111 ne kerkim

111 ne kerkim
Një herë në pesë vjet Galeria Kombëtare e Arteve kryen inventarin e koleksioneve të saj në pikturë, skulpturë, vizatime, grafika dhe ikona, rreth 6000 mijë vepra gjithsej. Drejtori i GKA-së Rubens Shima tregon se pjesë e këtij procesi është verifikimi i të gjitha veprave që kanë para dhe pas viteve ’90. Këto ose figurojnë me tjetër pronar shtetëror, ose kanë humbur. GKA ka arritur që nga 120 vepra të identifikuara të kthejë në fondet e saj nëntë piktura dhe skulptura.

Çfarë të dhënash keni për inventarin e fundit?

Këto vite na është dashur ta shqyrtojmë gjithë fondin për ekspozitën 100 vjet histori e skulpturës dhe pikturës në Shqipëri. Vepra e kësaj linje ku janë ekspozuar rreth 260 punë, kanë kaluar në restaurim të thellë apo sipërfaqësor. Në përgjithësi veprave iu janë ndërruar kornizat për shkak të shfaqjes së insekteve.

Gjatë këtyre viteve kemi ndjekur edhe inventarin me autorë të veçantë, sikurse kemi kaluar në dorë gjithë koleksionin me rreth 160 ikona që u bë para një viti. Gjendja e tyre është optimale. Por ka vepra problemi i të cilave lidhet me punën e restaurimit e që i tejkalojnë mundësitë e laboratorit tonë modest.

Gjetët mungesa?

Situata e koleksioneve është komplekse. Unë do ta ndaja në dy periudha koleksionin e GKA-së, para dhe pas viteve ‘90. Para këtij kufiri ka patur një praktikë të çuditshme. Institucionet kombëtare mund të “fusnin duart” në koleksion, madje me një procesverbal veprat edhe mund t’u faleshin udhëheqësve të kohës. Në këtë kohë kanë dalë nga GKA rreth 120 vepra.

Me ndryshimet që ndodhën në vend, shumë nga këto institucione u mbyllën ose nuk ekzistojnë më si ish-Komiteti Qendror, ish-Komiteti i Partisë së Rrethit, ish-Ministria e Kulturës dhe Arsimit, ish-Komiteti i Marrëdhënieve me Botën e Jashtme, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, ish-Komiteti i Veteraneve, ish-Kombinati i Autotraktorëve “Enver Hoxha” që ka patur skulptura etj. Pra, shpërndarjet kanë qenë nga më të çuditshmet. Nga verifikimet e bëra mjaft vepra nuk gjenden.

Quhen të humbura?

Na rezulton që disa nga veprat ekzistojnë të magazinuara, disa të tjera figurojnë me dubël-inventare, që do të thotë se vepra veç inventarit të Galerisë, ka marrë edhe inventarin e institucionit që e ka marrë dikur për ekspozim dhe është bërë pronë e tij.

Mund të përmendi raste?

Kemi rastin e disa veprave të Vangjush Mios që i mban Presidenca, ashtu sikur ka vepra gjurmë të të cilave nuk kemi. Sot procedurat kanë ndryshuar. Për të rimarrë përsëri në pronësi veprat që e dimë se ku ndodhen duhet të vendosë Këshilli i Muzeve. Falë kësaj procedure na janë kthyer nëntë vepra që kanë dalë që këtej para nëntëdhjetës, sikundër janë kthyer 45 të tjera që kanë qenë në MTKRS.

Këto janë ato që ishin zgjedhur për dekorim nga ish Ministri Pango?

Po. Kemi tërhequr 12 vepra që kishin hyrë më 2003 në Ministrinë e Integrimit. Ka patur një dalje në masë gjatë viteve 2003-2005, disa duke respektuar procedurën e  disa duke mos e respektuar. Galeria do të detyrohet t’iu hyjë çështjeve gjyqësore për të kërkuar kthimin e veprave të saj.

Sa ka mes tyre vepra shumë të rëndësishme? Çfarë baze ligjore i motivon këto lëvizje?

Kanë dalë vepra shumë të rëndësishme. Sigurisht që ekziston një bazë ligjore. Në Ligjin “Për Trashëgiminë”, neni 19, parashikon që autoriteti mund të firmosë daljen e këtyre veprave për ekspozim të përkohshëm për publikun jo për zyrat e ministrave apo për hollet e ministrive.

Cili institucion ka qenë më lakmitar?

Ekziston një dëshirë e madhe për t’i dekoruar zyrat me këto vepra edhe po të jenë të realizmit socialist, rëndësi ka të mos jetë aty Enver Hoxha. Për mua i lakmojnë ata drejtues institucionesh që trashëgojnë një mendësi atavike nga e kaluara.

Gjashtë vepra në pikturë që kanë dalë që këtej në vitin 1984 u gjendën në magazinat e Muzeut Historik Kombëtar. Një nga këto e kishim me dubël-inventar derisa shkoi puna në Këshillin e Muzeve. Në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare gjetëm një vepër e dalë më 1988. Pavarësisht se destinacioni nuk ka qenë për Bibliotekën Kombëtare, ne nuk dimë se si ka përfunduar në Muze apo në BK. Kemi gjetur një vepër në Galerinë e Shkodrës, jemi në procedurat e kthimit. Kemi kthyer “Pyllëzimin” e Kristina Koljakës, skulpturë që ka shërbyer për të dekoruar ish-mjediset e Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Gjithsej, para vitit ’90 kanë dalë nga GKA 120 vepra. Nga këto mbesin ende 111 vepra për t’u kthyer. Nuk është bërë asnjëherë një gjurmim i plotë i këtyre veprave.

Për vlerat që përfaqësojnë quhet shifra 111 humbje e madhe?

Për atë kohë është një shifër e konsiderueshme, megjithëse fondi ynë përmban rreth 6000 vepra. Kjo dalje është bërë konform rregullave të së kaluarës dhe ne nuk mund të gjykojmë rregullat e atij sistemi. Praktika ka qenë e tillë, që ai sistem për arsye shtetërore fuste duart në fondin e Galerisë Kombëtare dekoronte zyrat, mjediset e pritjeve. Disa vepra të GKA-së kanë përfunduar nëpër magazinat e ambasadave.

Cili institucion ju është debitori më i madh?

Kryeministria e cila ka rreth 23 vepra që i ka tërhequr pas ‘90s dhe 9 vepra që kanë dalë më 1984. Bëhet fjalë për tablo me personazhe dhe ngjarje historike, me temën e luftës apo peizazhe romantike. Presidenca posedon 7 vepra që kanë dalë në vitin 1986, janë dubluar në inventarët e tyre dhe ky institucion refuzon kthimin.

Cilët autorë preferohen?

Presidenca dhe shtëpitë e pritjes kryesisht kanë marrë Mion dhe është e kuptueshme që më mirë se peizazhet romantike realiste të Mios apo autorëve të tjerë, në mjediset ku hyjnë e dalin delegacione nuk mund të rrinë supermenët e realizmit socialist. Çdo institucion ka ditur të zgjedhë sipas fizionomisë së tij. Një vilë pritjeje nuk dekorohej fjala bie me Vojo Kushin.

Bëhet fjalë edhe për objekte qeramike, vazo e figurina shumica e të cilave kanë humbur ose janë shkatërruar. Brenda kësaj shifre totale, 120, llogariten edhe ato.

Njerëzit mund të thonë, ç’të keqe ka, institucion galeria, institucion kryeministria. Vepra është aty në inventar. Çfarë vlerash estetike kanë këto vepra që kërkoni ju e që iu jepni një mbrojtje të veçantë?

GKA-ja ruan koleksionin publik të veprave të artit për gjithë vendin. Këtu ka vepra unikale siç ka vepra të zakonshme. Megjithatë, ky fond i parë en bloc përbëhet kryesisht nga trashëgimia e realizmit socialist. Në dritën e kuratorëve ose të studiuesve të ndryshëm kjo lëndë, merr vlera dhe rëndësi të ndryshme: në një periudhë ne jemi të interesuar për të vlerësuar tek ajo anën akademike; një herë tjetër duket sikur interesi ndaj saj është thjesht për efekt dokumentimi; sipas një qëndrimi tjetër, edhe tek ato vepra që duken ndonjëherë amatore fare, në një kontekst të caktuar vlera e tyre është jo e zakontë. Është shumë e vështirë që të bëjmë një ndarje të prerë. 

Në këtë kuptim ju iu jepni vetiu statusin e trashëgimisë kombëtare?

Ky është koleksioni i GKA-së. Por kur këto vepra merren dhe përdoren si element dekorativ, denatyrohen. Mania e drejtuesve për të zbukuruar zyrat me këto vepra, e thashë edhe më lart, është një mendësi e të kaluarës. Institucionet kanë mundësi për të ndërtuar koleksionet publike. Nuk është Shqipëria vend kaq i varfër. Ministritë, Banka e Shqipërisë, Kryeministria, të ndërtojnë programet e tyre për artin, të krijojnë koleksionet publike. Kjo është një ndihmesë e madhe dhe për infrastrukturën e tregut, është një praktikë e zakonshme në vendet evropiane, në vend që institucionet tona të fusin duart në Galerinë Kombëtare të Arteve.  E vetmja zgjidhje është propozimi për amendimin e nenit 19. 

E frenon fenomenin ky ndryshim në ligj?

Ne nuk mund t’i vëmë fre fenomenit për sa kohë ligji e justifikon. Meqenëse MTKRS kërkon edhe prej nesh sugjerime për Ligjin “Për Trashëgiminë”, GKA-ja po bën propozimet e saj. Ne propozojmë që pika ku ministri i Kulturës ka të drejtë të autorizojë daljen e veprave të Galerisë për ekspozime të përkohshme nëpër institucionet publike të mos ekzistojë më. Duke mos i dhënë më mundësi ligjore ministrit dhe drejtorit të GKA-së do ta zgjimin përfundimisht problemin. Në këtë mënyrë një akt i tillë në të ardhmen do të përbënte kundërvajtje penale.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama