10 parimet kyce te konservatoret

10 parimet kyce te konservatoret
Çfarë synon që të mbrojë dhe nga çfarë parimesh frymëzohet konservatori?

Në vitet e fundit mendimi konservator është kthyer shumë në modë edhe në Europë. Por çfarë synon që të mbrojë dhe nga çfarë parimesh frymëzohet konservatori? Çfarë e dallon një reaksionar, një konservator dhe një progresist? Jens Jessen, gazetar gjerman dhe kryeredaktor i faqeve kulturore të revistës së përjavshme “Die Zeit”, provon që të bëjë qartësi mbi një koncept akoma sot në errësirë dhe i përdorur ndoshta me ndrojtje të tepruar.

Në Gjermani mendimi konservator ka pasur për një kohë të gjatë një aureolë të shëmtuar. Vetë politikanët e qendrës së djathtë nuk donin që të quheshin konservatorë për sa jepnin idenë e diçkaje të pluhurosur, të palëvizshme dhe autoritare ose, në disa raste, të korruptuar dhe të rreptë. Sipas rasteve të veçanta, kjo mund të jepte një përshtypje të kësaj natyre, por që nuk ka të bëjë aspak me domethënien më autentike të mendimit konservator, sipas të cilit ekzistuesja duhet që të mbrohet ndaj një progresi për të cilin është e drejtë aq më pak të dyshohet.

Zhvlerësimi i konservatorëve kishte të bënte shumë me faktin që progresi, në pasluftën e dytë, ka sjellë për më tepër vetëm benefite: emancipimin e gruas, shkatërrimin e strukturave autoritare, rritjen e mundësisë për rritje sociale, mirëqënien e përhapur dhe, shumë më në përgjithësi, demokratizimin e shoqërisë. Kush donte t’i kundërvihej apo ta frenonte këtë proces nuk ka sesi të mos ishte në pabesi, pasi mbronte privilegje dhe raporte force të konsoliduara ndaj një të ardhmjeje më rozë. Por çfarë ndodh nëse progresi ndryshon drejtim dhe drejtohet kundër arritjeve të emancipimit?

Nëqoftëse globalizimi i sjell dëm mirëqenies, nëqoftëse zhvillimi ekonomik i shtrëngon gratë tek gatimi, nëqoftëse teknika kërcënon lirinë dhe favorizon deviacione autoritare, nëqoftëse konkurrenca në tregun ndërkombëtar mund të ruhet vetëm me çmimin e zvogëlimit të mbulimeve sociale? Atëherë, a mundet ajo që dikur imponohej kundër forcave konservatore të bëhet tani një argument për ruajtjen e statukuosë? Nuk duhet mrekulluar nëse sot Republika Federale Gjermane, që për një kohë të gjatë është qeverisur në emër të progresit (edhe nga kristiandemokratët), përjeton një kthesë konservatore në të gjitha rreshtimet politike të saj.

Jens Jessen
“Die Zeit

1) Konservatori ka fytyrë të dyfishtë.

Mund të mbrojë – të paktën kështu duket sipas pikëpamjeve – si aspektet negative të ekzistueses (privilegje, raporte force, paragjykime të konsoliduara), ashtu dhe ato pozitive (liri, shtet të drejte, arritje sociale). Mund të dojë të mbështesë një diktaturë, ashtu si dhe një demokraci, dhe mund të rreshtohet si nga e djathta, ashtu dhe nga e majta, e kuadrit politik. Por kjo është vetëm në mënyrë e dukshme një çështje pikëpamjesh, në realitet bëhet fjalë për diçka që duhet ruajtur në një periudhë historike të dhënë.

2) Mendimi konservator është një koncept relativ.

Oskar Lafontaine (njëri prej liderëve të së majtës ekstreme gjermane), në momentin në të cilin u shpreh kundër ribashkimit të Gjermanisë, u shpreh si politikan konservator, për faktin që donte të ruante Republikën Federale Gjermane të vjetër. Helmuth Kohl, kur mbështeti pikërisht ribashkimin e Gjermanisë, u soll në të njëjtën mënyrë si konservator, pasi mbështeste idealin e lashtë të një Gjermanie të bashkuar. Të gjithë politikanët e lanë veten të shtyheshin nga një impuls konservator kur u rebeluan kundër transferimit të qeverisë nga Boni në Berlin. Partia Social Demokrate e vjetër gjermane (PDS), përpara se të bashkohej me Linke (e majta ekstreme aktuale gjermane), ishte një parti konservatore, pasi që mbronte dhe ruante arritjet (apo ato që ajo i konsideronte si të tilla) e Republikës Demokratike Gjermane (DDR) dhe donte t’i mbronte shpifjet. Në momentin në të cilin këto pozicione nuk e kishin më një perspektivë, u transformua në një parti reaksionare që donte të ripropozonte një status tashmë jo ekzistues dhe një ideal tashmë i zhdukur (socializmin). Konservatore ishte edhe opozita socialdemokrate ndaj Gerhard Schröder, e cila i kundërvihej modernizimit dhe procesit të riorganizimit në kuptimin më liberalit të iniciuar nga ish-Kancelari gjerman. Dhe akoma, deri kur sindikatat kanë luftuar për të drejtat e punëtorëve, kanë qenë progresiste dhe të majta, por janë bërë konservatore në vitet e fundit, kur thjesht kanë kërkuar që të ruajnë arritjet e tyre të së kaluarës.

3) Ekziston edhe konservatori i majtë.

Ky pozicion nuk është edhe aq paradoksal, siç mund t’i duket ndonjërit definicioni i vetvetes (konservator liberal i majtë) i dhënë nga Joachim Gauck. Njerëzit e së majtës bëhen konservatorë sapo është afirmuar politika e majtë dhe atëherë vihen në pozita mbrojtëse. Ajo që nuk ekziston është konservatori i majtë në kuptimin e ngushtë – ky është një kontradiksion në vetvete, pasi e majta thelbësisht do të ndryshojë, konservatori në të kundërt, pikërisht, të ruajë dhe të mbrojë. Pavarësisht kësaj konservatorët dhe progresistët kanë një armik të përbashkët: për shembull, liberalizimin aktual që nuk bën të përparohet dhe nuk ruan, por e lë gjithçka në duart e forcës së konkurrencës në treg.

4) Konservatori ka frikë nga progresi, jo vetëm kur paraqitet me veshjet e reformave apo të revolucioneve të majta, por edhe në veshjet e zhvillimit të ri teknik apo shkencor.

Konservatori i konsideron proceset ekonomike si pengesë, të kujtohet këtu për shembull për opinionin e keq të Helmut Kohl lidhur me mentalitetin e biznesmenëve. Konservatori deri mund të jetë shprehimisht antikapitalist, ashtu siç ndodhte përpara Luftës. Shtresa kryesore e mendimit të vjetër konservator gjerman – pronarë tokash, ushtarakë dhe funksionarë – nuk priste asgjë të mirë nga industria. Konservatori operon në kuptimin liberist, në momentin në të cilin besimi tek tregu i përket traditës së një vendi, si për shembull në Amerikë apo në Angli. Konservatori mund ta tolerojë progresin maksimumi me doza të vogla, deri kur përshtat me maturi strukturat dhe vlerat ekzistuese ndaj kushteve të reja, në mënyrë që të sigurojë mbijetesën e tyre. Në linjë të përgjithshme, përpara syve të tij nuk duhet të justifikojë ekzistuesen, por dëshirën për ndryshim.

5) Mendimi konservator është një pozicion skeptik.

Konservatori nuk beson në fenë e progresit dhe tek teknika, sidomos pasi dyshon në fantazinë e plotfuqishme njerëzore. Është gjithmonë i paqartë nëse njeriu mund t’i vlerësojë të gjitha pasojat e veprimeve të tij dhe skeptik që një ndryshim me qëllim të tillë të zbulohet realisht i tillë. Edhe antipatia ndaj revolucioneve bazohet mbi këtë formë skepticizmi dhe jo vetëm mbi frikën për të humbur posedimet e veta apo mbi refuzimin e idealeve revolucionare, që në disa raste deri mund t’i përkasin edhe konservatorit. Ndërsa e majta mendon gjithmonë që rrënjët e një të keqeje të madhe duhet të shkulen me qëllimin e një përmirësimi të përgjithshëm, konservatori i frikësohet heteronimisë së qëllimeve, domethënë që beneficet nga njëra anë mund edhe të sjellin dëme nga ana tjetër. Lidhur me këtë, konservatori nuk beson në mirësinë e lindur të qenies njerëzore dhe nuk beson absolutisht që politika mund ta përmirësojë. Për këtë arsye, në perspektivën konservatore të një politike të vakët, strategjike dhe jo tepër moraliste është një politikë e mirë, pasi pengon që në mënyrë të pavullnetshme të përkeqësohet situata.

6) Politika konservatore është politikë pushteti.

Pika e vëzhgimit politik të konservatorit do të shikojë tek të gjitha problemet mbi të gjitha çështje pushteti, interesa të kundërvëna dhe vetëm në fund konflikte me vlerë, pasi konservatori shikon tek qenia njerëzore gjithmonë të keqen dhe nuk beson në koncepte ideale. Në fund pushteti është edhe i nevojshëm për të mbrojtur ekzistuesen nga ndryshime të pakontrolluara. Në shkallën e projektuar nga Max Weber midis etikës së përgjegjësisë dhe të parimeve, konservatori do të mbështesë gjithmonë etikën e përgjegjësisë, domethënë do ta pranojë moralin vetëm në kuadrin e së mundshmes. Nuk do t’u përmbahet aspak parimeve. Në më të mirin e rasteve politikani konservator është realist dhe objektiv, në më të keqin e rasteve një cinik apo deri një oportunist i privuar nga skrupujt. Është këtu që ka rrënjët e saj aureola e shëmtuar i të cilës është subjekt politika konservatore. Nëqoftëse është i keq, njeriu mund edhe të mashtrohet. Partia që kohët e fundit ka dëmtuar mendimin konservator ka qenë CDU-ja e fazës së fundit politike të Helmuth Kohl. Është e lehtë të imagjinohet që kontributet ilegale ndaj partisë nuk do të shikohen asnjëherë si një problem moral për sa i shërbyen ruajtjes së pushtetit të partisë që nga ana e saj ndihmonte qytetarët për të garantuar statusin e saj social. Në më të keqin e rasteve politika konservatore provon deri të përfitojë nga ligësia e atribuuar qenies njerëzore.

7) Konservatori nuk është reaksionar.

Pothuajse në vetvete realizmi i tij i ndalon që të propozojë kushte tashmë të tejkaluara. Që konservatori dhe reaksioni nganjëherë mbivendosen, fakti është një keqkuptim që bëhet i mundshëm vetëm një perspektivë të së majtës ekstreme, nga e cila, duke qenë një pozicion politik i drejtuar nga e ardhmja, të gjitha bindjet konservatore ndaj së tashmes nuk ka sesi të mos duken të prapambetura. Por reaksionari nuk do të ruajë asgjë, është idealist ose, më mirë akoma, një utopist lehtësisht i prapambetur që shikon tek e kaluara të gjithë atë që është e mirë dhe e drejtë dhe tek modernizimi vetëm humbje dhe sakrifica pa kuptim. Edhe kur nuk është puçist, reaksionarit i intereson vetëm që ajo që ka humbur nuk do ta ketë kurrë më mbrapsht. Edhe ky është një pozicion që instinkti i pushtetit i konservatorit e konsideron të përbuzshëm. Në analizë të fundit, reaksionari ka një pozicion kritik dhe vetëm për aspektet më antimoderne të tij afrohet me rreshtimin konservator: kërcënimi i institucionit të familjes, besimi fetar i humbur, keqarsimimi i rinisë, sharmi i humbur i uniformës ushtarake.

8) Hitleri nuk ishte konservator.

Nacionalsocialistët drejtonin një lëvizje modernizimi të paskrupull me të gjitha karakteristikat e një revolucioni që socialist nuk kishte vetëm emrin. Shtet i së drejtës, rendit, pronës, arsimit – gjithçka që kishin për zemër konservatorët fjalë për fjalë u flak tej. Është e njohur se Bertolt Brecht deri e përshëndeti Hitlerin si ai që më së fundi e preu me junkersët dhe me borgjezët. Që mendimi konservator nga kundërshtarët e tij rastësisht mbivendoset me nacionalsocializmin mund edhe të mos jetë gabim. Nga ana tjetër, është e vërtetë që pati grupe konservatorësh që menduan ta përdornin nazizmin për interesat e tyre. Që menduan dhe e konsideruan si të mundur, edhe pse atyre në mënyrë të dukshme u ishte bërë e qartë sesa ishte i shpifur, ka sërish të bëjë me pragmatizmin, kalkulimin e pushtetit dhe oportunizmin e mendimit konservator. Sigurisht që është edhe e vërtetë se prapa konspiratorëve të atentatit të dështuar ndaj Hitlerit të 20 korrikut të vitit 1944 ndodheshin sidomos konservatorë që e kishin pranuar gabimin e tyre (ose që nuk kishin ceduar asnjëherë, si Beck dhe Goerdeler).

9) Konservatori është borgjez.

Por kjo është vetëm një gjysmë e vërtetë. Shtresat borgjeze duke u prirur më lehtësisht ndaj mendimit konservator respektivisht të tjerëve kanë diçka për të mbrojtur, si pronë, influencë sociale dhe arsim. Nga ana tjetër, tek borgjezët akumulohen, aq më pak kur kanë mundësinë që të mbijetojnë në më shumë breza, edhe vetëdijen e keqe ndaj privilegjeve të trashëguara; ky është motivi pse midis socialdemokratëve ka gjithnjë e më shumë borgjezë dhe të Gjelbërit kanë pothuajse ekskluzivisht simpatizantë borgjezë. Nganjëherë është thjeshtë dhe pastër nuhatja e biznesit ajo që u jep borgjezëve idenë se nuk mund të vazhdohet më të ecet si është bërë deri më tani, me akoma më shumë të drejtë nëqoftëse duhet ruajtur pozicioni personal. Nganjëherë arsimi prokuron edhe idenë e një tranzitoriteti të kushteve për të cilat bindja e pastër konservatore nuk mund të klasifikohet sociologjikisht. Por ekziston edhe një mundësi e mirë që mendimi konservator të hyjë në skenë kur ka diçka për të humbur dhe jo kur ka progrese për t’u siguruar.

10) Konservatori është mashkull.

Edhe pse një grua vesh apo ka shije të markës konservatore, edhe pse për nga origjina apo stili i jetesës refuzon çfarëdo tendence revolucionare, është shumë e vështirë që të gjehet që të deklarohet politikisht konservatore. As Margaret Thatcher, as Angela Merkel nuk kanë mundur në këtë kuptim ta ndryshojnë gjendjen e gjërave, që megjithatë i bëjnë akoma sot apel puros që shpesh tymoset nga patriarkë kërcënues.

Që çdo hap i emancipimit femëror u fitua kundër partive konservatore, mbetet akoma e paharruar dhe kundër fatit që politikanët konservatorë nuk mund të konceptojnë family-patchwork dhe shpërbërja e raporteve fillestare. Në realitet nuk ka më rezistenca për të cilat mund të dështojë rivendikimi i barazisë së të drejtave, por, nëqoftëse ka, problemet përfaqësohen nga papunësia dhe situata ekonomike. Ka deri politikane femra në të majtën ekstreme, të cilat do të donin t’i kthenin gratë tek gatimi për të lehtësuar tregun e punës. Me fjalë të thjeshta: ruajtja e emancipimit të arritur është bërë prej një kohe të gjatë një projekt konservator.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama