Por ky plan, i cili diskutohet prej 6 vjetësh, nuk u ka pëlqyer të gjithëve, veçanërisht Kongresit amerikan, i cili me sa duket e sheh shtrembër ndërkombëtarizimin në të cilin bazohet sistemi i ri. Një nga risitë që sjell ky plan, është fakti se ai mund të fusë në krizë hegjemoninë perëndimore (atë amerikane në veçanti) edhe në aspektin gjuhësor, pasi mund të pranohen edhe emra të përbërë nga karaktere jo latine. Por fundja kush e tha që alfabeti kinez, cirilik apo arab nuk duhet të kenë të drejtën për URL-në e tyre. Pikërisht kjo është në detaje ajo në çka konsiston plani i ri dhe cilat mund të jenë pasojat që mund të ketë ai në fytyrën gjithnjë e më shumë multietnike që po merr interneti.
Secili domeinin e vet
Në hapësirën kibernetike ekzistojnë vetëm 16 adresa (.com, .net) të cilat në pjesën që ndjek pikën nuk iu referohen vendeve të ndryshme të botës (.uk, .de apo .it). Vitet e fundit ICANN ka punuar për t’i shtuar kësaj kategorie domeine të reja, duke u përpjekur në të njëjtën kohë të mbrojë markat dhe konsumatorët. Por nga dje deri më 12 prill, kompani, qeveri dhe komunitete nga e gjithë bota mund të paraqesin kërkesën për të hapur dhe menaxhuar një domein sipas zgjedhjes së tyre. Pas kësaj do të jetë radha e ICANN-së, e cila në bashkëpunim me Interpolin, do të verifikojë besueshmërinë e kërkesave të aplikantëve. Është e pamundur të parashikohet numri i kërkesave që do të paraqiten gjatë këtyre tre muajve, disa thonë se mund të jenë me qindra, të tjerë me mijëra.
Interneti që ndryshon
Shefi i ICANN-it, Rod Bekstrom, e ka konfirmuar zbatimin e projektit përmes një konference shtypi të mbajtur në Uashington. “Kjo javë hap një epokë të re për sistemin e emrave në domeine, një moment historik për internetin që siç e dimë mori zhvillim fillimisht në SHBA. Ishte amerikan 100%, por tashmë po bëhet 100% global. Plani ynë i ri e lehtëson këtë kalim, i cili është diçka e mirë për mbarë botën dhe njerëzimin”.
Jo më vetëm alfabeti latin
Sipas arsyetimit të hartuesve të planit, tashmë në botë gjysma e përdoruesve janë nga Azia. 500 milionë përdorues ka vetëm Kina. Falë programit të ri, për herë të parë organizata nga Pekini, Nju Delhi apo Katari mund të kërkojnë emra domeinesh në alfabetin e tyre. Është e drejta e tyre dhe nuk mund t’i lëmë të presin”, shprehet Bekstrom.
Kritikat
Aspekti shumëkulturor duket se nuk ka mjaftuar për të bindur Kongresin Amerikan dhe organizmat e tjerë që nuk e kanë përkrahur planin. Një nga arsyet kryesore të kontestimit ka të bëjë me pronësinë intelektuale dhe mbrojtjen e markave. Fenomeni i vjedhjes së emrit të domeinit të një marke të dikujt tjetër është i njohur.
Një nga rreziqet e mundshme është që kompani të ndryshme të fillojnë të investojnë në blerjen e prapashtesave si masë mbrojtëse, gjë të cilën nuk do të kishin bërë në kushte të tjera. Një gjë e tillë ka ndodhur me domeinin famëkeq porno.xxx.
Shqetësime kanë shprehur edhe Kombet e Bashkuara dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë (mes të cilëve edhe FMN), që përmes një letre i kanë kërkuar ICANN-it të ruajë adresat që mbarojnë me .un apo .imf.
Fytyra e re e internetit
Uashingtoni e ka humbur rolin e tij si lidership. “ICANN është një organizatë ndërkombëtare. Ajo ka qendrën në Amerikë, por përfaqëson interesa globale”, tha Bekstrom. Nuk mund të bëhen parashikime se si do të jetë interneti pas 5 apo 10 vjetësh, por me shumë gjasa do t’i ngjajë më pak një vendi të vetëm e më shumë botës siç ajo është.