100-vjetori i Pavaresise largohet nga Shqiperia Meshari i Gjon Buzukut

100-vjetori i Pavaresise, largohet nga Shqiperia Meshari i Gjon Buzukut
Pas më pak se një muaj qëndrimi në Shqipëri, libri i parë në gjuhën shqipe, Meshari i Gjon Buzukut është larguar sot nga ambjentet e Biblotekës Kombëtare në kushte të larta sigurie. Libri i çmuar i historisë së popullit shqiptar e ka shtëpinë në Selinë e Shenjtë të Vatikanit, dhe u soll në vendin tonë me rastni e festimeve të 100- vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar.

Që prej datës 11 nëntor, meshari ka qëndruar në një nga sallat e ekspozimit të Biblotekës Kombëtare në Tiranë dhe është vizituar nga qytetarë të shumtë.

Vepra e parë e shkruar në gjuhën shqipe është pikërisht “Meshari” i Buzukut, i cili e filloi ta shkruante më 20 mars 1554 dhe e mbaroi më 5 janar 1555. Që nga botimi e deri në vitin 1740, gadi dy shekuj, “Meshari” ishte një vepër e humbur, një vepër e panjohur. Më 1740 atë e zbuloi ne Bibliotekën e Propaganda Fides, afër Romës, Mesharin e don Gjon Buzukut (1555) ipeshkvi i Shkupit, Imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova. Gjithë gëzim për këtë gjetje, ai njoftoi Gjergj Guxetën në Palermo të cilit i dërgoi një faqe. Libri mendohet tue jetë shtypur në Venedik me alfabetin latin, duke shtuar disa shenja cirilike për tingujt në shqip. Ky zbulim bëri bujë të madhe, sepse është libri i parë në gjuhën shqipe. Ky zbulim mbeti ne heshtje për më tepër se një shekull, deri më 1909, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi,

Më 1932 libri u fotokopjua në tri kopje, njëra nga të cilat gjendet ne Bibliotekën Kombëtare Shqiptare ne Tirane. Me 1968, gjuhëtari i shquar shqiptar Eqerem Çabej, botoi studimin shkencor te veprës së Buzukut të shoqëruar me studimin për gjuhën dhe meritat e autorit.

Ashtu siç është sot, ka 188 faqe, i mungojnë 16 faqet e para, por edhe disa të tjera në mes. Kështu që, duke mos pasur as kopertinë, as faqen e parë, nuk dihet as titullin e tij të vërtetë dhe as vendin e botimit etj. Ndoshta po ta kishte kopertinën ose faqen e parë, libri mund të ishte zhdukur, sepse, me sa duket, ka qënë ne listën e atyre librave që kanë qenë ndaluar.Kështu që janë zhdukur nga qarkullimi të gjitha kopjet e tij dhe mbeti vetem kjo që është e gjymtuar. Kjo ndoshta, është arsyeja që ajo sot gjendet vetëm në dy kopje, të fshehura e të harruara që i ka shpëtuar syrit të inkuizicionit. Kopja që gjendet me sa duket ka qënë përdorur shumë. Veç fletëve të grisura, në shumë faqe anash ka shënime e emra priftërinjsh që, me sa duket, e kanë pasur nëpër duar.

Libri është shkruar në shqipen e asaj kohe. Gjuha e veprës është ajo e dialektit të Shqipërisë Veriore e Perëndimore.Për disa tinguj të shqipes si: q, gj, th, dh, z, x, etj; që nuk i përkasin gjuhes latine, autori përdor pesë shkronja që kanë përngjasim me disa shkronja të alfabetit cirilik. Këtë alfabet do ta përdorin edhe autorë pas tij, me ndonjë ndryshim të vogël. Përmbajtja e veprës dëshmon për përdorimin e shqipes në shërbesat fetare. Kryesisht ka pjese liturgjike, pjesë që lexohen e rilexohen vetëm prej klerikëve në shërbesat kishtare, përkthim i një libri latinisht i shkruar me alfabetin latin.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama