Konsumatori
Një kamerier i inatosur që sillet keq me porosinë ose ndonjë shef i ngathët, i cili mund të na e fusë përsëri në pjatë biftekun që i ra nga duart, – këto janë makthet që na zënë teksa qëndrojmë të ulur në karriget e restoranteve. Mos u shqetësoni, ka edhe fakte flagrante që ju ndodhin para syve. Ushqimi që përgatisni në kuzhinë mund të përmbajë disa produkte të pasigurta, të cilat i keni marrë në supermarket. Është një sfidë e vërtetë mbajtja nën kontroll e artikujve të pafund. Ja 12 këshillat që duhet t’i mbani mend herën tjetër që të qëndroni përballë një supermarketi.
12. Inspektorët e ushqimeve bëjnë kontrolle të përgjithshme. Këtë vjeshtë në SHBA, kikirikët e kontaminuar ishin burim i një bakteri të quajtur Salmonela, i cili shkakton helmim të ushqimit. Kjo sëmundje u përhap me shpejtësi në 20 shtete dhe 41 konsumatorë të pafat u sëmurën pa e kuptuar shkakun. Ndodh që inspektorët të tolerojnë vazhdimësinë e produkteve, të cilat nuk përmbushin standardet. Kjo u vu re edhe në Shqipëri shumë pak kohë më parë kur plasi skandali i cilësisë së qumështit. Është bërë e zakonshme që këto produkte të dalin nga qarkullimi, vetëm kur konsumatorët sëmuren rëndë dhe kur nuk ka më vend për justifikime.
11. Dyqanet shesin edhe ushqim të skaduar. Jo çdo njeri i kushton rëndësi skadencës së ushqimeve, ndodh që për ironi ta shohim datën pasi e kemi konsumuar ushqimin. Ajo që duhet të dini është se jo gjithnjë duhet t’i besoni etiketës që shihni mbi çdo ushqim. Kjo për dy arsye: E para se zakonisht u lihet në dorë të lirë supermarketeve të vlerësojnë se kur do ta nxjerrin produktin nga tregu dhe e dyta mund t’ju ketë rastisur të shihni mbivendosje të datës së skadencës në artikuj të veçantë. Natyrisht që ka shumë supermarkete të kujdesshme, të cilat nuk duan të përballen me pasoja ligjore dhe në këtë mënyrë i hedhin ushqimet e skaduara. Nga ana tjetër, ka edhe persona që dëshirojnë të përfitojnë sa më shumë dhe për këtë arsye, nuk u duket e përshtatshme që t’i heqin ushqimet nga tregu.
10. Mishi mund të mos ruhet në temperaturën e duhur. Mishi dhe nënproduktet e tij duhet të ruhen nën temperaturën 4 gradë celsius për të qenë të konsumueshme nga njerëzit, por inspektimet tregojnë se ka raste kur supermarketet dështojnë në përmbushjen e kësaj kërkese. Gjatë mbikëqyrjes nga agjencitë përkatëse ka rezultuar se temperatura e duhur, mbahet vetëm në gjysmën e kohës dhe se në disa raste mishi mund të jetë ruajtur edhe në 12 gradë celsius. Në këtë temperaturë patogjenë si Staph dhe Salmonela e kanë shumë të thjeshtë të zhvillohen.
9. Karrocat e supermarketeve mund të gëlojnë nga bakteret. Një studim i Universitetit të Arizonës zbuloi se 72 për qind e karrocave të supermarketeve janë të mbushura me bakterin fekal. Në fakt, studimi doli në përfundim se karrocat e dorës janë shumë herë më të ndotura sesa niveli i ndotjes në një tualet normal. E gjitha kjo vjen si pasojë e anashkalimit të higjienës nga bizneset.
8. Ushqimi juaj mund të jetë i vjetër. Prodhuesit janë të lirë të “rinovojnë” një produkt që nuk pati shansin e duhur në herën e tij të parë. Kjo nënkupton që nëse një produkt nuk është shitur, prodhuesit mund ta tërheqin atë mbrapsht dhe ta përdornin për të prodhuar një tjetër produkt që e përmban atë. Për shembull një sasi qumështi e dështuar mund të përdoret për të bërë nënprodukte të tjera të qumështit. Gjithë qëllimi është minimizimi i humbjeve, gjë e cila bëhet në kurriz të konsumatorëve.
7. Produktet janë të mbushura me pesticide. Vetëm 0.00002 për qind e produkteve provohet për përmbajtje të pesticideve. Inspektimet shpesh pasqyrojnë vetëm këtë shifër, ndërsa pjesa tjetër mbetet në dorë të fermerëve. Edhe nga kjo sasi e kufizuar testesh që bëhet, rezulton se përfundimet lënë për të dëshiruar. Siguria e konsumatorit duket se nuk është aq e kontrolluar sa ç’do të dëshironim, për këtë arsye e vetmja gjë praktike që mund të bëjmë është të kujdesemi vetë për shëndetin tonë.
6. Manaferrat e paketuara përmbajnë myk. Mund të mendoni se ushqimet e paketuara janë më pak të rrezikuara nga ekspozimi në ambiente të papërshtatshme, por duhet të rimendoheni. Inspektimet tregojnë se rreth 45 për qind e luleshtrydheve të ngrira ose paketuara përmbajnë myk.
5. Mund të ketë grimca krimbash në makaronat tuaja. Për çdo pako makaronash një kilogramëshe lejohet një sasi prej 450 copëza insektesh. Nga llogaritë e shkurtra del se nëse jeni një konsumator i cili i përdor makaronat rregullisht, ka mundësi që brenda vitit të keni marrë bashkë me makaronat edhe 9000 copëza insektesh.
4. Karkalecat e detit janë të rrezikshëm. Në Teksas, studiuesit testuan 30 mostra karkalecash të mbledhura nga supermarkete dhe rezultatet ishin tronditëse. Ato përmbanin tre antibiotikë të rrezikshëm: klorafenikol, një kancerogjen i dyshuar, nitrofuranzon, një kancerogjen i provuar dhe enrofloxacin, i cili mendohet se shkatërron sistemin imunitar. Këto lloje antibiotikësh përdoren për të luftuar sëmundjet që bien mbi rezervuarët e karkalecave.
3. Duar të papastra mund të prekin ushqimin tuaj. Një vëzhgim i kryer nga “Journal of Food Protection”, zbuloi se punonjësit e ushqimit, duke përfshirë ata të produkteve gjysmë të gatshme, i lajnë duart vetëm në 38 për qind të rasteve që shërbejnë. Ky fakt ka rëndësi, sepse rreth 89 për qind e baktereve dhe sëmundjeve transmetohen nga duart.
2. Pulat mund të mos jenë aq të freskëta sa duken. Supermarketeve nuk u kushton asgjë që ushqimin e paketuar ta çpaketojnë dhe ta shesin për të freskët. Për shembull nëse një pako gjoks pule apo ushqim i përgatitur ka filluar të duket i vjetër, ai ushqim mund të merret dhe të ripaketohet duke i bashkëngjitur edhe një datë të re, për t’u dukur si i ri.
1. Mishi është i infektuar. Një studim i “Clinical Infectious Diseases” zbuloi se mishi i supermarketit përmbante bakterin Staph dhe MRSA, një lloj droge. Hulumtuesit përcaktuan se bakteret kishin ndërtuar imunitet falë antibiotikëve 30.000.000 milionë dollarësh që përdoren çdo vit në industrinë bujqësore.