Në mezin e viteve ’30, hap në Korçë një studio fotografike edhe Mandi Koçi (1912-1982) i cili e kishte nxënë mjeshtërinë e fotografimit në Greqi. Mak-u (emri i tij artistik), u muarr me fotot dokumentare e historike, ndër to, “Greva e bukës” (1936) dhe “Demonstrata kundër pushtimit fashist” (Korçë). Më pas pasqyroi veprimtarinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtërisë Nac.Cl., ndërsa më 1947, hap në Moskë ekspozitën e parë vetjake fotografike. Kjo është ekspozita e parë e një fotografi shqiptar jashtë vendit. Me fotografitë e shumta të tij mbi veprimtaritë luftarake të njësive të Ushtrisë Na.Cl., Mandi Koçi është më i pari fotoreporter lufte në vend, e ndoshta i vetmi. Në lidhje me “fotografitë e luftës”, vlen të shënojmë botimin e gazetës “Luftëtari” më 1945 të albumit fotografik, “Lufta Nacional Clirimtare e popullit shqiptar” me vlera të shumta dokumentare. Një pjesë e fotove në të , janë të Mandi Koçit, Jani Ristanit dhe Filipo Vitos. Ky i fundit, mbase është fotografi më “prodhimtar” i Gjirokastrës së bashku me Sotir Bejin. Në këtë fushë mund të kujtomë edhe disa foto të Kel Marubit në rrethimin e Shkodrës nga malazezët në vitin 1913. Pas përfundimit të L2B, veprimtaritë e ushtërisë shqiptare (në paqe) u pasqyruan në shtyp kryesisht nga Rrok Berisha (nxënës i G.Marubit), Nikolin Pici (djali i Shan Picit) dhe Petrit Ristani (djali I Vasil Ristanit). Mezshekulli i kaluar na njeh dhe me fotografin legjendar të Beratit, Ilia Xhimitiku (1908-1978), i cili e filloi fotografimin para Luftës së Dytë Botërore. Në krijimtarinë e tij dallohet sidomos ajo dokumentare me figura e ngjarje që kanë shkruar historinë e qytetit e më gjerë. Po ashtu, Xhimitiku, ka trajtuar edhe peisazhin urban e natyror të Beratit, shpesh me vlera artistike.
Në fotografinë shqiptare të shekullit të kaluar vërehët edhe dukuria e piktorëve që merreshin dhe me fotografi. Kjo traditë ka nisur më herët qysh me Idromenon e më pas vazhdon me Vangjush Mion, Sadik Kacelin dhe Andrea Kushin, autorë të mjaft fotove të arrira. Në këto 30-40 vitet e fundit spikatin dy piktorë që lëvruan me sukses fotografinë, Pleurat Sulo dhe Leon Cika. Natyrisht të dy artet pamore, piktura dhe fotografia kanë ç‘të shkëmbejnë me njera-tjetrën, secila nën “atë pjesë qielli” që i takon.
Fotografia shqiptare ashtu si ajo botërore, nëpërmjet fotove e ka bërë më “të prekshme” historinë e vendit tonë, këtu është me shumë vend shprehja “një foto flet sa njëmijë fjalë”.
Një vështrim i kujdesshëm i fotografisë shqiptare veçon si vatra kryesore të lindjes dhe zhvillimit të saj, Shkodrën dhe Korçën (+ Dardhën). Kjo nuk ishte rastësi, ato ishin qendrat me jetë më të pasur kulturore dhe artistike në vend. Kështu, s’kish sesi arti i ri i fotografisë të mos bëhej pjesë e çmushme dhe e gjallë e tyre.
Pesëdhjetvjeçari i parë të shekullit të kaluar, nuk mbyllet pa emrat e disa fotografëve të tjerë me veprimtari të larmishme në qytete të ndryshme. Në Pogradec bëhet i njohur Misto Cici (1902-1981), i cili “pagëzohet”në historinë e fotografisë sonë, si nismëtari i fotografisë turistike i mbështetur edhe nga Enti Kombëtar i Turizmit (1937-38). Në Tiranë, gjejmë Ali Bakiun (1911-1981), i cili sillte nga jashtë teknikë, por sidomos literaturë profesionale e artistike për fotografinë, dhe Mihal Popin (1909-1979, më pas, aktor i njohur i teatrit ; në Vlorë, Gjon Rrota (1893-1931)), Xhemal Keçi (1912-1974), përsëri në kryeqytet. Shkojmë, mandej në jug e, pikërisht në Himarë ku fotografonte Jani Pano Goro (1896-1946), i cili këtë mjeshtëri e kish përvehtësuar në Francë. Shënojmë gjithashtu se fotografimin pas vdekjes së tij e vazhdoi e shoqja, Fotina e cila përbën një rast shumë të rrallë të femrës fotografe në Shqipëri pas Bernardina Marubit, vajzës së Kel Marubit. Një “kolege” e tyre është Parashqevi Sahatçi (Salepi) që jeton në Berat. Ajo, përveç fotografimit, veçohet për koleksionin e pasur të fotove të qytetit të saj të mbledhura me zell e pasion shembullor e, të quajtur nga gazetarët “kodikët fotografikë” të Beratit. Më 2007, ajo boton me pjesën më të madhë të fotove albumin “Berati në fototeka”,ku më e vjetra daton vitin 1906. Të gjithë këta, kush më shumë e kush më pak, krahas fotove të zakonshme për komunitetin, madje dhe brenda tyre, kanë nxjerrë nga mendja e duart e tyre, fotografi që i kanë rezistuar kohës.
Ndoshta këtu lipset të përfillet mendimi i studjueses së fotografisë, Suzan Sontag, për dukurinë e quajtur “estetika e largësisë”(kohore), e cila njeh rritjen e nivelit artistik të fotografive në varësi të hershmërisë së tyre. Kësodore, duke kqyrur punimet e dhjetvjeçarëve të parë në Fotografinë Shqiptare, njohja me vitin e realizimit te fotove, vetvetiu shton emocionet e përftuara më parë. Si shembull, fotoja e Milto Manakit, “Gruaja nga Këlcyra me foshnjën ”, e justifikon (tani), vlerësimin e jurisë me çmim sapo mëson se është fotografuar në vitin 1906.
Mjeshtrat e vjetër shqiptarë dhe teknikat e fotografimit
Në fushë të teknikës së fotografimit, mjeshtrat e vjetër shqiptarë kanë përdorur përgjithësisht proceset teknologjike bashkëkohore. Ata kanë punuar fillimisht me dagerotipi, më pas me kolodio të njomë, mandej me xhama të thatë të lyer me bromur argjendi e, paskëtaj me filmin në celuloid. Ndriçimi i atelieve të tyre ishte natyror (diellor), ai futej në studio nga ndonjë baxhë e ndërtuar enkas në çati, ose nëpërmjet dritareve të mëdha. Kol Idromeno përdori nganjëherë edhe ndriçim artificial me llamba vajguri. Ndërsa Maku (Mandi Koçi), mbahet si i pari që pajisi studion me energji elektrike për ndriçim (Korçë,1936). Sot përdoren më tepër aparatet dixhitale në fotografim dhe laboratorë elektronikë stampimi. Por edhe këtu vendimtar është fotografi.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, më saktësisht, mbas 1944, fotografia shqiptare (si mjeshtëri), si gjithçka tjetër në vend, u shtetëzua. Kufizimet e rrepta politike e ngushtuan mjaft hapësirën e artit të fotografisë. Fotografëve tanimë, duhej t’u dridhej pak më tepër gishti tregues para se të shtypnin butonin. Ajo u zhvillua në tri drejtime kryesore, në shërbim të popullatës (dokumente a nostalgji), për qëllime shkencore (pranë institucioneve të tilla për synime mësimore e kërkimore) dhe me detyra propogandistike (shtypi periodic dhe botimet, tërësisht të politizuara). Këtij të fundit iu kushtua kujdesi më i madh sepse ishte mbështetës i regjimit. Kështu, fotogazetarisë së kësaj kohe (rreth 45 vjet), shpesh i mungonte thelbi i saj, vërtetësia. Ata që fotografoheshin, shtireshin dhe pozonin para aparatit e, më e keqja ishte se mjaft fotografi historike a politike, kohë mbas kohe, retushoheshin duke hequr persona a ndryshuar vendet e tyre, madje dhe duke shtuar të tjerë që nuk qenë fotografuar. Kjo nuk përjashton faktin që fotoreporterët e enteve shtetërore, ATSH-së, shtypit, të cilët gjatë punës së tyre kanë mbajtur peshën kryesore të artit të fotografisë shqiptare kane krijuar foto te goditura. Kësaj periudhe të gjatë i përket puna e fotoreporterëve të tillë si Jani e Vasil Ristani, Ilo Golloshi, Mehmet Kallfa (fotostudio “Kallfa”, autor i albumit “Shqipëria Arkeologjike”, 1972), Refik Veseli (studio “Sporti”, autor i “Monumente të Arkitekturës në Shqipëri”,1973 dhe i fotove të MHK)
), Petrit Kumi, Simon Xhillari, Niko Xhufka, Pandi Cici, Ndoc Kodheli (që ka mbuluar bujqësinë), Mihal Progonati, Naim Kasapi, Agron Kruti etj. Këtu, vlen të përmendim edhe krijimtarinë e Ilia Tërpinit, Vito Koçit dhe Nikolin Babës; i pari si fotograf dhe operator në Kinostudio, i dyti si autor i një albumi me peisazhe fotografike, ndërsa i treti si fotograf i arkeoligjisë dhe i kulturës popullore, autor i fotografive të albumeve “Arti popullor shqiptar” (1976) dhe i veprës “Veshje popullore shqiptare” në pesë vëllime.
Nga fillimi i viteve ’70, në sektorin e arteve figurative pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, u krijua komisioni i fotografisë artistike. Revista e përmuajshme “Ylli” (botim i Zërit të Popullit), organizonte herë pas here (në përvjetore festash), konkurse për fotografinë artistike, të cilën detyrimisht duhet ta përshkonte “filli i kuq ideologjik”. Në ato vite janë çelur dhe ekspozita fotografike (e para më 1974), përherë në jubilare politike, vazhdimisht nën thundrën e çensurës, por dhe me fotografi të goditura. Foto të goditura edhe nga ana teknike botoheshin në revistën “Shqipëria e Re” që shtypej në disa gjuhë të huaja për lexuesin e jashtëm që ishin disi më të cveshura nga politizimi mbytës.
Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, në kuadrin e artit të fotografisë shqiptare, duhet të përmendim edhe krijimtarinë e dy fotografëve me “rrënjë” të thella shqiptare, Gjon Mili (Korçë,1904-Nju Jork,1984) dhe Dhimitër Mborja (Korçë, 1903-Marilend, 1990), me veprimtari përkatësisht në SHBA dhe në Azi. Mili, i cili punoi një kohë të gjatë si fotoreporter i revistës amerikane “LIFE”, mbahet si “përdoruesi” i paaritshëm në fotografi, i dritës stroboskopike (të shpikur nga Ing. Exherton). Fotot e tij me temën e vallëzimit, muzikës, teatrit, sportit, riprodhohen edhe sot e kësaj dite nga shtypi i specializuar dhe literatura botërore e fotografisë. Shumë krijime të tij fotografike Mili i ka përmbledhur në dy albume-monografi, “Përmasa e tretë e Pikasos” (1970), dhe “Fotografi e kujtime” (1980). Fotografia “Pikaso duke vizatuar me dritë” (1949) e Milit, ndodhet ndërmjet 500 fotove më të zgjedhura të botimit “The Photo Book” të Shtëpisë Botuese “Phaidon” të Londrës dhe sot riprodhohet në mjaft libra teorikë e albume me fotografi të shumë vendeve.
Mjeshtri tjetër, fotografi Dhimitër Mborja, ka shërbyer si fotoreporter lufte pranë shtabit të gjeneralit amerikan Mak Artur në Luftën e Koresë (1949-53) e, më pas në rimëkëmbjen e Japonisë, deri nga fundi i viteve ’50. Fondi fotografik i Mborjes, rreth 30.000 foto, ndodhet në Muzeun “Douglas MacArthur” në Norfolk (Virxhinia) të SHBA. Më 2007, në Japoni u botuan me krijimet e Mborjas, dy albume fotografike historike që paraqesin rimëkëmbjen e vendit. Mborja me testament kërkoi ndërtimin në Korçë (me shpenzimet e tij) të një muzeu me objekte të rralla etnografike të mbledhura nga ai në vende të ndryshme të Azisë, dhe që hiri i trupit të tij të varrosej pranë të ëmës në Korçë, dëshira që iu përmbushën plotësisht.
Fotografia në 45 vjetët e diktaturës
Në fushë të botimeve të fotografive në 45 vjetët e diktaturës mund të flitet vetëm për disa albume ose kataloge propagandistikë me foto që përgjithësisht “sheqerosnin” realitetin, edhe këto zakonisht në raste përvjetorësh politikë. Më 1982, u botua në Tiranë, albumi “Gjurmë të historisë kombëtare në fototekën e Shkodrës” të autorit Kahreman Ulqini, i cili duhet vlerësuar sidomos për nismën dhe për vlerat dokumentare. Në të përveç Marubëve, përfshihen edhe fotografë të tjerë shkodranë. Angjelin Nenshati (1929-2008) i fundit i tyre, ka lënë një fond prej 500.000 fotosh, gjysma e të cilave në fototekën “Marubi”. Ai mbyll “pesëshen” e fotografëve të njohur shkodranë, Geg Marubi, Ded Jakova, Shan Pici, Pjetër Raboshta dhe Angjelin Nenshati.
Përveç politizimit të skajshëm, botimi shoqërohej me mangësi si cilësi e dobët teknike e riprodhimeve, retushime (heqja e figurave “armike”, ndryshim vendesh në foto) ngatërim datash e autorësh. Më 1995, u botua në Francë, nga Shtëpia Botuese “Artaud”, përmbledhja e parë serioze e krijimtarisë së Marubëve, qoftë përsa i përket nivelit teknik, ashtu edhe si përzgjedhje estetike cilësore. Një vit më vonë, të njëjtat foto u përfshin në albumin që u botua në Itali (Torino). Thuajse po ato fotografi të Marubëve u përmblodhën edhe në albumin “Marubi” (Tiranë, 2003), botim i Ministrisë së Kulturës nën redaktimin e fotografit Roland Tasho. Në vitin 2006, po nga MTKRS, u botua një tjetër album “Marubi” kuruar nga Semiha Osmani. Të gjithë këta albume janë të përgjithshëm, pra pa tematikë të caktuar, çka do ishte më komode për “tifozin” e fotografisë.
Lidhur me këto nuk mund të mos theksojmë faktin se ajkën e krijimtarisë shumë të madhe (rreth 150 mijë foto dhe negativa) e të larmishme të Marubëve, mund ta përzgjedhi vetëm një komision i posaçëm e jo një person i vetëm, vendas a i huaj qoftë. Kjo, përveç të tjerave edhe për faktin se s’mund të gjykohen vlerat artistike të një fotoje duke shikuar vetëm negativin e, shumica e krijimtarisë së tyre ndodhen në këtë stad (negativa në xham a film). Kur kujtojmë se publiku shqiptar, dashamirë i fotografisë, ende nuk ka ndër duar albume me krijimtarinë e Idromenos, Vëll. Manaki, të Sotirit, të fotografëve dardharë, të Ristanëve, të fotografëve korçarë, të Xhimitikut, të fotografëve të tjerë shkodranë etj.,apo një përmbledhje të fotografive shqiptare më të mira të të gjitha kohëve, gjykojmë se institucionet qendrore të artit e kulturës duke filluar nga Ministria e Kulturës e Galeria Kombëtare e Arteve “duhet të ulin kokën”.
Na vjen keq gjithashtu që plejada e njohur e fotografëve të paraviteve ’90, ende nuk po “bëhet e gjallë” si duhet për të dalë para publikut të fotografisë me albume ose me ekspozita retrospective vetjake. Dihet se këto janë “mejdanet” ku mjeshtrat mund të përjetësojnë vlerat e, ku ata, mund të vjelin frutet e “djersës” së tyre. Në dy dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit të kaluar, u dalluan në horizontin e fotografisë mjeshtra të aparatit si, Artur Gorishti, Albes dhe Bevis Fusha, Armando Babani, Alqi Golloshi, Eliano Kalemi etj., të cilët janë vlerësuar edhe në konkurset “Marubi”. Eshtë rasti të cekim ekspozitën e fotografit prishtinas, Fahredin Spahija më 2003 në Muzeun Historik Kombëtar (shoqëruar me katalogun përkatës), për numrin e madh të fotove, por sidomos larminë e temave dhe nivelin e lartë estetik. Këtu është vendi të përmendim emrat e Menduh Nushit, Afrim Spahiut, Naim Shalës dhe Burim Myftiut, të cilët dallohen më tepër në fotografinë kosovare. Ndër fotografët që kanë arritur të hapin eksopzita fotografie të shoqëruara me kataloget përkatës, përmendim Gani Xhengon dhe Roland Tashon. Këtu është me vend të përmendim për pjesëmarrje në veprimtari jashtë shtetit, çmimin e tretë të fituar nga fotografi durrësak, Luan Jaupi në konkursin ndërkombëtar të Moskës (1998) me foton “Piliveza mbi pishë”. Një ekspozitë fotografike mjaft dinjitoze për turizmin, është hapur në GKA nga MTKRS në vitin 2005. Ajo dallohej për nivel të lartë artistik e me një ndryshim të madh cilësor nga një e tillë e një vendi të rajonit tonë, shumë i shquar në turizëm, por me karakter të theksuar kartolinesk. Fotot e ekspozitës së parë, të realizuara nga Leon Cika, Zamir Marika, Nikolin Baba, Ardi Fejzollari, ishin në shumicën e tyre mjaft të arrira artistikisht. Megjithatë, duhet vënë në dukje se ekspozitat e ndryshme fotografike, nuk shkëlqejnë nga organizimi. Përgjithësisht, ato vizitohen “rëndshëm” 2-3 ditët e para e në prani të mediave, më pas frekuentimi sikur “thahet”. Pas mbylljes nuk bëhet ndonjëherë diskutim krijues që përbën një nga fazat më të rëndësishme të paraqitjes para publikut e shumë rrallë ndeshet ndonjë analizë studimore për to në shtyp. Po ashtu rëndom , ato nuk shoqërohen me katalogun përkatës.
Mungesa e shtypit të specializuar dhe konkurseve për fotografinë shqiptare
Si shtyp të specializuar të fotografisë në vend, mund të përmendim vetëm revistën shumë interesante, por jetëshkurtër, “Fotografiaart” të fotografit dhe studiuesit Besim Fusha. Ajo doli gjithsej vetëm 12 numra (1996-2001), duke rritur nxitimthi nivelin e saj, por u la jetime në radhë të parë nga vetë fotografët e megjithë përpjekjet e Fushës, nuk mundi të vijonte botimin.
Fotogazetarët tanë, këto vitet e fundit, natyrisht kanë hapësira më të gjera krijimi se paraardhësit e tyre. Ata vërtetë, shquhen për “kapje” shumë ineresante të lajmit, ngjarjes a portretit, por për shkaqe të ndryshme nuk po evidentojne individualitete të spikatura. Fotot shoqëruese në gazeta e revista, rëndom botohen pa emrin e autorit, gjë e pakuptimtë, por duke kryer, gjithsesi një “harakiri” me pasoja në të ardhmen. Arrihet, kështu deri aty sa në një ekspozitë të nje agjencisë fotografike, të hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve 2-3 vite më parë me foto shumë interesante, të mos kishte asnjë emër autori. Këtu kemi të bëjmë me një farë “steriliteti” të individualiteteve qysh në hapat e para të krijimtarisë. Po ashtu në shtypin shqiptar nuk gjendet kërkund këndi i fotografisë, që kërkon pak “truall” në faqet e gazetave a revistave, ose shumë rrallë botohen foto me diçiturën tërheqëse “botohet për herë të parë”, çka rrit edhe seriozitetin e organit në fjalë.
Vend të posaçëm në fotografinë shqiptare, ka edhe mjeshtri shqiptaro-amerikan Fadil Berisha që banon në SHBA. Ai lëvron kryesisht fotografinë “Glamour”, por dallohet dhe për fotoprtrete të arritur të njerëzve të shquar të artit dhe kulturës shqiptare.
Në Fotografinë Shqiptare, ka pjesën e vet (ndoshta modeste) edhe fotografia sportive. Më e vjetra foto e këtij “soji” (sipas Skifter Këlliçit), është ajo e skuadrës së futbollit të Shkodrës para një ndeshjeje me skuadrën e ushtrive të dislokuara atje. Mban autorësinë e Kel Marubit dhe vitin 1913. Në këtë lëmë, cekim edhe foton “Macja e zezë” (1958) të Petrit Kumit fituese e nje “Medalje Nderi” në një konkurs ndërkombëtar fotografie në Moskë (1960) si dhe krijimtarinë e gjatë në këtë fushë të fotoreportetit sportive, Enver Shabani.
Sot në vend lëvrohet edhe fotografia ajrore me të cilën realizohen peizazhe interesante. Në këtë fushë dallohet Heldi Pema dhe Alket Islami.
Fotografia jonë ka dhënë një ndihmesë të çmuar për publikimin e arteve pamore. Kështu nëpërmjet katalogeve dhe albumeve “bien” në dorën e masës së gjerë të artëdshësve imazhet e pikturave dhe skulpturave më të shquara shqiptare.
Për të vazhduar me zhvillimet e fotografisë tonë, është vendi të flasim mbi konkursin e përvitshëm të saj, “Marubi” (I pari më 1998) të organizuar nga Galeria Kombëtare e Arteve në bazë të një statuti të hartuar nga Ministria e Kulturës. Ky konkurs përbën manifestimin më të madh e më të rëndësishëm të artit të fotografisë shqiptare, i cili nxit dhe ndihmon fuqishëm përhapjen dhe përparimin e saj. Anashkalimi pa ndrojtje i zbatimit të statutit të tij nga organizatorët shpesh herë ka krijuar disa probleme për të si : mosdhënia e çmimeve, mungesa e jurisë, e katalogut përkatës dhe e diskutimit krijues në mbyllje të veprimtarisë, madje dhe moszhvillimi 2-3 vitet e fundit. Këto kanë sjellë “ftohjen” e shumë figurave të njohura të fotografisë, duke ndihmuar në përçarjen e mëtejshme të tyre. Kur përdorim fjalën “përçarje”, mëtojmë të vemë në dukje edhe faktin se fotografët tanë ende nuk bashkohen në një shoqatë të tyre si në gjithë vendet. Shoqata e Fotografisë, “Gjon Mili” e formuar në fillim të viteve ’90, thuajse nuk zhvilloi asnjë veprimtari mbreslënëse. Mendojmë, se zhvillimi normal i konkursit “Marubi” mbetet një detyrë e rëndësishme për të gjithë ata që e kanë për të mbajtur këtë barrë institucionale shtetërore.
Siç u përmend më sipër, është fakt i pakundërshtueshëm që fotografisë shqiptare nuk i kushtohet rëndësia që meriton. Por edhe vetë fotografët nuk janë të vetdijshëm se vlerat e artit që krijojnë, sic e përmendëm më sipër, duhet të përballen me publikun, çka arrihet vetëm në ekspozita ose albume përmbledhës. Vështirësitë financiare, që janë të pranishme në këtë stad zbuten ndoshta me një frymë bashkëpunimi që shprehet më mirë se kudo në ekspozitat e përbashkëta.
Duke shikuar në tërësi artin e fotografisë shqiptare qysh prej të parës foto e deri në ato të ditëve të sotme, mendoj se tashmë ka mbritur koha (“dhe po rrëshqet nën këmbë”) për të ngritur pavionin e saj në Galerinë Kombëtare të Arteve, kërkesë që është publikuar që 5-6 vjet më parë (Gazeta “Shekulli” 26.07.2002-“Pavioni i fotografisë domosdoshmëri për Galerinë e Arteve”). “Ftohtësia” kryeneçe e të gjithë drejtuesve të GKA, sidomos dhjetëvjeçarin e fundit, ka shmangur krijimin e këtij pavioni çka , veç të tjerash, do të tërhiqte pa asnjë dyshim interesin (dhe tani jo të vogël) e natyrshëm të të huajve për fotografinë tonë. Në këtë pavion, që në të ardhmen mund të shndërohet edhe në një “Muze të Fotografisë Shqiptare”, do të kenë “strehën” e tyre të ngrohtë e të përherëshme, jo vetëm disa nga fotot që cituam , por edhe të reja që mund të “vilen” nga konkurset “Marubi” e të tjera veprimtari që do të zhvillohen në vend. Shqipëria është i vetmi vend në Europë që jo galeri a muze fotografie, por as dhe një pavion të sajin, nuk ka. Mëkat dhe padrejtësi mbi “kurrizin” e jetës së saj të gjatë e të gjallë, 150 vjeçare.
Fotografia përbën një art pamor shumë të përhapur në vend. Me të merren shumë njerëz të moshave e profesioneve të ndryshme. Të gjithë mundohen të realizojnë fotografi të bukura, kuptohet, një pjesë mjaft e vogël e arrijnë këtë. Fotografia shqiptare, për vjetërsinë, ekzotikën po ashtu nga vlerat dokumentare dhe nivelin artistic, është arti pamor i yni më i njohur në botë. Kjo është një arsye më tepër për trajtim më serioz e të përkushtuar të saj. Ka ardhur koha e zbulimit dhe mbledhjes së fotografive të vjetra e me vlera që sot ndodhen të “harruara” në mjedise familjare e të paçmuara prej pronarëve qoftë edhe nga niveli modest kulturor i tyre. Po ashtu fotografët duhet të vetëdijësohen për krijimtarinë e paraardhësve të “dhomës së errët” e të ndikojnë në sipërfaqësimin e punimeve të tyre më të arrira.
Detyrën për vendosjen e Artit të Fotografisë Shqiptare në vendin e merituar, e kanë mbi “supe” Ministria e TKRS, Akademia e Arteve, Galeria Kombëtare e Arteve etj. Ajo, edhe në shpërfaqjen e sotme të zbehtë, përbën një nga fushat e kulturës, ku shqiptarët mund të flasin me të huajt pa iu “dridhur qerpiku”.
150 vite nuk janë pak në zhvillimin e një arti e, kësisoj, mbi këtë taban të vjetër, brezi i ri i fotografëve të talentuar, lipset të jetë më kërkues dhe të eci me sigurinë e atij që hedh “hapin e vet” në një rrugë të shtruar nga të tjerët.
BURIME: Botime: Revista:
1. Gerard Girard- History of Photography-Volume 6, Number 3, July 1982
2. Adhami Stilian-Kontribute shqiptare në visarin e përbashkët të popujve-Tiranë, 2003
3. Berisha Mal –Lisa mbi truallin ilir—Tiranë,2006
4. Ulqini Kahreman-Gjurmë të historisë kombëtare ne fototekën e Shkodrës- Tiranë,1985
5. Bota shqiptare-Tiranë, 1943
6. Fjalori enciklopedik shqiptar—Tiranë, 1985
7. Berri Xh—Rrethimi i Shkodrës, 1913- Tiranë, 2002
8. Hoxha Abaz- 100-vjetë kinema në trojet shqiptare- Tiranë, 2002
9. Prenushi Mikel-Kol Idromeno- Tiranë, 1984
10. Bushati Hamdi- Shkodra dhe motet- vol. 1,2-Shkodër, 1998
11. Sontag Susan- Fotografia---Tiranë, 2000
12. Ristani Mari-Një fshat i vogël dhe një kasaba e madhe-Tiranë, 2004
1. Fotografiaart, Pamorart, Skena dhe Ekrani, Atdheu, Klan, Blic, MAPO, Albanica, Ylli, Monitor, Ekskluzive, XXL, New Albania, Minerva, Nentori, Shkenca dhe Jeta, Miqësia, Perla.
Gazeta: Zeri i Korçës, Illyria, Drita, Shekulli, Dielli, Nektari i Korçës, Panorama, Driloni, Shqip, Bota sot, TemA, Shkodra,“55”, Bashkimi, Taraboshi, Milosao, Cirka, RD, Metropol, Koha jonë, Përpara, Sporti popullor, Republika, Përpjekja, Ballkan, Koleksionisti.
*Fjala e mbajtur në konferencën e parë kombëtare mbi artin shqiptar të fotografisë me temë “150 vjet fotografi shqiptare” më 31 maj 2008
Nga Qerim Vrioni : Gazeta Tema