100 vjet pavaresi Myzeqeja udhekalimi drejt pavaresise

100 vjet pavaresi, Myzeqeja, udhekalimi drejt pavaresise
Patrioti lushnjar, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, Qemal Karaosmani, ishte bashkudhëtar dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Plakut të Flamurit. Pritja në Durrës dhe fjetja në Çermë. Rrugëtimi përmes Myzeqesë pas urdhrit nga Janina për ta arrestuar Ismail beun në qytetin e Lushnjes. Vështirësitë e udhëtimit dhe mbrojtja e Ismail Qemalit nga patriotët myzeqarë. Darkimi në Libofshë natën e 24 nëntorit. Kalimi me lundra i lumit Seman dhe dreka në sarajet e Vrionasve në Fier. Mbërritja në Vlorë mbrëmjen e 25 nëntorit dhe shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor, 1912.

Zoti Qemal Karaosmani rrëfen udhëtimin historik, Durrës-Vlorë me Ismail Qemalin

….Më dhjetë nëntor 1912, vjen një telegram prej Vlone me firmat e z. Elmaz Kanina dhe Etëhem Vlona, drejtue Bashkisë së Beratit ku thuhej: “Përkthimin e telegramit që muerëm dje nga Ismail Qemal beu nga Vjena po e transmetojmë siç vijon: Me vaporrin e parë vij. E ardhmja e Shqipnisë u sigurue. Tue pasë besim në fatin e atdheut të veproni në relacione të mira bashkarisht dhe vëllazërisht që të siguroni vazhdimin e rregullimit të  çështjeve të përgjithëshme. Të mproni qetësinë  dhe më çdo anë të lajmoni telegrafisht.

Të fala atërore.”

Pas bisedimeve të shumta më caktuan mua të shkoja në Durrës e të prisja Ismail beun. Mora me vedi  katër persona dhe tri kuaj rezervë. Pasi fjetëm një nate në Lushnjë, ecëm dhe në aksham hymë në Durrës. Pyeta dhe më thanë se Ismail beu ka zbritur nga vaporri dhe ndodhet në hotelin e Azis Pashës buzë detit. Vrapova për atje, u qafuam dhe folëm gjatë për rrugëtimin e nesërmë.

Të nesërmen u nisëm herët. Afër Kavaje, pranë urës së Darçit, u poqmë me zotin Nebi Sefën që vinte prej Lushnje.

Zoti Nebi më mban pak më mbrapa dhe më thotë se e kishte dërgue Emin bej Vokopola dhe komandanti i gjindarmërisë së Lushnjes kapiten Ibrahim Borshi dhe i kishin komunikue telegramin që kishte ardhur  prej komandantit të përgjithëshëm të ushtrisë të Janinës që “Ismail Qemal beun me gjithë shokët, ose të gjallë, ose të vdekë, ta shtini në dorë”

Komandanti i gjindarmërisë së Lushnjes pra, posa merr këtë urdhën, me një anë dërgon në Gramsh të Lushnjes nji fuqi nën komandën e nëntoger Mefail agait për ta zënë Ismail benë me shokët e tija, dhe më tjetrën  dërgon zotin Nebi Sefën  për të na lajmu neve.

Më thonin që ta lajmoj Ismail beun qi për të shpëtue vehten të hyjë në Konsullatën austriake. Si mbarova letrën së kënduari ndalova Ismail benë në një rrëzë gardhi dhe ia spjegova çështjen gjatë e gjanë. Ai kërkoi vendimin tem. Iu përgjigja:

“Mbasi nuk jam politikan nuk marrë vesht kësi gjanash dhe kam ardhë me u marrë z. Juej dhe me u përcjellë për në Vlonë.; pra jam në dispozicionin e z. Tuej për çdo veprim e urdhën….”

M’u këthye dhe më pyeti nëse ka ndonjë rrugë tjetër që të mos shkojmë nga Lushnja. Iu përgjegja se ka, por nga shirat e shumta nuk ashtë i mundun kalimi.
Plaku i nderçim, si u mendua ca minuta, u kthye dhe më tha: “Pa më ndigjo. Unë erdha këtu për një ide që të shpëtoj atdheun tonë prej skllavërisë së armiqve. Nëse kthehem që këndej a hyj në Konsullatë, ose iki e shpëtonj vehten time, ideja ime për shpëtimin e atdheut ikën e fluturon me mua. Por, nëqoftë se ia mbrrijmë Vlonës, dëshira e jonë plotësohet. E nëqoftë se do vritem, bëhem dëshmor e theror i atdheut të dashtun. Pra nisemi…!”

Këto fjalë atdhetarie të Plakut më bënë përshtypje e më dhanë kurajë. Nga kjo i qëndrova besnik deri në fund.

Vazhduam udhëtimin për ne Çermë. Ismail beu me disa shokë ndenji tek Dervish beu dhe shokët e tjerë tek Behxhet beu. Aty gjetëm edhe njerëz të ardhur nga Lushnja si Halil efendi Libohova, etj. Këtë natë nuk bamë bisedim tjetër veçse punën e rrugës se a dilesh nga Karatopraku i Myzeqesë apo jo? Disa thonjin dilet e disa jo. Në këto fjalë e sipër thirrëm një bujk që kishte ardhur nga Divjaka dhe e pyetëm për rrugët. Na u përgjegj se kishte dalë me shumë zor mbasi uji mbrrinte deri në shalë të kalit.

Ahere, si morëm vesh daljen, megjithë që ishte me shumë zor prej ujit të shumtë, vendosëm të niseshim nga Karatopraku i Myzeqesë por të merrshim edhe një fuqi të konsiderueshme me vete për çdo të papritun. Të nesërmen në mëngjez më kërkojnë jashtë. Dola e shoh një shërbëtor timin, të ardhur nga Krutja. Kishte një letër në dorë.

E mora letrën që vinte me urgjencë prej vëlllait tim, Galip Karaosmanit, i cili gjindesh major i Batalionit të Lushnjes në Berat. letrën ia kishin dërguar me telegraf Ali bej Vokopolës, të ndyerit Azis pashës dhe Baki efendisë. Në letër shkruhej se kishte ardhur telegram nga Janina që thoshte se Ismail benë me gjithë shokët ta nderoni. Prandaj njofto Ismail benë. Posa e njoftova Ismail benë, mbrriti edhe Mefail Agaj, i cili kishte dalun me urdhër për të na zënë. Ky hyni dhe i puthi dorën Ismail beut.
Atëhere gjithë ata persona që kishin ardhë prej Lushnje iu lutën shumë Ismail beut që ta linte rrugën përmes Myzeqesë dhe të vazhdonte për në Lushnjë. Por Plaku i matun më thirri vetëm mue për të bisedue çështjen dhe më pyeti se ç’mejtim jap. I çfaqa dy mendime:

Nëqoftëse ky telegram ashtë i vërtetë atëhere ashtë mirë që të shkojmë nga Lushnja mbasi edhe populli i Lushnjes dëshiron që t’Ju shohi z. Juej. Dhe në asht ndonjë dinakëri për të na kapë atëherë ma mirë të ecim rrugës që caktuem mbramë, përmes Myzeqesë. Pas këtij kuvendimi , u këthye e më tha: “Edhe i vërtetë të jetë ai telegram, për ne është hajërli të ecim nga rruga që vendosëm mbrëmë, duke marrë edhe njerëzit e armatosur që caktuam…”

U nisëm në rrugën përmes Karatoprakut (Myzeqesë), dhe mbrrimë në Remën e Sulzotajt që ishte e mbushun krejt, tej e tej me ujë. E kaluam me shumë zor, duke u lagur, por me fat se nuk kishte rrymë.

Si kaluam që këtej, mbrritëm në Libofshë. Këtu fjetëm këtë natë në konakët e vakëfit që kishte ngritur i ndyeri Nedin bej Leskoviku kur ishte Drejtor i vakëfeve të “Valide Sulltanës”.

Të nesërmen u nisëm herët për ta ngrënë drekën në Fier dhe darkën në Vlonë. Por sapo mbrrimë tek lundra e Petovës, u takuam me delegatët e Elbasanit dhe të Kosovës zotërinjtë Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mithat Frashëri, Salih Xhuka dhe Bedri Pejani. Këta kishin ardhë nga Elbasani dhe kishin fjetë këtë natë në çifligun Godolesh të Dhimitër Dashit që edhe ky kishte ardhë bashkë me ta.

Kur delegatët e lartpërmëndun ishin tue u fjalosë me Ismail benë, prej pllajës së malit dolën disa gjindarmë dhe u drejtuan drejt Plakut.

Na ra ndërmend telegrami që na erdhi në fund që e quajtëm kurth e dinakëri. U bindëm se gjindarmët që po vinin kishin urdhën për të na zanë.

Kur gjindarmët u avitën, u doli para Lef Nosi e u fjalos me ta. Pastaj i muer dhe i pruni ke Ismail beu që e nderuen dhe i puthën dorën.

Gjindarmët e varfër, mbasi ishin shqiptarë dhe posa morën vesh se ishte Ismail Qemal beu, vrapuan t’ia puthnin duart Plakut të vyer dhe t’i marrin uratën.
Prej andej mbërritëm në Fier tek i ndyeri Ymer pashë Vrioni ku hëngrëm drekën dhe sado që na u lut edhe për darkë, Ismail beu nuk ndigjoi mbasi duheshe me shku nji orë e ma parë në Vlonë.

U përgatitëm për udhëtim kur Ismail beun e kërkuan në zyrën telegrafike. Më mori edhe mua me vete dhe shkuam në telegrafë të Fierit. Korespondoji me Durrësin dhe me Elbasanin që pyetshin se ushtria sërbe po afrohesh dhe kërkojshin mendim si të vepronin. Iu dha përgjigje:- Në rastin e ardhjes, t’i pritni me Flamurin Kombëtar në dorë dhe të deklaroni se i prisni si mysafirë.

Në Fier pritëm edhe shumë persona si z. Arshi Halili, Major Bilal Nivica, Hamza Isain dhe shumë të tjerë. Sëbashku me këta, tue ça baltrat e fushës së Vlonës, mbërritëm aty nga ora nandë allafranga. Hymë në qytet dhe zbritëm në shtëpinë e zotit Hasan agë Sharrës me vëllazën.

Mbasi hangrëm darkë u shpërndamë nëpër shtëpitë e caktueme por mua Ismail beu më mbajti aty për nevojën e korrespondencës.

Të nesërmen, ditën e martë dhe të mërkurrën ndenjtëm në pushim mbasi nuk ishin mbledhun gjithë delegatët si i ndjeri Myfit Libohova, zoti Poga e të tjerë. Posa u muer vesht që mbërritën, ditën e enjte, më 28 Nanduer, 1912, mbas dreke, të gjithë delegatët u mblodhën në shtëpinë e Xhemil bej Vlonës.

Simbas spjegimeve që na dha i ndyeri Ismil Qemal beu, të gjithë në një za dhe me brohoritje të zjarrta, në orën njëmbëdhjetë allaturka mbasdreke, u proklamua Indipendenca e Shqipnisë tue value Flamuri Kombëtar ndër duart e Ismail Qemal beut.

Mbasandaj të gjithë zbritëm poshtë tue këndue kangë kombëtare dhe tue brohoritë ngrehëm Flamurin kuq e zi mbi portën e shtëpisë së Xhemil beut.

Mbas dy-tri ditësh, si u rregulluan punët, i kërkova leje Ismail beut tue i thanë:-Nashti, dëshira jonë u plotësue. Për detyrën që më ke ngarkue nuk kam cilësitë e duhuna që ta kryej si duhet. Pra, me që ka shumë persona me ma kulturë të cilët, meritojnë për kësi detyre, Ju lutem ma jepni lejën të shkojë…

Plaku m’u përgjegj kështu:- Detyra që të kam ngarkue ty, nuk kërkon dijetarë dhe intelektualë por ka nevojë për besnikë me karakter. Prandaj ti do të mbetesh me mue.

Nëse ngul këmbë, do më mbetet hatri…!

Desha, s’desha, iu binda urdhënit të Tij dhe mbeta aty me titullin “Këshilltar dhe kryesekretar i Kryesisë së Shtetit”
Nandor, 1936.   

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama