Beteja me pupla kanë shpërthyer dje në të gjithë botën në përvjetorin e pestë të ditës ndërkombëtare të luftës me jastëkë. Nga Europa në Azi, nga Amerika në Lindjen e Mesme, mijëra njerëz kanë dalë në sheshe duke bërë “betejë” me pupla me njerëz krejtësisht të panjohur, për gallatë. Rrugët në 115 qytete në 39 vende të botës u mbushën me pupla në ditën e organizuar nga “Urban Playground Movement”. Jo në çdo vend kjo ditë është pritur me humor. Në Kinë, policia nxori njësitë policore për të bllokuar ata pak njerëz që kishin dalë për të luajtur me jastëkë në Sheshin e Popullit, në Shangai. Faqja e organizatorëve të kësaj feste, që ka marrë jehonë ndërkombëtare, nuk përcakton se sa njerëz kanë marrë pjesë, por kërkon mirëkuptim që ky organizim të merret si përjetim i fëmijërisë.