I humburi në oqean tregon historinë e tij të jashtëzakonshme
Një i humbur në det për gati 14 muaj, i ka lënë gojëhapur njerëzit me historinë e tij. Ai thotë se quhet Jose Salvador Alvarenga dhe se në dhjetor të vitit 2012 së bashku me djalin 15-18 vjeçar të një kolegu të tij, të quajtur Ezekiel, kanë dalë në det të hapur me një varkë jo më shumë se 8 metra të gjatë për të peshkuar peshkaqenë të cilët më pas do t’ia shisnin dikujt të quajtur Willie, me $3.80 kilogramin. Udhëtimi fatkeq që nisi nga brigjet e Meksikës, me destinacion brigjet e El Salvador-it presupozohej të ishte shumë i shkurtër.
I mbijetuari tregon se si ka parë bashkëudhëtarin e tij të vdesë nga urija, gati një muaj pasi varka pësoi një avari. Sipas rrëfimit të tij, djaloshi i ri nuk kishte arritur dot të hante peshk të gjallë dhe nuk e kishte përballuar dot dritën e fortë të diellit. Jose-ja vetë arriti të mbijetonte për gati 14 muaj në oqeanin Paqësor, duke u ushqyer me peshq të gjallë, breshka, zogj që i zinte me duar si dhe duke shuar etjen me urinën e tij dhe ujin e shiut. Më në fund ai ka dalë në brigjet e ishujve Marshall. Këto ishuj koralorë janë gati 6,000 milje larg vendit ku presupozohet të ketë nisur odiseja e të mbijetuarit.
Ambasadori amerikan në ishujt Marshall, Tom Armbruster citohet të ketë thënë se i mbijetuari dëshiron të kontaktojë një orë e më parë punëdhënësin e tij si dhe familjen e Ezekielit, bashkëudhëtarit të tij të vdekur. Ambasadori, pasi dëgjoi historinë e plotë nga Alvarenga, tha se e kishte të vështirë të imagjinonte që dikush të mund të mbijetonte për 13 muaj në oqean. Por ai gjithashtu shtoi se është po aq e vështirë të imagjinosh që dikush të mbërrijë papritur e pakujtuar në ishullin koralor Ebon.
“Historia e tij tingëllon disi e pabesueshme dhe nuk e di nëse e besoj vërtet këtë histori,” thotë Gee Bing, sekretari i punëve të jashtme të ishujve Marshall. “Kur e pamë [të mbijetuarin] nuk na u duk egzaktësisht i dobët krahasuar me të tjerë të mbijetuar që kemi parë në të kaluarën. Personalisht i kam disa dyshime.”
Alvarega ka treguar se është me origjinë nga Ekuadori, por ka jetuar në Meksikë që prej 15 vjetësh. Ai duket në gjendje relativisht të mirë shëndetësore me përjashtim të disa fryrjeve në pika të caktuara të trupit, dhimbjeve të kyçeve nga të cilat ankohet si dhe ecën duke çaluar. Ai nuk arrin të kujtojë numrin e telefonit, apo adresën e shtëpisë si dhe moshën e tij të saktë. “Për muaj me radhë kam parë vetëm ujë me sy.” Vendi i saktë nga ku ka nisur udhëtimi si dhe detaje të tjera të kësaj historie nuk janë ende shumë të qarta.
Ja një hartë e rrugëtimit të tij detar