Ja frutat dhe zarzavatet që spërkaten më shumë me pesticide:
1. Selino: lëkura e selinos nuk është e dobishme sepse përmban më shumë se 64 lëndë kimike. Larja e tij nuk eliminon plotësisht lëndët kimike. Përpiquni të blini selino organike ose brokoli, rrepka të kuqe apo qepë.
2. Pjeshka: tek pjeshkat e kultivuara në kopshtet e frutave përdoren rregullisht 62 lloje lëndësh kimike. Këtë lloj fruti mund ta merrni dhe organike por mund të preferoni dhe fruta më të sigurta si shalqi, mandarinë, portokall ose greifrut.
3. Luleshtrydhe: nëse merrni luleshtrydhe jo të stinës atëherë mos harroni se tek ata mund të gjenden 59 lloje pesticidesh. Si alternative tjetër mund të merrni kivi ose ananas.
4. Molla: ashtu si pjeshka dhe molla spërkatet nga pesticide të ndryshme për t’u mbrojtur nga krimbat apo insekte të tjera. Sipas testeve të bëra tek mollët gjenden rreth 42 lloj ilaçesh. Fërkimi gjatë larjes apo heqja e lëkurës nuk pengon zhdukjen e plotë të mbetjeve të ilaçeve. Nëse mund ta gjeni organike është fruti më i mire. Nëse nuk e gjeni mund të provoni shalqi, banane dhe mandarinë.
5. Boronica: boronica konsiderohet si një nga frutet më të pista të marketit sepse përmban rreth 52 lloje pesticidesh.
6. Pjeshka pa push: pjeshkat pa push bashkë me mollën dhe pjeshkat e tjera zënë vend në frutat që përmbajnë 33 lloje të ndryshme pesticidesh. Nëse nuk gjeni pjeshkë pa push organike mund të blini shalqi ose mango.
7. Specat për mbushje: lëkura e specave për mbushje nuk është shumë mbrojtëse ndaj ilaçeve kimike. Këtyre zarzavateve u përdoren shumë ilaçe kundër insekteve. Testet e bëra tregojnë se tek specat për mbushje janë gjendur 49 lloje të ndryshme ilaçesh. Në vend të tyre mund të përdorni bizelen, brokolin dhe lakrën.
8. Spinaqi: spinaqi është një nga zarzavatet me gjethe jeshile mbi të cilin përdoren më shumë ilaçe, në të gjenden 48 lloje pesticidesh.
9. Lakra e zezë: nga tradita e dimë se ky lloj zarzavati nuk ndikohet shumë nga pesticidet dhe sëmundjet. Por në testin e realizuar këtë vit tek lakra e zezë u panë shumë pesticide. Në vend të saj mund të merrni lakër, brokoli .
10. Qershia: duke parë se edhe qershitë e kultivuara në zona të caktuara nuk janë të sigurta, në një studim të bërë vitet e kaluara tek qershitë e importuara nga Amerika u gjetën tre here më shumë pesticide. Në vend të qershisë e cila përmban 42 lloje të ndryshme pesticidesh mund të përdorni manaferra ose boronica të kuqe.
11. Patatet: tek produkti më i preferuar i fëmijëve dhe i cili përdoret shumë në fast-foode gjenden 37 lloje të ndryshme pesticidesh. Në vend të patates mund të përdorni patëllxhanin, lakrën, kërpudhën.
12. Rrushi: duke theksuar se tek rrushi i importuar gjendet më shumë ilaç bujqësor specialistët pohuan se për shkak të lëkurës së tij ilaçi nuk zhduket edhe pas larjes. Mbi të përdoren 34 lloje të ndryshme pesticidesh, në vend të tij mund të blini kivi ose manaferrë.
Duhanpirja pasive vret 600 mijë persona në vit
Studimi i parë i realizuar mbi duhanpirjen pasive ka dalë në përfundimin se ky fenomen shkakton mbi 600 mijë viktima anekënd botës çdo vit. Një e treta e këtyre viktimave mësohet se janë fëmijë, shpesh të ekspozuar ndaj duhanit në shtëpi, thotë Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë. Studimi i kryer në 192 vende, tregon se duhanpirja pasive është veçanërisht e rrezikshme për fëmijët, të cilët rrezikohen nga sindromi i papritur i vdekjes foshnjore, pneumonia dhe azma.
Duhanpirja pasive shkakton probleme me zemrën, probleme me sistemin e frymëmarrjes dhe kancer në mushkëri. “Kjo na ndihmon ne të kuptojmë numrin e vërtetë të viktimave nga duhani”, tha Armando Peruga i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Si pajojë e problemeve në sistemin e frymëmarrjes të shkaktuara nga duhani, çdo vit humbin jetën 165 mijë fëmijë, shumica në pjesën e Azisë Juglindore dhe në Afrikë. Studimi thotë se ky grup është më i ekspozuar ndaj duhanpirjes pasive se çdo grup tjetër, kryesisht në shtëpitë e tyre. “Përzierja e infeksioneve dhe duhanpirjes pasive, rezulton të jetë një kombinim vdekjeprurës”, theksoi Peruga. Ekspozimi ndaj duhanpirjes pasive mendohet të ketë shkaktuar 379 mijë viktima nga problemet me zemrën, 165 mijë viktima nga problemet në frymëmarrje, 36 900 viktima nga azma dhe 21 400 viktima nga kanceri në mushkëri.
A ndihmojnë frutat në forcimin e kockave?
Megjithëse marrja e vitaminës D dhe kalciumi është një mënyrë e njohur nga të gjithë në mbrojtjen e shëndetit të kockave, në një studim të kohëve të fundit dolën në pah disa të vërteta tjera të panjohura. A është i mundur forcimi dhe mbrojtja e kockave duke ngrënë mollë? Qëndrimi larg produkteve me sasi të larta kalorish dhe të pëlqyera nga të gjithë ne si keku, byreku, gurabijet etj, ndihmon jo vetëm në ruajtjen e formës trupore por edhe në aspekte të tjera. Ju mund të keni një trup më të shëndetshëm duke konsumuar fruta dhe zarzavate, në vend të këtyre produkteve. Sipas “Reuters”, Lisa Langsetmo dhe ekipi i saj në Universitetin Mc Gill të Kanadasë realizuan një studimin me mbi 649 meshkuj dhe 3 mijë e 539 femra të moshës mbi 50 vjeç. Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe, njëri prej të cilëve ndoqi një dietë të pasur me vlera të larta ushqyese, ndërsa tjetri një dietë me produkte të pasura me kalori. Dieta e pasur me vlera të larta ushqyese përbëhej nga frutat, zarzavatet, drithërat dhe peshku. Ndërsa dieta me shumë kalori përmbante ëmbëlsira, patatina dhe produkte të përpunuara të mishit. Si përfundim, tek femrat e ushqyera me dietën me vlera të larta ushqyese, brenda 10 viteve u pa një ulje prej 14 për qind në rastet e thyerjes së kockave. Nga ana tjetër në studim nuk u gjet asnjë lidhje në mes dietës me kalori dhe shëndetit të kockave. Edhe pse nuk parandalon krejtësisht thyerjet e kockave, specialistët nënvizojnë edhe një here rëndësinë e konsumimit të produkteve të pasura me vlera të larta ushqyese si frutat, zarzavatet, peshku dhe drithërat.