Provoni që këtë t’ua thoni pakistanezëve të përmbytur, rusëve të përzhitur nga djegiet masive të kësaj vere, banorëve të ishujve të Paqësorit që rrezikojnë të përfundojnë nën ujë, fshatarëve që kërcënohen në mënyrë të vazhdueshme nga thatësirat, banorëve të Nju Orleanit të përfshirë nga vërshimet e shkaktuara nga Uragani “Katrina” në vitin 2005, 100 milionë personave që kanë mbetur pa bukë pas krizës financiare të vitit 2008.
E kështu mund të vazhdonim shumë gjatë dhe pa dyshim duke përmendur tragjedi dhe drama masive humane. E megjithatë, të dhënat nuk lënë vend për dyshime: 10 vitet e fundit në fakt kanë qenë vite të bekuara: njerëzimi, në tërësinë e tij nuk ka qenë kurrë më mirë se gjatë dhjetëvjeçarit që lamë pas. “Është dhjetëvjeçari më i mirë i historisë së njerëzimit”, deklaron Charls Keny, i cili pikërisht në lidhje me, këtë argument do të publikojë një libër me titull “Getting Better” (Duke u bërë më mirë). Autori, në një nga pjesët e para të librit thotë se nëse Zoti do t’i kishte lënë dorë të lirë për të zgjedhur 10 vitet që do të kishte dashur të jetonte në historinë e njerëzimit ai do të kishte zgjedhur pikërisht ato të harkut kohor 2000-2010. Sipas tij, krahasuar me periudha të tjera, njerëzimi nuk ka qenë kurrë kaq i qetë, kaq i begatë dhe në paqe se gjatë kësaj periudhe.
Por rreziku është që këto vite mund të mbeten më të mirat edhe në të ardhmen dhe në këtë pikë kjo nuk do të ishte një gjë e mirë. Të paktën sipas autorit. Por edhe sipas disa të dhënave të tjera. Kështu, të paktën në dukje të parë plani Tokë nuk ka qenë kurrë në një situatë më të rëndë se ajo aktuale. Është shumë i brishtë, me konvulsione të vazhdueshme në pjesë të shumta të tij që shkaktojnë tërmete, vullkane dhe shpërthime të ndryshme që shkaktojnë më pas edhe ngjarje meteorologjike të amplitudave të mëdha dhe tepër ekstreme. Një tjetër problem është edhe pakësimi i rezervave natyrore kryesisht të nëntokës, të cilat prej mijëra vitesh kanë qenë në dispozicion të njeriut dhe të përmirësimit të jetës së tij. Dhe bëhet fjalë për një fenomen të pakthyeshëm.
Pikërisht një vit më parë revista e famshme “Nature” nënvizonte që dhjetë sistemet biofizike që sigurojnë një ekuilibër të jetës në natyrë e kanë kaluar tashëm nivelin e situatës së emergjencës. Kushte të tilla janë për alarm të kuq, e megjithatë pavarësisht kësaj, njerëzimi po ia kalon më së miri, në tërësi. Banka Botërore sapo ka publikuar një raport sipas të cilit 30 vjet të shkuara më shumë se gjysma e popullsisë së botës jetonte me më pak se një dollar në ditë. Sot në këto kushte është vetëm një e katërta. Një dukuri tjetër e këtij dhjetëvjeçari është edhe shtimi i numrit të popullsisë që mund të quhet shtresa e mesme dhe kjo jo vetëm në vendet e pasura, por edhe ato në zhvillim, madje edhe në vetë vendet e varfra. Sot 1.3 miliardë veta jetojnë me mbi 10 dollarë në ditë që është një tregues i një mirëqenieje gjithnjë e në rritje. 40 vjet të shkuara 34% e popullsisë së botës konsiderohej si e kequshqyer.
Ndërsa sot e kequshqyer konsiderohet vetëm 17%e popullsisë. Gjithsesi, është shumë, sepse i bie që një në shtatë njerëz të mos ketë ç’të hajë. Një miliard burra dhe gra e fëmijë shkojnë të flenë në darkë pa e mbushur dot stomakun me ushqim. Por le të mos harrojmë se më parë ishin një në tre persona. Kjo shifër pozitive ka domethënien e saj dhe do të thotë se në planet sidomos këtë dhjetëvjeçar ka pasur më shumë ushqim. Nga viti 2000 deri në vitin 2008 që është edhe viti i krizës financiare botërore të korrat e drithërave në vendet në zhvillim janë rritur me një ritëm dyfish më të madh se ai i popullsisë. Globalisht, jemi më të shëndetshëm.
Nga ana shëndetësore, pavarësisht alarmeve të herëpashershme e për pandemi në shkallë globale sëmundjet e rënda që dikur shfarosnin shumë njerëz janë gjithnjë e më të pakta në numër dhe prej tyre ka gjithnjë e më pak viktima. Edhe kuota e fëmijëve që vaksinohen nga sëmundje të ndryshme ngjitëse ka kapur shifrën e 82% në shkallë globale. Ndërkaq, shpenzohen më pak para për armatimet dhe vdesin më pak në fushat e ndryshme të betejave të pakta globale. Në Afrikë në vitin 2000 46 mijë vetë u vranë në luftërat lokale, ndërsa në vitin 2008 kanë humbur jetën vetëm 6 mijë vetë. Ndërkaq, mund të thuhet me plot gojë që jemi më të shkolluar se kurrë më parë në historinë planetare. Në botë katër persona në pesë dinë të shkruajnë dhe të lexojnë.
Në harkun kohor nga viti 2000 deri në vitin 2007 është shtuar shumë edhe numri i të rinjve që frekuentojnë universitetet me 5% në shkallë globale. Dhe kështu pak nga pak çelen edhe horizontet e jetës. Janë shtuar shumë edhe abonimet në rrjetet telefonike. Miliarda njerëz jo vetëm që ndihen dhe jetojnë më mirë, por janë në gjendje që ta pohojnë një fakt të tillë edhe përmes telefonit. Sigurisht që gjithmonë ka vend për më shumë, për shifra dhe rezultate më të mira, por përparimi i këtyre dhjetë viteve të fundit është i pamohueshëm. Treguesi i zhvillimit njerëzor, që OKB e llogarit çdo vit është një tregues që merr parasysh pasurimin personal të individëve, shtimin e kushteve shëndetësore, shkollimin, pra një sërë faktorësh që në fund të fundit përbëjnë atë që quhet standard i jetesës. Dhe ky standard i jetesës është një konstante që është në ngritje të vazhdueshme që prej 35 vitesh dhe kjo për sa u përket të gjitha pjesëve të botës pa përjashtim. Edhe pse diku më shumë dhe diku më pak.
Në fakt, sipas një artikulli të fundit shkencor kemi të bëjmë me një paradoks planetar, pra qëndresa e planetit është duke u përkeqësuar, ajo e njerëzve në tërësi është duke u përmirësuar. Kjo ka të bëjë edhe me aftësinë e qeverive të ndryshme për të përballuar shkatërrimet natyrore, që janë rritur proporcionalisht me tregues të tjerë të mirëqenies dhe ka çuar si pasojë në pakësimin e numrit të vdekjeve dhe humbjeve njerëzore dhe materiale. Një nga arsyet e përparimeve në këtë fushë është edhe ajo e zhvillimit të madh teknologjik që ndihmon shumë në parashikimin dhe përballimin e goditjeve që natyra i jep njeriut. Po pasurimi gjithnjë e më i madh a do të vazhdojë që të sjellë edhe një jetesë më të mirë proporcionalisht?
Si është e mundur që të ndodhë një gjë e tillë? Sipas disa studiuesve ekzistojnë tri përgjigje të mundshme. E para është ekzistenca e një faktori kyç që kompenson të gjitha të tjerat: prezenca e ushqimit. Ushqimi është “tulla” e parë e mirëqenies. Në njëfarë mënyre shtimi i produkteve ushqimore këta dhjetëvjeçarë është bërë proporcionalisht me atë të shtimit të numrit të popullsisë. Në fakt, nëse burimet natyrore të ushqimit do të menaxhoheshin me një mënyrë më të mirë, më të planifikuar dhe me një vizion më afatgjatë, atëherë situata do të ishte më e mirë dhe më e begatë.
Por të paktën edhe keqtrajtime të ndryshme që mund të jenë bërë nuk kanë penguar rritjen e sasisë së ushqimit në botë. Dhe këtu vijmë në përgjigjen e dytë: pra mënyrën e mirë të menaxhimit jo vetëm të të gjitha burimeve ushqimore të ushqimit, por edhe burimeve të tjera që njeriu i merr nga toka dhe natyra dhe i përdor në të mirë të mirëqenies së tij. Për shembull shpesh përdorimi i kimikateve me shumicë ka çuar në krijimin e një shterpësie të tokës së bukës dhe si pasojë prishjen e një ekosistemi që ndikon edhe në dizekuilibrimin e ekosistemeve të tjera. Përgjigjja e tretë është pikërisht ekosistemi i planetit në tërësi dhe ekosistemet e ndryshme që e përbëjnë atë. Edhe pse mund të duken fraza aspak konkrete, ekosistemet janë me të vërtetë gurët e themelit dhe kolonat e ekzistencës sonë në këtë planet. Janë rrjetet që në tërësinë e tyre përmbajnë të balancuar elementet më të rëndësishëm jetikë.
Një degradim i ekosistemit dhe i ekosistemeve si pasojë do të ketë pasojën e vet edhe në jetën njerëzore në planet, madje edhe në atë të qenieve të tjera të gjalla që gjallojnë në kurrizin e planetit. Shfrytëzimi shpesh i pafre i rezervave natyrore të planetit ka shtuar sigurisht mirëqenien e njerëzve, por nga ana tjetër ka shkatërruar shumë ekosisteme që kanë humbur balancat dhe që më pas ndikojnë edhe në fenomene natyrore të një ashpërsie të veçantë siç janë tërmetet, vullkanet, cunamet, thatësirat dhe përmbytjet që vitet e fundit kanë qenë më të shpeshta dhe kanë shkaktuar humbje më të mëdha në njerëz.
Të gjithë e dinë, por disa nuk e pranojnë se herët ose vonë do të duhet që të përballemi me llogaridhënie. Në të shkuarën dhe në të tashmen shoqëritë njerëzore kanë treguar se nuk kanë qenë nikoqire dhe të ndjeshme në lidhje me shfrytëzimin e burimeve natyrore duke shkaktuar një të mirë momentale për vete dhe një shkatërrim në aspektin afatshkurtër dhe afatgjatë të jetesës së njerëzimit. Po si do të jenë dhjetë vitet e ardhshme? Këtë gjë është vështirë që ta parashikosh, por një është e sigurt që nëse do të vazhdojmë të shfrytëzojmë të mirat e tokës dhe natyrës me këtë ritëm mbase do të kemi 10 vitet më të ankthshme të historisë së njerëzimit. Është koha që të veprojmë.