10 sjelljet qe vrasin pasionin

10 sjelljet që vrasin pasionin
Deri para pak muajsh, Christina Aguilera deklaronte se kishte shpikur kundërhelmin e mërzitjes në çift: një seks i shfrenuar të dielave. Por sot, ndoshta fajtore është edhe shtatzënia, këngëtarja dhe bashkëshorti i saj kanë zëvendësuar maratonën e seksit të fundjavës me lojërat elektronike, me të cilat kalojnë orë e orë të tëra. Rezultati: të dy janë bërë as-a në videogame, por pasioni është zero. E pra, teknologjia është një prej vrasësve të pasionit të shekullit të ri. Por jo vetëm kaq. Janë edhe dhjetë të tjerë.

1) Të mos zihesh: në përgjithësi, mendohet se çiftet që nuk debatojnë kurrë janë ata që shijojnë një raport perfekt. Por thuajse gjithmonë është e vërtetë e kundërta. Të mos zihesh sjell një largim të mundshëm nga partneri, sepse krijon thyerje e frustrim dhe kjo duket më së shumti edhe në marrëdhëniet seksuale. Në këtë rast, ekspertët këshillojnë që të kuptosh se çfarë dëshiron vërtet nga historia që je duke përjetuar dhe të bësh një listë që gjërave që të frymëzojnë më shumë.

2) Të mos dish të zihesh: të diskutosh në mënyrën e gabuar, ndoshta duke e ofenduar tjetrin, mund të ketë efekte shkatërruese. Sipas një studimi të Universitetit të Bostonit, do të duheshin pesë fraza të ëmbla për të kompensuar një ofendim. Dhe, duke analizuar sjelljen e disa çifteve gjatë zënkave, është e mundur të dallosh se cilët do të rezistojnë dhe cilët do të pëlcasin. Kur fyen, kalon në planin personal, shpjegojnë studiuesit, dhe vështirë se një ofendim i rëndë mund të harrohet.

3) Mungesa e kohës: jeta e vrullshme na detyron të bëjmë gjithçka me vrap. Është e natyrshme që pas një dite të ngarkuar pune, kur ndodheni të dy në shtëpi, mezi prisni të shtriheni. Për të fjetur. Një sjellje e vërtetë “passion killer” që duhet korrigjuar menjëherë. Raporti duhet mbajtur më këmbë duke i kushtuar kohë marrëdhënies në çift, ndaj të paktën një herë në javë: një darkë romantike, një shishe verë, fikje e celularëve dhe, mbi të gjitha, ndalohet të flitet për problemet e shtëpisë.

4) Pabesi mendore: të kesh miq të seksit të kundërt është mirë, por kur konfidenca e kalon masën, rrezikon të ngatërrohesh me këmbët e tua. Zakonisht, kjo është arsyeja kryesore që të vë më shumë në siklet dhe, për të dalë që këtu, duhet të fokusohesh vetëm tek partneri dhe të mos pranosh kurrë se po ndjen tërheqje ndaj dikujt tjetër.

5) Mos të të pëlqejë vetja (kjo sigurisht që vlen kryesisht për ne femrat): ok, ke shtuar ca kile më shumë. Që ai të të shohë nudo, as që bëhet fjalë, të bëni seks jo e jo. Askush nuk të kërkon të transformohesh në një top model. Sigurisht që ai nuk do të ndihet i hipnotizuar nga linjat e tua të reja por, pa panik! Një regjim i rregull ushqimor dhe do të mund të hysh sërish në fundin e ngushtë që vishje vjet. Bli një palë të brendshme seksi, që do të theksojnë edhe më shumë pikat e tua të forta.

6) Të mos u japësh rëndësi gjërave që, në fakt, janë vërtet të tilla (siç është për atë të gjejë këmishët e hekurosura dhe për ty shtëpinë e rregullt dhe të pastruar). Kjo do të ishte sinonim i mungesës së respektit. Bëj një listë të gjërave që ti bën për të e ai për ty dhe lëri të kuptojë se sa e çmon këtë ndihmë. Kërko të njëjtën gjë prej tij. Duhet mësuar loja në skuadër: të jesh çift nuk do të thotë të bësh gjithçka vetëm, por të konsultohesh sidomos për çështjet e rëndësishme.

7) Zakonet acaruese: çorapet mbi dysheme, pasta e dhëmbëve e hapur, tapeti i bërë pis me këpucë, muzika deri në fund... që zakonisht bëhen shkak për një zënkë, që përfundon si mos më keq. Këshillë: bëjeni këtë bisedë kur të jeni të dy të çlodhur, duke i shpjeguar partnerit se sa të acaron kur bën një sjellje të caktuar. Bëj kujdes me përzgjedhjen e fjalëve: më mirë “unë” se sa “ti”. Pastaj kërkoji partnerit të bëjë listën e zakoneve të tua nervangritëse dhe dëgjoje ndërsa e radhit, pa e ndërprerë asnjë moment.

8) Mungesa e besimit: kontrollimi i përhershëm i telefonit dhe i daljeve me të tjerë, qofshin këta edhe miq të ngushtë, është tregues i një pasigurie të thellë (shpesh e lidhur me eksperienca negative të mëparshme) dhe çon drejt e në ndarje. E vetmja rrugë shpëtimi është të flisni qartë me njëri-tjetrin dhe t’i bëni të qartë se nuk është ashtu siç mendon.

9) Stresi: sipas një studimi, të bësh seks para një takimi të rëndësishëm pune ndihmon në uljen e tensionit. Por ndoshta e ke të pamundur të mos mendosh për gjërat që të shqetësojnë. Atëherë ndrysho dietë, duke eliminuar ushqimet që favorizojnë stresin dhe prefero ato që të japin energji.

10) Rutina: kjo po që është vrasësja e pasionit. Në fillim mezi arrinit të shkëpusnit duart nga njëri-tjetri, kurse tani seksi është kthyer në mendimin e fundit. Dhe kjo, sepse synon ta konsiderosh si një rutinë. Mos mendoni për të arritur orgazmën, shpjegojnë mjekët, por përqendrohuni në përkëdheljet dhe në fund, shpërthimi dhe kënaqësia është e garantuar. Për të krijuar atmosferën e duhur, dërgoji partnerit mesazhe të nxehta, eksperimentoni pozicione të reja dhe bëni ndonjë lojë joshëse.

Nga : Revista Jeta

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama