Që nga botimi e deri në vitin 1740, gadi dy shekuj, “Meshari” ishte një vepër e humbur, një vepër e panjohur. Më 1740 atë e zbuloi ne Bibliotekën e Propaganda Fides, afër Romës, Mesharin e don Gjon Buzukut (1555) ipeshkvi i Shkupit, Imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova. Gjithë gëzim për këtë gjetje, ai njoftoi Gjergj Guxetën në Palermo të cilit i dërgoi një faqe. Libri mendohet tue jetë shtypur në Venedik me alfabetin latin, duke shtuar disa shenja cirilike për tingujt në shqip. Ky zbulim bëri bujë të madhe, sepse është libri i parë në gjuhën shqipe. Ky zbulim mbeti ne heshtje për më tepër se një shekull, deri më 1909, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi,
Më 1932 libri u fotokopjua në tri kopje, njëra nga të cilat gjendet ne Bibliotekën Kombëtare Shqiptare ne Tirane. Me 1968, gjuhëtari i shquar shqiptar Eqerem Çabej, botoi studimin shkencor te veprës së Buzukut të shoqëruar me studimin për gjuhën dhe meritat e autorit.
Ashtu siç është sot, ka 188 faqe, i mungojnë 16 faqet e para, por edhe disa të tjera në mes. Kështu që, duke mos pasur as kopertinë, as faqen e parë, nuk dihet as titullin e tij të vërtetë dhe as vendin e botimit etj. Ndoshta po ta kishte kopertinën ose faqen e parë, libri mund të ishte zhdukur, sepse, me sa duket, ka qënë ne listën e atyre librave që kanë qenë ndaluar.Kështu që janë zhdukur nga qarkullimi të gjitha kopjet e tij dhe mbeti vetem kjo që është e gjymtuar. Kjo ndoshta, është arsyeja që ajo sot gjendet vetëm në dy kopje, të fshehura e të harruara që i ka shpëtuar syrit të inkuizicionit. Kopja që gjendet me sa duket ka qënë përdorur shumë. Veç fletëve të grisura, në shumë faqe anash ka shënime e emra priftërinjsh që, me sa duket, e kanë pasur nëpër duar.
Libri është shkruar në shqipen e asaj kohe. Gjuha e veprës është ajo e dialektit të Shqipërisë Veriore e Perëndimore.Për disa tinguj të shqipes si: q, gj, th, dh, z, x, etj; që nuk i përkasin gjuhes latine, autori përdor pesë shkronja që kanë përngjasim me disa shkronja të alfabetit cirilik. Këtë alfabet do ta përdorin edhe autorë pas tij, me ndonjë ndryshim të vogël. Përmbajtja e veprës dëshmon për përdorimin e shqipes në shërbesat fetare. Kryesisht ka pjese liturgjike, pjesë që lexohen e rilexohen vetëm prej klerikëve në shërbesat kishtare, përkthim i një libri latinisht i shkruar me alfabetin latin. Për ilustrim po sjellim një pjese nga kjo vepër:
“…Ndë vjetët 1554 njëzet dit ndë mars zuna nfill, e mbarova ndë vjetët 1555, ndë kallënduor 5 ditë. E se për fat në keshë kun mbë ndonjë vend fëjyem, u duo tuk të jetë fajtë, aj qi të jetë ma i ditëshim se u, ata faj e lus ta trajtojnë ndë e mirë…Përse nukë çuditem se në paça fëjyem, këjo tue klenë ma e para vepërë e fort e fështirë për të vepruom ndë gluhët tanë…”
(…Ne vitin 1554 njëzet ditë të marsit e fillova dhe e mbarova në vitin 1555, në dhjetor 5 ditë. E në se, për fat, do të kem gabuar kund më ndonjë vend, unë dua, ku të jetë gabimi, ai që të jetë më i ditur se unë, atë gabim e lus ta ndreq. Sepse nuk çuditem në paça gabuar, duke qenë kjo vepër e parë e fort e vështirë për t’u punuar në gjuhën tonë).