Në tre muajt e parë të këtij viti, rojat dhe inspektorati i pyjeve ka pasur goxha punë me dëmtuesit e pyjeve. Gjatë kësaj periudhe, për dëmtimin e masës drusore prej rreth 3.5 mijë metër kub dru, në vlerë prej 411,909 euro, autoritetet komunale dhe qendrore nga Agjencisë Pyjore të Kosovës i kanë shqiptuar gjithsej 1349 fletëparaqitje.
Ndryshe, gjatë vitit që lamë pas, për dëmtimin e masës drusore prej rreth 14 mijë metër kub dru, janë shqiptuar 5593 fletëparaqitje, ku 600 prej tyre kanë qenë të ngritura nga inspektorati i Agjencisë Pyjore të Kosovës, në të cilat përfshihen edhe fletëparaqitje që kanë të bëjnë me zyrtarë komunalë. Ndërsa, në krahasim me vitin 2012, ku për dëmtimin e masës drusore prej rreth 24 mijë metër kub dru, janë shqiptuar 7589 fletëparaqitje, del se në vitin 2013, dëmtimi i masës drusore ka qenë dukshëm më i vogël.