Malet më të larta dhe deti pafund që duken sikur na shkëpusin e na largojnë nga kjo jetë, kanë forcë të na e largojnë mendjen nga shqetësime të jetës së rëndomtë dhe të na dhurojnë idenë se jemi pjesë e botës së përjetshme. Kështu, duke larguar vështrimin prej tyre, ne kthehemi në veten tonë, me zemër të rritur e të kthjelluar - Jeronin De Rada
Në vitin 2003 publiku i huaj dhe shqiptar u njoh për herë të parë me një katalog të kodikëve, dorëshkrimeve të rralla kishtare të zbuluar në Berat, dy prej të cilave përfshihen në shtatë kodikët e njohur si unikë në trashëgiminë botërore.
Katalogu që atëherë ndodhej në Arkivin Qendror të Shtetit i panjohur dhe i pabotuar i përgatitur nga Theofan Popa. Sot kjo pasuri njihet si fondi 488. Është pranuar prej specialistëve që ky katalog i Popës ka mangësi, po konkretisht askush, ende, nuk i ka bërë publike. Ndërsa interesi i studiuesve të huaj që kanë kaluar këtej ka pasur si referencë pasaportat që Popa ka përgatitur për kodikët, gjithsej 100 po përshkruar 97.
Në botimin e 2003 si projekt shkencor-kulturor nga UNESCO dhe Drejtori e Përgjithshëm e Arkivave është një histori e koncentruar e Kodikëve të Shqipërisë, i vlerësuar si një botim shkencor-kritik i ilustruar ku bëhen të njohur 100 kodikët dhe njerëzit që kishin punuar mbi to, por të papublikuar. Ky libër, pra “Kodikët e Shqipërisë“, përzgjodhi në pjesën më të madhe artikuj dhe shkrime me “karakter studimor e njoftues për dorëshkrimet ungjillore, që i janë paraqitur publikut për një periudhë afro 135-vjeçare, qysh se ipeshkvi i Beratit, Anthim Aleksudhi (Anthimus Alexoudes), dijetari, “miku i artit”, siç e quanin me mirëdashje në Kostandinopojë, përshkroi, për të parën herë, në librin e tij “Përshkrim i shkurtër i mitropolisë së shenjtë të Beratit…” disa nga kodikët më të vjetër, që ruheshin në kishat e manastiret e besimtarëve shqiptarë”, - shkruajnë në parathënie Kaliopi Naska dhe Shaban Sinani.
Çfarë është përfshirë në “Kodikët e Shqipërisë” së 2003 ka të bëjë me studime të paleografëve, tekstologëve, kataloguesve dhe bibliologëve të huaj e vendës.
Këtu studiuesit e kanë vërejtur se tradita e shkrimeve kishtare në Shqipëri ka pasur më shumë vëmendje në shkencën botërore se sa në atë antropologjike shqiptare. Studiuesit e kanë gjetur justifikimin e pozitës ateiste të shtetit shqiptar për një periudhë relativisht të gjatë, që tashmë dihet, dhe nga ana tjetër është konsideruar si më kryesore mungesa e specialistëve me njohur ndërdisiplinore për të gjykuar e vlerësuar.
Në këtë panoramë historike në gati dhjetë vjet kur kodikët njihen publikisht, dhe janë të hapura për studime në Arkivin e Shtetit, studiuesi Shaban Sinani publikon të parën monografi të plotë për traditën e shkrimeve të krishtera të ruajtura në Shqipëri që konsiderohet si tradita më jetëgjatë e kulturës së shkruar.
Libri i ri i prof. dr. Shaban Sinani, "Kodikët e Shqipërisë në “Kujtesën e Botës”, antropologji kulturore, me afro 700 faqe dhe me ilustrime me ngjyra është certifikuar nga pikëpamja e vlerës shkencore nga këshilli i botimeve i Akademisë së Shkencave. Libri analizon kodikët e Shqipërisë, një prej koleksioneve me rëndësi botërore për kulturën dhe historinë e njerëzimit; me dorëshkrime të regjistruar në programin e UNESCO-s “Memoire du Monde” (nën kujdesin e autorit) dhe me dorëshkrime të tjera të regjistruar në Bibliotekën Virtuale Mesdhetare dhe në Listën e Kryevlerave të Trashëgimit kulturor botëror. Libri "Kodikët e Shqipërisë në “Kujtesën e Botës”, ku zbardhen 10 shekujt e errët të fillimeve të krishterimit në atdheun e shqiptarëve, botohet nga shtëpia botuese “Naimi” në kolanën e saj “Universitas”.
Duke analizuar këtë libër, prof. Aleksandër Meksi vlerëson: “Monografia “Kodikët e Shqipërisë në “Kujtesën e Botës” pasuron dijet tona për vlerat e trashëgimisë kulturore të krishterimit të hershëm dhe për periudhën e gjatë e të vështirë që vijon. Monografia e analizon në mënyrë të gjithanshme këtë pasuri pak të njohur, madje dhe për vetë studiuesit e interesuar. Studimet e këtij autori për historinë e dorëshkrimeve të krishtera në Shqipëri janë mirëpritur nga qarqet shkencore ndërkombëtare dhe janë vlerësuar nga studiues të ndryshëm të shkrimeve biblike-ungjillore: paleografë, bizantologë, historianë të krishterimit. Si rezultat i këtij vlerësimi, dy kodikët e purpurt të Beratit janë regjistruar si pjesë të programit “Memoire du Monde” të UNESCO-s në vitin 2005”.
Ndërsa akademik Jorgo Bulo thotë: “Në këtë monografi për herë të parë shpallet pasuria e jashtëzakonshme e traditës së dorëshkrimeve të ruajtura në Shqipëri, me një koleksion që nuk mund të krahasohet jo vetëm me ato të popujve të tjerë të rajonit, por dhe në shkallë evropiane. Monografia që paraqet Sh. Sinani për herë të parë promovon në mjedisin kombëtar e ndërkombëtar këtë traditë, për të cilën dija shqiptare nuk e ka thënë fjalën e vet dhe tashmë po plotëson një vonesë të përligjur për një kohë, por jo për shumë kohë. Autori i monografisë ka shkruar një libër që ka të bëjë me identitetin shqiptar, me kulturën e ruajtjes dhe të pritjes të popullit shqiptar, një kulturë që nis prej një kohe parashqiptare”.
Pasaporta që Theofan Popa u ka bërë dy kodikëve që njihen me shkurtimin Beratinus-1 dhe Beratinus-2 përfshirë në listën e trashëgimisë botërore qysh më 2003
Katalogu i kodikëve kishtarë mesjetarë të Shqipërisë
Theofan Popa
Beratinus-1
Kodiku i Purpurt i Beratit njihet në botën shkencore me emrin “Codex Purpureus Beratinus”. Ky thesar dorëshkrimor, më i vjetri i lashtësisë sonë, ruan vetëm dy ungjij: të Mateut dhe të Markut. Përbëhet prej 190 fletësh pergamene të ngjyrosura në ngjyrë të purpurt, në të kuqe të thellë, sot shumë e zbehtë. Grafia e kodit është me shkronja argjendi të tretur. Disa fjalë janë të shkruara me ar. Shkronjat janë kapitale, të tipit të përzier, kuadrat, (unciale majuscule). Shkrimi është i vazhdueshëm, pa ndarje midis fjalëve. Nistoret janë të mëdha, por jo të stolisura.
Formati i fletëve është 314 x 268 milimetra. Teksti është në dy kolona, me 17 rreshta për kolonë dhe me një motiv dekorativ të thjeshtë.
Përveç shkrimit kaligrafik, që paraqitet si art më vete, kodiku ruan një dekor me një motiv prej zemrash, që përbrenda kanë nga një lilan tri petalesh. Ky është një motiv interesant për vjetërsinë. Motivi përfshihet brenda dy linjash paralele të vendosura vertikalisht dhe që kryqëzohen horizontalisht, duke krijuar një kënd të drejtë. Ky motiv i thjeshtë, që simbolizon epiqendrën shpirtërore të njeriut, si më i vjetri në bibliografinë tonë më të lashtë, trashëgohet në kodikë tanë më të vonë, në mënyrë identike, si në Kodikun nr. 4 të Beratit, në Kodikun nr. 8 të Beratit. I stilizuar motivi gjendet edhe në zbukurimoren e disa kodikëve të tjerë, si në Kodikun nr. 5 të Vlorës dhe në Kodikun nr. 11 të Vlorës. Ky kodik është dëmtuar rëndë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke qenë i fshehur për një kohë të gjatë në Berat. Është restauruar, por paraqitet mjaft i dëmtuar.
Beratinus-2
Ky kodik u quajt prej Batiffol-it me emrin “Codex Aureus Anthimi”. Kjo për nder të emrit të peshkopit të Beratit, Anthim Aleksudhi, i cili e kishte ndihmuar Batiffol-in për të njohur antikitetet e Beratit. Kodiku në fjalë është katërungjillësh, me 420 fletë pergameni, me tekst në njëshkolonë, me
format 24 x 19 cm, me grafi prej shkronjash të vogla korsive ari të tipit të vjetër dhe me 17 rreshta për faqe.
Kodiku ka qenë i stolisur me katër figurat e ungjillorëve, të dekoruara me korniza të gjera, me katër vinjeta, nga të cilat tri ruhen, ndonëse mjaft të dëmtuara, kurse e katërta është zhdukur krejt. Nga pjesë të ruajtura të kornizave dhe pjesë të vinjetave është bërë rindërtimi i plotë i tyre në një kopje identike të këtij kodiku. Çdo figurë e ungjillorëve është pikturuar brenda një katërkëndëshi me përmasa rreth 12 x 19 cm. Janë kompozuar thjesht, pa ndonjë sfond arkitekturor, madje pa tryezën e shkrimit, brenda
një katërkëndëshi të ngushtë, saqë figura e Shën Gjonit del pak përmbi linjën e sipërme përkufizuese. Megjithatë, këto figura paraqiten të trajtuara bukur: Shën Gjoni ulur mbi një fron me mbështetëse të lartë të harkuar nga sipër, kurse Shën Marku e Shën Luka mbi stola të vegjël prej druri, në pozicion pak të përkulur mbi ungjillin e hapur që mbajnë mbi gjunjë.
Për portretet e këtyre figurave Batiffol-i ka shkruar, qysh në shekullin e 19-të, se “ato janë shuar tërësisht”. Sot ato mund t’i shohim në siluetë. Pjesët e tjera të figurave paraqiten, gjithashtu, të dëmtuara shumë. Tek Shën Marku mungon gjithë pjesa e pergamenit mbi të cilën është pikturuar ungjillori ndenjur. Ngjyrat e veshjeve sot paraqiten si një fushë e rrafshët ngjyrë kafeje të errët, të turbullt. Trajtimi i figurave është i një stili grafik të thatë. Rrudhat përcaktohen me anë linjash të zeza, të thyera e të drejta, kurse me linja të lakuara piktori anonim është përpjekur të arrijë format e gjymtyrëve dhe pozicionin e kërrusur të figurave. Kështu, ndonëse të thjeshta, por me vizatim të saktë, këto figura vlerësohen për një finesë të theksuar në vizatimin e siluetës. Pozicionet e figurave pak të kërrusura karakterizohen nga eleganca.
Proporcionet e figurave pak të kërrusura, po të krahasohen me ato të miniaturës më të mirë të shekullit të 10-të, të Kostandinopojës, me siguri do të duken si të një tipi gati naiv, siç e ka vënë në dukje Batiffol-i. Për t’i pasuruar artistikisht këto figura të thjeshta, artisti i ka stolisur me korniza të bukura të trefishta, mbushur me motive gjeometrike e shirita të gërshetuar, me medaljone të vogla si vargje prej rruazash ari ose lilanë të stilizuar, të gjitha prej ari, mbi sfondin e purpurt, me një ton si në blu të errët.
Këto stolisje të kornizave me motivet e tyre të stilizuara florale e gjeometrike, përbëjnë një zbukurim artistik jo të zakonshëm, i cili, si pjesë përbërëse e pandarë e kompozimit në tërësi, ia rrit vlerën artistike figurës së pikturuar. Pa këto dekorime të pasura e të bukura të kornizave të gjera, figurat do të paraqiteshin tepër të varfra, si të cunguara.
Nga katër vinjetat e kodikut ruhen vetëm tri, të vizatuara edhe këto në formë katërkëndëshi kënddrejtë, prej katër brezash të mbushur me motive gjeometrike e florale të stilizuara, me motive shtesë brenda medaljonesh të vogla ose me motivin e sovajkave, të vendosura në formë zigzagu. Piktori ka krijuar me to trekëndëshe. Fushat e brendshme të vinjetave kanë titullin e ungjillit përkatës. Tek ajo e Ungjillit sipas Lukës ky është shkruar në formë kryqi përfshirë prej një linje të trashë. Tek vinjeta e Ungjillit sipas Markut titulli përfshihet prej dy rrathësh të mëdhenj dhe tek ajo e Ungjillit sipas Gjonit - brenda një fushe katërkëndëshe. Duke u mbështetur në kaligrafinë me shkronja të vogla ari dhe në tipin korsiv të vjetër të shkronjave, në inicialet e pazhvilluara, në motivet gjeografike e florale të stilizuara të kornizave, si dhe në linjën elegante të trajtimit të figurave, mendojmë që kodiku Beratinus-2 mund t’i atribuohet gjysmës së dytë të shekullit të nëntë dhe mund të shkojë deri nga dekadat e fundit të atij shekulli. Në favor të këtij datimi mendojmë se flet edhe ngjashmëria e kodikut tonë me kodikë të huaj si Cod. Gr. 53 i Shën Petërburgut, që K. Witzman e daton te shek. të 20-të.