100 vjet ne faqen e pare!

100 vjet ne faqen e pare!
Një ngjarje në ditët e sotme, mësohet në harkun e sekondave, falë internetit dhe zhvillimit të teknologjisë. Përmes Facebook, twitter, blogje apo çdo platformë tjetër, shqiptarët në çdo anë të globit mësojnë në kohë reale se çfarë ndodh në Shqipëri. Njëqind vjet më parë, në Amerikë e mësuan vetëm pas 3 javësh lajmin se më 28 nëntor 1912, plaku i urtë i Vlorës Ismail Vlora kishte ngritur flamurin e pavarësisë.

Gazeta e përjavshme “Zëri i Popullit”, në numrin e saj të shtatë në faqen e parë, ka vendosur flamurin kombëtar dhe kumton lajmin se “Kuvendi Vlorës” shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Që nga ky moment e deri në ditët e sotme faqet e parë të medias tradicionale dhe medias së re, shkruajnë çdo ditë historinë e vendit, por edhe ngjarjet kryesore në botë me ndikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë për shqiptarët.

E njëjta gazetë, një javë më pas në faqen e parë boton biografinë e ministrave të qeverisë së parë dhe një përshkrim i zgjeruar i figurës së kryeministrit të guvernës Ismail Qemal Beu”, Titulli i madh i faqes së parë është: “Shqipëria u njoh shtet më vete” me nëntitullin që “tërë fuqitë e mbledha njuhan dhe deklaruan AUTONOMIN e SHQIPERISE edhe ndaluan pasimin e luftës”.

8 muaj më pas, më 29 korrik 1913 – konferenca e ambasadorëve në Londër mori vendiin për shpalljen e Shqipërisë “principatë sovrane”, nën kontrollin dhe varësinë e Fuqive të Mëdha, krijohet komisioni ndërkombëtar i kontrollit-  Titulli i parë i gazetës së përdyjavshme ATDHEU (që botohej në Kostancë) ishte “Shqipëria dhe kufijt’ e Jugës”
Gazeta e parë e shtetit të pavarur shqiptar  PERLINDJ’ E SHQIPNIES (organ për të mprojtur të drejtat kombëtare), u botua në Vlorë vetëm në 6 gusht të vitit 1913.  Por në ditët e zymta në prag të Luftës së Parë Botërore, ka tre ditë feste edhe për shqiptarët.  Dhe këtë festë të madhe e mësojmë nga gazeta USHTIMI KRUJES, që botohej në Durrës më 14 Mars 1914. Kryetitulli me tri fjalë tregon shkakun e festimeve që zgjatën tri ditë: “Mir se na erdhe Mbreti i shqiptareve”

“Ushtonte sheshi, ushtonte limani prej kënkëve, prej gjumimit të topave dhe prej muzikave dhe thirrjeve: Rroft Mbreti e Mbretneesha”! Pavarësisht tonit entuziast dhe shpresës së madhe- Mbreti e Mbretnesha “rrojtën” në Durrës, qytetin bregdetar të Shqipërisë vetëm 6 muaj.!

Lufta e parë botërore – nuk ka pasqyrim në shtypin e kohës, dhe Shqipëria jetonte ditët e veta më të vështira pas shpalljes së Pamvarësisë.

Shpëtimi këtë radhë vjen nga përtej oqeanit. Në janar të vitit 1918, Presidenti Amerikan Wilson, shpalli 14 pikat dhe denoncoi Traktatin e fshehtë të Londrës (1915). Një muaj më parë  një nga intelektualët më të mëdhenj shqiptarë Faik Konica, në dhjetor të 1918 boton në ADRIATIC REVIEW të përmuajshmen e federatës VATRA – jo vetëm traktatin e plotë, por edhe një ese të plotë në anglisht të “Albanian question” – një përmbledhje e shkëlqyer dhe pasqyrë e plotë dhe e qartë e çështjes shqiptare (popullsia- feja- gjuha, historia, periudha e sundimit bullgar e serb, turqit- Skënderbeu- përpjekjet slave- arsimi- ngjarjet e fundit- dhunimi Shqipërisë- Shqipëria sot- pretendimet e Italisë fqinje- dhe përfundimet)!

Komuniteti shqiptar i Amerikës, - i cili kishte edhe një delegacion në Konferencën e Paqes në Paris, e  meson përmes gazetës “PERPARIMI” në shkurt të 1919 se Shqipëria nuk e ka më kryeministrin e parë të shtetit shqiptar! “Fijet telegrafike më 27 janar 1919, na sillin lajmin e hidhur shumë, na jepnin mandaten, na theshnin të derdhnim lot, se Burrin e math që kish Shqipëria, plakun e vyer ISMAIL QEMALE e ndjeu Perëndia”. Autori thekson se “vërtet vdiq Ismail Qemali dhe s’ndodhet më me të gjallët, s’ndodhet sot në Durrës të rregullojë qeverinë Shqiptare; dhe s’ndodhet që të ngrerë zënë në Konferencë të Paqes për të drejtat e Shqipërisë, por kjo s’do me thënë se vdiq dhe programi dhe emri tijja, jo kurrë! (Është interesant se në kokë të gazetës editori dhe menaxheri Vangjel Nase ka shkruar 91 vite më parë: “artikulla pa nënshkrim, ose me nënshkrim të rremë, nuk botohen”)

Në janarin pasues të vitit 1920, ngjarja  më domethënëse është kongresi i Lushnjës , por nëntitulli është edhe më domethënës: “Kongresi Lushnjës u mbajt me 14 mijë pushkë shqiptare”.

Për fat të keq, për këtë ngjarje, ne nuk lexojmë dot në faqen e parë të gazetës “Populli” që botohej “në Shkodër, pesë herë në muaj, për indipendencën e plotë shqiptare”- se çfarë ka shkruar gazetari. Një kolonë e gjysëm është e bardhë dhe dallohet vetëm një fjalë: Censura!

Gazeta “Besa Shqyptare” e botuar për çdo të enjte në Shkodër, më datë 24 qershor 1920, me tre fjalë njofton një ngjarje të ndodhur tri ditë më parë. Titulli i vetëm i faqes 1 është: “Esat Toptani u vra”! “Esati kje njeri i madh, por për rrezik, i rriti rëndësinë vedit tepër, aq sa mos me pasë parasysh tjetër veç madhninë e vet e për me ja mrrit qëllimit e për me kenë i parë pë mi Shqypni shkeli të drejtat ma të mdhatë e një komit qi ishte në nevojë m’u mkamë e jo për me ba shkamin e madhnis të një të vetmit..”

Mbledhja e Parë e këshillit kombëtar (parlamenti parë) me 56 deputetë është njoftuar më 21 prill të vitit 1921, ora 10 para dreke (ditë e enjte).

“Rroftë Shqipëria”! – është  titulli i madh i datës 15 nëntor 1921 i “Postës së Korçës”,  - gazetë që botohet 3 herë në javë! Pasthirrma ka shkak vendimin e Konferencës së Ambasadorëve në Paris që miratoi kufijtë e Shqipërisë dhe njohu qeverinë shqiptare!

“Një vendim i padrejtë” e quan  vendimin e Konferencës së Ambasadorëve që copëtoi territoret shqiptare- kryeartikulli i gazetës SHKUMINI të Elbasanit! (Gazetë e përjavshme që mpron lirinë e njësinë e vërtetë).

Me “Fletoren Zyrtare” shënohet edhe 10 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. “Fletorja zyrtare” e cila botohej 2 herë në javë është mbushur me njoftime interesante në faqen  e parë. Në të jepen njoftime nga ministri të ndryshme, por edhe lajme të ndryshme për emërime dhe transferime. Në datën 10 dhjetor 1922, afërsisht 90 vjet më parë njoftohet hapja e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. 

Në 10 vjetorin e Pavarësisë, “Posta e Korçës” njofton më 12 shtator për themelimin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë të pavarur nga Patriarkana.!
 
Kudo valon Flamuri
“Flamuri valon në të gjitha dyqanet, në dritaret e shtëpive dhe ballkonet e ministrive.


Duket sikundër kryeqyteti po bën not në të kuq e në të zi”. – është gazeta Tirana e datës 16 qershor 1924 që njofton për hyrjen në Tiranë të Ushtrisë Kombëtare, që në të vërtet është dhe finalizimi i asaj që kish nisur 6 ditë më parë dhe që njihet si revolucioni Qershorit. Gazeta përshkruan me detaje hyrjen në kryeqytet të “otomobilit të parë në orën 7 të mëngjesit nën drejtimin e toger z. Ndok Gjeloshi me disa ushtarë nga Shkodra i cili pritet me entuziazëm nga populli me thirrjet: “Roftë ushtëria Kombëtare”.
 “SKENDERBEU – GJERGJ KASTRIOTI” -  një tjetër gazetë fletore kombëtare e paanshme, që drejtohet prej një komisioni të posaçëm, ka në faqen e parë  katër tituj të mëdhenj njëri pas tjetrit.

VENDIM HISTORIK
RROFTE SHQIPNIA


Asambleja Kombëtare me vota të përgjithshme pardje ora 3.50 votoi kryeqytetin dhe kryetarin e Republikës. U vendos Tirana Kryeqytet i Shqipnis. Kryetar i Republikës Shqiptare u – zgjodh AHMET ZOGU. Fletorja “Skënderbeu” uron përparim dhe fatbardhësi popullit Kryeqytetit. Jetë të gjatë dhe fatbardhësi Ahmet Zogut.
 
 “Periudhë e re në historinë e Shqipërisë”

“Nji periudhë e re në historinë e Shqipnisë” është mbititulli i titullit të madh TRUPAT ITALIANE HYNË NË TIRANË- është GAZETA SHQIPTARE e datës 9 prill që botohet në Bari të Italisë. Nëntitulli:  arritja me aeroplan e Kontit Ciao, midis manifestimeve popullore për DUCE-n dhe Italinë Fashiste…

Në periudhën e fashizmit, në Tiranë nisi botimin dhe gazeta e përditshme Tomorri që botohej në shqip dhe italisht. Më 31 dhjetor 1940 – Tomorri njofton në faqen e parë: Vdekja e Poetit Kombëtar At Fishta (La morte dela poeta nacionale Albanese Padre Fishta! Lajmi është në krye të faqes dhe komunikata për “veprime t’aviacionit t’onë kundra vendosjesh armike në ballin grek botohet në fund të ballinës.

Një tjetër gazetë,  por krejt e kundërta e Tomorrit, që do të lerë gjurmë në historinë  e mëtejme të Shqipërisë është “Zëri i Popullit”, numri i parë i së cilës u botua më 22 gusht 1942.  Pasi përshkruan gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej populli, kryeartikulli vijon: “Fashizmi italian me anën e Tomorrit  (gazeta Tomorri) e të kalemxhinjve me rroga të majme me çakallin Ilmi Leka në krye, përpiqet të na mbushë kokën se duhet të kënaqemi me kaq mbasi është kohë lufte, por këtë zotërinj të ushqyer mirë harrojnë të thonë se luftën nuk e suallmë neve po vetë Duçja dhe okupatori fashist…
 
Erdhi dita

“Erdhi dita” – shënimi në faqen e parë të gazetës Bashkimi i datës 2 dhjetor 1945, dita e zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese, të parat dhe të vetmet zgjedhje pluraliste për Shqipërinë deri në vitin 1990. Më 11 janar të vitit 1946 Asambleja Kushtetuese e dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit shpall Shqipërinë Republikë Popullore… !

Korniza e vdekjes do të shfaqet në  gazetën “Zëri Popullit”. Një shirt i zi qarkon numrin e datës 6 mars 1953. Titulli i parë: “Josif Visarionovic Stalini vdiq”. Gazeta boton të plotë komunikatën e Komitetit Qendror të PK të Bashkimit Sovjetik, këshillit ministrave të BS-së dhe Presidiumit të Sovjetit Suprem të Bashkimit Sovjetik. 

...Vite më vonë “Zëri Popullit” do të botojë një komunikatë të plenumit të KQ të Partisë së Punës së Shqipërisë. – më 21 dhjetor të vitit 1960.  Më 16 nëntor në Moskë kishte nisur mbledhja e 81 partive komuniste, ku u shfaqën hapur mosmarrëveshjet e Tiranës me Moskën. Rezoluta e Komitetit Qëndror aprovoi qëndrimin e delegacionit shqiptar në Moskë. (po në faqen e parë fill pas kësaj rezolute) botohet shkrimi: “Kullimi i mirë i tokave ka siguruar rendimente të larta në grurë” dhe njoftimin se “vazhdon të punohet Deklarata e mbledhjes së përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore”. 
 
...Elektrifikimi

Elektrifikimi i gjithë fshatrave – fitore e shkëlqyer historike, është titulli i parë i ZP-së i datës 4 nëntor 1970 – Më 25 tetor u shpall elektrifikimi plotë i vendit. Në fund të faqes parë botohet edhe poezia e një piloti me titull “Fluturim mbi drita”.

“Teoria dhe Praktika e Revolucionit” – (kryeartikulli i ZP më 7 korrik 1978) shënoi prishjen e marrëdhënieve me mikun e madh të radhës, Kinën. Dy artikuj të tjerë në faqen 1 të kësaj dite janë: “Kolektiva pararojë” dhe “Punonjësit e uzinës “Gogo Nushi”, plotësojnë ritmikisht detyrat.
 
“Arritje dhe Perspektiva optimiste!”

Ky është një titull i faqes 1 të Zërit të Popullt të datës 19 dhjetor 1981. Por sipër në pak rreshta botohet një Nekrologji. Një natë më parë kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu kishte vrarë veten.”.

Por foto më e madhe e Zërit të Popullit është ajo e një nekrologjie tjetër 4 vjet më pas në një botim të posaçëm të ZP-së më 11 dhjetor 1985! “Dhimbje e thellë për Partinë e gjithë popullin shqiptar”, “vdiq udhëheqësi ynë i dashur shoku Enver Hoxha”

Një nga ngjarjet më të mëdha të dekadës, që shënon dhe lindjen e një epoke të re – rënia e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989 njoftohet në faqen e fundit të gazetës “Bashkimi”, dy ditë më pas,  me titull: “Rregulla të reja për udhëtimet e qytetarëve të RDGJ-së (Republika Demokratike Gjermane) në Republikën Federale dhe në Berlinin Perëndimor.
Rënia e Murit të Berlinit bëri të mundur që edhe në Shqipëri të fryjnë erëra të reja.  Kohë të reja po vijnë për Shqipërinë.

Pranvera e vitit 1990 në shtypin e kohës shfaqen tre intelektualë të njohur, një shkrimtar e dy mjekë: Ismail Kadare, Ylli Popa e Sali Berisha.

“LETERSIA, KOHA, QYTETERIMI SHQIPTAR” është titulli intervistës së Ismail Kadaresë dhënë Remzi Lanit kryeredaktorit të Zërit të Rinisë më 21 mars 1990. Një muaj më pas Ylli Popa shkruan në Zërin e Popullit “në kërkim të kohës së humbur” dhe më 17 shtator 1990 në gazetën “Bashkimi”,  Sali Berisha shkruan: Demokracia dhe humanizmi – binom i pandarë!

Por goditja e fortë e regjimit do t’i vinte më 2 korrik 1990. Mijëra shqiptarë u futën në ambasadat e vendeve perëndimore në Tiranë. Dy ditë më pas titulli i faqes 1 të gazetës “Bashkimi” është: “Veprime të disa huliganëve në Tiranë”.
 
Pluralizmi politik

Më 12 dhjetor 1990, “Bashkimi” boton në krye të faqes 1 komunikatën e Pleniumit 13 të Komitetit Qendror të PPSH. Pika e 5: Pleniumi shprehu mendimi se është në dobi të demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit dhe pluralizmit krijimi organizatave politike të pavarura në përputhje me ligjet në fuqi”. Pas protestave studentore është shpallur de facto pluralizmi. Vetë gazeta “Bashkimi” më 14 dhjetor boton një deklaratë të shkurtër të Komisionit Nismëtar për krijimin e partisë demokratike” ku dënohen “aktet e rënda të thyerjes së ligjshmërisë nga forcat destruktive në Kavajë dhe Shkodër”. 

Më 5 janar të vitit 1991, botohet numri parë i gazetës “Rilindja Demokratike” Tre pena të shquara përshëndesin në faqen e parë: Dritëro Agolli: “Bija e demokracisë”. Ismail Kadare: “Ndarja me të keqen do të jetë kontribut dhe meritë e të gjithëve” dhe Rexhep Qosja: “Përshëndetje për Rilindjen Demokratike”.

Fitorja nuk do të mungonte në faqen e parë të RD-së. Madhështi e fitores është britma entuziaste dy ditë pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992, kur partia demkoratike si asnjë forcë tjetër e re në Europën Lindore, fitoi më shumë se 2/3 e votive në Kuvendin e Shqipërisë. “Shqipëria Shpërblehet”, “Fitoi populli, fitoi Shqipëria”, “Më 22 mars u vendos fati i Shqipërisë”- janë tituj të tjerë të faqes një të gazetës RD.

Në muajin mars të vitit 1994, nis gjyqi ndaj ish kryeministrit dhe shefit të opozitës Fatos Nano. “Sot përgjigjet Nano”, është titulli i faqes 1 të Gazetës Shqiptare.

 “Doni para, bëni zgjedhje” është kryetitulli i “Koha Jonë”, i datës 21 shkurt 1997.  Një muaj më parë kish nisur kriza e skemave piramidale.

Prof. Dr. Sali Berisha, President i Shqipërisë” është titulli i madh i gazetës Rilindja Demokratike, të datës 4 mars 1997. Dy ditë më parë Berisha mori mandatin e dytë nga Kuvendi. Titulli dytë i gazetës është: “Shpallet gjendja e jashtëzakonshme në të gjithë Shqipërinë”

Gazeta “Rilindja Demokratike” vetëm 1 javë më pas do të ketë titull të parë: “Bashkim Fino- kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar”. 7 tituj të tjerë të faqes 1 përmendin fjalën Shqipëri, por në kontekstin e qetësisë që kërkohet dhe thirrjeve të ShBA, dhe BE.

“Fitoi Shqipëria” është titulli i Zërit të Popullit më 1 korrk 1997! Dy ditë më parë në zgjedhje PS bashkë me aleatët fiton shumicën dërrmuese në Kuvend dhe po më 29 qershor u zhvillua dhe referendum për formën e regjimit. Votuesit refuzojnë kthimin e Monarkisë.

Zgjedhjet e parakohshme të 29 qershorit 1997 u panë si mjet për qetësimin e situatës dhe zgjidhjen e krizës politike!

Gazeta Shekulli e datës 13 shtator 1998 hapet me titullin: “Vritet para selisë së PD-së, lideri i dhjetorit ’90, Azem Hajdari”. Udhëheqësi i lëvizjes studentore u vra më 12 shtator 1998 para selisë së Partisë Demokratike.

Më 14 shtator 1998 protestuesit e opozitës sulmojnë institucionet qeveritare – “Orët e fundit të Pinoçetit shqiptar” është titulli i madh i gazetës “Zëri Popullit”, i shoqëruar me mbititullin: “Qeveria: të shpartallohet banda e armatosur brenda selisë blu”.

“Më 22 nëntor 1998 Kushtetuta e re miratohet me referendum. “Evropa: Bravo shqiptare” është titulli madh i Zërit të Popullit.
 
Botohet me shkurtime

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama