11 shtatori dhe fillimi i renies se Amerikes

11 shtatori dhe fillimi i renies se Amerikes
Ngjarjet e 11 shtatorit të vitit 2001 u pasuan nga një valë solidariteti ndërkombëtar ndaj Shteteve të Bashkuara. Por superfuqia e humbi atë vullnet të mirë për të cilin vlerësohej, gjatë rrjedhës së luftërave që pasuan menjëherë pas tragjedisë. Sot Amerika shihet gjithnjë e më pak si një viktimë e terrorizmit dhe gjithnjë e më shumë si një nxitëse luftërash dhe dhune.

Tymi ende vazhdonte të dilte nga godinat e rrëzuara të kullave binjake në mesin e Nju Jorkut kur  Riçard Armitazh, në atë kohë zëvendëssekretar i Shtetit, mbajti një fjalim në të cilin tha: “Historia fillon sot”. Në dhjetëvjeçarin pasues doli se Armitazh kishte pasur të drejtë – vetëm se politikani në fjalë nuk mund ta kishte parashikuar në atë kohë tragjizmin e luftërave që pasuan këtë ngjarje historike. Dhe bëhet fjalë për ngjarjen historike që ka të bëjë me rënien dhe perëndimin e Shteteve të Bashkuara si superfuqi. Menjëherë pas sulmeve, ky vend ishte në kulmin e begatisë dhe mirëqenies ekonomike, siç ishte Roma në ditët e saj më të mira.

Presidenti i vendit, Bush, republikan, kishte trashëguar një buxhet të majmë  nga paraardhësi i tij, demokrati, Klinton. Në Kosovë, Shtetet e Bashkuara sapo u kishin treguar europianëve se si duheshin zgjidhur konfliktet e vjetra të kontinentit. Bill Gates dhe Microsoft ishin ende në formë të mirë dhe në majën e suksesit. Më pas erdhën avionët e pilotuar nga ndjekësit e Osama Bin Ladenit dhe për një moment të shkurtër superfuqia u duk më e fuqishme se kurrë. Lideri palestinez, Arafat, u fotografua duke dhënë gjak për viktimat e sulmit. Edhe francezët madje krejt menjëherë dhe pa e menduar gjatë u solidarizuan aq shumë me amerikanët sa donin që brenda ditës të bëheshin të tillë. Kancelari gjerman, Shrëder, premtoi “solidaritet pa kufi”. Ajo çka pasoi ishte një gabim jashtëzakonisht i madh. Bin Laden kishte shpresuar që ta përfshinte Amerikën në një luftë të përgjakshme dhe as vetë nuk do t’ia kishte marrë mendja se sa mirë që do t’ia kishte dalë mbanë një objektivi të tillë. Amerika u përfshi në Irak për vite të tëra dhe fitorja kërkoi shumë vite që të vinte dhe si përfundim nuk ishte kurrë e plotë.

Amerika është aktualisht edhe e bllokuar në luftën e saj tjetër, atë të Afganistanit, ku fitorja duket edhe më e pamundur. Dhe për më tepër, ajo është e përfshirë edhe me aleatin e vet, Pakistanin, të cilin tashmë nuk e beson, por edhe që nuk mund ta bëjë armik. Këto janë humbje shumë të kushtueshme të Amerikës dhe pjesës tjetër të botës. Sipas një vlerësimi të Universitetit Brown në Irak dhe në Afganistan ka pasur thuajse 140 000 viktima civile. Sa për koston financiare, ajo është aq e madhe sa gjithë ato para të harxhuara do të kishin përmirësuar dukshëm jetën e amerikanëve që sot janë në një gjendje të rëndë ekonomike dhe papunësie. Fill pas sulmeve, por për një periudhë shumë të shkurtër, vendi u duk se ishte bashkuar. Amerikanët përqafuan njëri-tjetrin.

Madje edhe qyteti i ftohtë dhe egoist i Nju Jorkut u duk befas i ngrohtë, madje i nxehtë nga gjithë ajo energji njerëzore. Por në vend që Bush në rrethana të tilla të kultivonte pikërisht unitetin e popullit dhe shpirtin e bashkësisë, e përdori gjithë këtë situatë për të gjetur pretekstin e shumëdëshiruar për të nisur luftërat në Afganistan dhe Irak. Kjo është trashëgimia më tragjike, pra fakti që Amerika nuk mundet as që të mbajë zi për viktimat e saj në mënyrën e duhur, sepse amerikanët prej kohësh nuk janë vetëm viktima, por gjithashtu edhe agresorë. Por dhjetëvjeçari i terrorizmit ishte një dhjetëvjeçar që i traumatizoi keq amerikanët, madje edhe ata që i përjetuan sulmet vetëm përmes ekranit të TV.

Sot, Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të ndara si vende për sa i përket anës sociale. Dallimi mes të pasurve dhe të varfërve  është thuajse i atyre përmasave që ishte në ditët e baronëve të naftës dhe manjatëve të çelikut, shekullin e kaluar. 5% e amerikanëve  blejnë thuajse 40% të të gjitha mallrave të konsumit që shiten në këtë vend. Amerika është një vend në luftë me veten. Ajo ka një Kongres në të cilin ekziston konflikti i vazhdueshëm mes të majtës dhe të djathtës dhe ku palët as që i flasin njëri-tjetrit edhe në situatat më ekstreme si atë të prag recesionit, apo krizës financiare ekstreme. Shtetet e Bashkuara si asnjë vend tjetër u bënë një vend i madh për shkak të hapjes. Tani ky vend është shndërruar në një vend mosbesues, të frikësuar dhe në pozicion mbrojtjeje ndaj myslimanëve, ndaj të huajve të çdo ngjyre dhe feje, ndaj të gjithë atyre që janë të ndryshëm. Milicët gjurmojnë dhe kapin të huajt e paligjshëm në vend dhe janë të shumtë ende ata që nuk e kanë tretur ende praninë e një Presidenti të zi në Shtëpinë e Bardhë.

Vendi aktualisht ka një statistikë shumë të keqe për sa i përket situatës shëndetësore edhe pse ka një sistem të kujdesit shëndetësor ndër më të shtrenjtët dhe më të kushtueshmit në botë. Për të mos folur mbi të gjitha për çmendurinë ushtarake që thith miliarda dollarë. Shtetet e Bashkuara shpenzojnë për armatime të njëjtën sasi që shpenzojnë të gjitha vendet e botës të marra së bashku. Më pas është sistemi financiar, një sistem që favorizon bixhozin ku njerëzit më të talentuar të vendit nuk e vrasin më mendjen se si të shpikin patenta të reja, por si të shpikin mënyra sa më të sofistikuara mashtrimi bankar. Ndërkohë, Kina dhe ekonomi të tjera në zhvillim janë përqendruar në rilindjen dhe zhvillimin e tyre kombëtar.

Ku ka shkuar Amerika e njëherë e njëkohshme? Ja si e perifrazon dhe e përmbledh përgjigjen e kësaj pyetjeje revista “New York Magazine”: “Dhjetë vjet më pas Amerika duket tani si vendet e tjera – mënyra e përqafimit të kapitalizmit është komplikuar dhe ne jemi shumë më pak unikë se në të shkuarën”. Edhe në politikën e jashtme, Amerika nuk shihet më si një rol model edhe pse ata që e qeverisin vazhdojnë që të këmbëngulin se Amerika është në të vërtetë dhe do të jetë një rol model. Ndërkohë që masat duan një Amerikë më të tërhequr, me trupat amerikane që duhet të vijnë më në fund në shtëpi. Shtetet e Bashkuara janë huazuar me pjesën tjetër të botës. Pjesërisht për faj të vetin, por pjesa tjetër e botës gjithashtu ka një pjesë të fajit, sepse janë të shumtë ata që e shohin Amerikën vetëm si një agresore, jo më si një viktimë. Kjo u duk më e qartë kur u vra Bin Ladeni. Kur amerikanët dëgjuan këtë lajm buzëqeshën spontanisht, por një pjesë e mirë e njerëzve në anë të tjera të botës nuk festoi me amerikanët. Madje, ata reaguan me të drejtë në lidhje me gëzimin e shprehur hapur nga amerikanët në lidhje me vrasjen e terroristit. Ndërkohë, ky qëndrim nënvizon një akt, atë që viktimat e sulmeve nuk ishin më në qendër të vëmendjes. Në vend të mëkateve të shkaktarit të viktimave amerikane u vunë në qendër të vëmendjes mëkatet amerikane. Tashmë superfuqia duhet që të fajësojë veten dhe kjo veç të tjerash është edhe e trishtë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama