180 mije emigrante kthehen perfundimisht

180 mije emigrante kthehen perfundimisht

Së bashku me Greqinë, që tashmë po përballet me një eksod të profesionistëve dhe rininë e saj, që kërkon të largohet, në mënyrë që t’i shpëtojë krizës dërrmuese ekonomike e cila po pengon të ardhmen e tyre, perspektivat janë aq të zymta saqë edhe emigrantët shqiptarë, të cilët u munduan me çdo mënyrë të integroheshin në këtë vend, tanimë po përpiqen të largohen. Agjencia greke e lajmeve “greekreporter.com” i referohet një raportit të fundit nga Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT), 18 deri në 22 për qind e emigrantëve shqiptarë që kanë jetuar dhe punuar në Greqi janë kthyer në Shqipëri, rreth 180 000 njerëz.

Sakaq, një tjetër media, “Ta Nea”, duke vënë në dukje këtë fenomen, raportoi se taksat e larta dhe një kosto e papërballueshme e jetesës, së bashku me mundësitë e kufizuara dhe normën rekord të papunësisë prej 27.4 për qind të Greqisë ishin nga arsyet kryesore. “Kriza financiare i detyron shqiptarët e vendit tonë të riatdhesohen në një vend të cilin nuk e kanë parë kurrë. Pas një qëndrimi shumëvjeçar në Greqi, adaptimi në atdheun e tyre nuk është i lehtë për të gjithë shqiptarët”, referoi raporti.

“Disa vjet më parë, autoritetet shqiptare u përpoqën ta bëjnë procesin e integrimit më të lehtë për të rinjtë që ishin kthyer pas një qëndrimi të gjatë në Greqi”, shtoi artikulli. “Zyrat e migracionit u hapën në çdo qark dhe u vendos të ofrohej një ndihmë mujore financiare prej 8000 lekë (rreth 60 euro) për familje. Vetëm 5 për qind e të riatdhesuarve bëri kërkesë dhe arriti ta marrë këtë asistencë mujore”, sikundër shpjegohet në gazetë.

ACIT theksoi se kjo valë e rikthimit të emigrantëve pritet të ushtrojë presion të fortë në shërbimet publike të vendit dhe kryesisht në sistemin arsimor dhe shëndetësor. “Shumica e njerëzve kërkojnë punë në ‘mjeshtëritë’ që kanë mësuar në Greqi” dhe kryesisht në prodhimin bujqësor, ku është aktivizuar pjesa më e madhe (25 për qind).

Duke pasur parasysh krizën që godet vendin fqinj në fusha të tjera, si konstruksioni (punë ndërtimi dhe të tjera), shumica e shqiptarëve – pothuajse të “helenizuar” pas kaq shumë vitesh qëndrimi në Greqi – duhet të përballen me vështirësitë  jashtëzakonisht të mëdha në lidhje me integrimin dhe adaptimin  e ‘shëndetshëm’ në situatën e re, ndërkohë që kësaj gjendjeje i shtohen edhe kostoja e “dështimit” që i shoqëron dhe emocionet e forta që rëndojnë shumë prej tyre.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama