Kjo copë e vogël koleksioni, e përbërë vetëm nga qime, u gjet krejt rastësisht verës së shkuar nga Randal Kejnes, pasardhës i largët i Çarls Darvinit. Ndërkaq, e përditshmja prestigjioze londineze, "Times", u ngacmua nga mjekra e ekspozuar (rast unik), për të përpiluar një listë ku klasifikoi dhjetë mjekrat më të famshme të historisë.
Podi
Në vendin e parë renditet mjekra e famshme e Karl Marksit. Ati i komunizmit shkencor dhe i teorisë së luftës së klasave në kohën e vet ishte mjaft i famshëm jo vetëm për teoritë revolucionare ekonomike e politike, por edhe për mënyrën krejt unike se si e mbante mjekrën. "Me kalimin e shekujve, vëren e përditshmja britanike, madhështia e mjekrës së tij nuk është pakësuar asnjëherë".
Vendi i dytë në klasifikimin e gazetës i rezervohet rusit me aftësi mistike, Grigori Rasputin, i cili, siç rrëfen legjenda, falë fjalëve e aktivitetit prej magjistari, arriti të fusë nën kontroll mendjet e familjes së carit të Rusisë, Nikolla II. Përpara se të bëhej viktimë e një atentati, pak vite përpara shpërthimit të revolucionit rus, Rasputini qe i famshëm në gjithë vendin për mjekrën e gjatë e të mbajtur keq, por mbi të gjitha për oreksin e panginjshëm seksual. Në shkallën më të ulët të klasifikimit të mjekrave, "Times" ka vendosur aktorin dhe aventurierin anglez, Brajën Blesed, i cili kujtohet nga publiku britanik më së shumti për shkak të mjekrës së veçantë.
Të tjerët
E vetmja figurë fetare e pranishme në klasifikim është Jezu Krishti, i cili është renditur i katërti. Sipas së përditshmes "Times", profeti, biri i Zotit, kujtohet nga njerëzit shumë më tepër për mrekullitë e fjalët drejtuar të tjerëve, se sa për pamjen fizike, por mjekra e tij është historikisht ikonë e imagjinatës së përbashkët popullore. Më pas renditen mjekra të tjera të famshme, si ajo e shkrimtarit anglez Çarls Dikens, mjekra e të cilit, sipas "Times", në kohën e tij qe aq e famshme, sa njerëzit e njihnin për së largu, pa pasur nevojë ta shikonin në fytyrë. Një mjekër gjithashtu tepër e famshme është edhe ajo e Leninit që, siç vëren e përditshmja, është një prej mjekrave të mbajtura me më shumë kujdes. Listën e dhjetë më të famshmeve e mbyllin mjekra e Abraham Linkolnit, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë luftës civile; ajo e Fidel Kastros, revolucionar i famshëm amerikano-latin, i cili deri vjet ishte President i Kubës dhe ato të muzikantëve Billi Gibons e Dasti Hill, respektivisht kitaristi e bateristi i grupit të njohur nga Teksasi, "ZZ Top".
Gazeta: Shqip