneli Brancato, Adjutanti i Fushës dhe Nënkoloneli Cesare Cordero di Montezemolo. Vazhdonte vetura Mbretënore në të cilën Madhnija e Mbretit Perandor kishte përbri Kryeministrin Vërlaci. Në këtë veturë ndodhej edhe Gjeneral Puntoni, Adjutant i Parë Fushe i Përgjithshëm i Madhërisë së Tij. Në veturën e dytë zinte vënd Shkëlqesa Ministri i Punëve të Jashtëme Konti Ciano me Shkëlqesën Ministrin Kontin D‘Acuarone, Ministrin e Shtëpisë së M.T. me Shkëlqesën Geisser Celesia di Veglasco , Shef i ceremonialit të Ministrisë së Punëve të Jshtëme me Markezin Lasco Lanza d‘Ajeta. Në veturën e tretë Shkëlqesa Gjenerali i Armatës Cavallareo kishte zënë vënd së bashku me Shkëlqesën Toçi (Terenc), Gjeneralin e Armatës Pirzio Piroli dhe Gjeneralin Cavalo: Shkëlqesa Vrioni (Qemal) me Gjeneralin e Skuadrës Aerore Ranza dhe Nën-kolonelin Pacetti: Shkëlqesa Bushati (Maliq) me Senatorin Gjon Marka Gjoni, Ministri Maliq Libohova, Shefi i Kancelarisë i Urdhnavet Kalorse Shqiptare dhe Nënkoloneli Avogardo di Vigliano, Shkëlqesa Koliqi (Ernest) me Shk. Parini dhe komandantin Nortabartolo di Sciara: Shk. Beça me Admiralin Sportello, comm Mario Pensa dhe Adjutantin e Flamurit të Komandantit Ushtarak Detar të Shqipërisë, ndiqte vetura e Inspektorit të Përgjithshëm të S. P. pranë Shtëpisë Mbretënore edhe kortezhi Mbretënor mbyllej nga një skuadron tjetër Karabinierësh kalorsa.
Përshëndetja e Kryetarit të Bashkisë Ali Erebara
Me ngadalë kortezhi kaloi përmes rrugës Princi i Piemontit midis brohoritjevet enthuziastike të turmës. Gjatë kalimit të Sovranit trupat ushtarake paraqisnin armët duke brohoritur "Rroftë Mbreti". Përpara godinës së Konsullatës së Turqisë kishte dalë të priste Sovranin Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Dr. Ali Erebara bashkë me Prefektin dhe këshilltarët e Prefekturës e të Bashkisë. Ndodheshin aty edhe Federali i P.N.F. bashkë me Inspektorin Federal. Duke iu avitur veturës Mbretënore, Kryetari i Bashkisë së Tiranës i drejtoi këtë fjalim Sovranit, në shenjë nderimi: "Madhëni! Jam veçanërisht kryenaltë se Ju drejtoj përshëndetjen e parë të Kryeqytetit të Mbretënisë s‘Uej Shqypnis. Populli i Tiranës , mbas pak me gojë të vet ka me Ju tregue gëzimin e math të tij me rastin me përshëndet Mbretin e vet ngadhënjyes mbi tokën shqiptare. Ka kohë që kemi pritë ardhjen e e Madhnis s‘Uej. Ky popull Juej i Shqypnis, kurr nuk ka dyshue dhe gjithnjë ka dijt se fatbardhësia e tij do të sigurohet vetëm nga bashkimi me Italinë nën Kurorën e Shtëpisë s‘Uej Auguste. Vetëm dy vjet kanë kalue nga dita fatlume e dorzimit Madhnisë s‘Uej të Kunorës së Skënderbeut dhe me ngjarje e me prova të jetueme së bashku të dy popujt u vllazënuen sa ma tepër. Dhe ky qytet i Tiranës ku numri i qytetarëve shqiptarë dhe italianë që jetojnë së bashku e në harmoni asht ma i math, asht nji shembull vllaznimi dhe punimi të frytshëm. Dhe kështu në të gjithë Shqypninë dhe ka qenë gjithmonë dhe në të arthmen. Qofshit i mirardhun Madhëni në Tiranën t‘Uej". Sovrani e ndigjoi këto fjalim homazhi me vëmëndje duke i drejtuar më në fund fjalë falenderimi të përzemërta Kryetarit të Bashkisë, të cilit i shtërngoi dorën. Së këtejmi kortezhi kaloi përsëri me ngadalë dhe midis brohoritjeve të vazhdueshme arrijti në rrugën e Elbasanit drejtuar për në Pallatin Mbretënor. Duke kaluar para shkollës "Maria Pia di Savoja", transformuar në spital fushe, si dhe para Kazermës së Granatierëvet, Sovrani u brohorit nga oficera e ushtarë të plagosur e që tash ndodhen në shërim e sipër. Në hyrje të Pallatit Mbretënor, Sovrani August u prit prej Shkëlqesës Mëkambësit të Përgjithshëm, që shoqërohej prej një grupi nënpunësish të naltë të Makëbësisë së Përgjithëshme. Shoqëruar prej Ministrit Konti Ciano, Mbreti Perandor bëri një vizitë në Pallat, i cili në këtë mënyrë u inagurua. Pastaj u shtrua një drekë intime.
Nga : Gazeta Shqip