180 minuta dritheruese ja shanset per titullin Europen dhe mbijetesen

180 minuta drithëruese, ja shanset për titullin, Europën dhe mbijetesën

Kategoria Superiore luan 180 minutat e fundit mes drithërimash, pasi për titullin kampion, zonën e Ligës së Europës dhe mbijetesën, gjithçka është e hapur. partizani-skenderbeuNë pesë ditë kampionati do të zbardhë të gjitha enigmat. Gjithçka nis nga 13 maji, kur në Korçë luhet kryendeshja Skënderbeu-Partizani, e cila mund të vendosë titullin. 24 orë më pas do të zhvillohen katër ndeshjet e tjera, të vlefshme për javën e 35-të. Më 18 maj është parashikuar të luhet java e fundit e këtij kampionati.

Prej kohësh skuadrat kanë nisur të bëjnë llogaritë e tyre dhe nëse sheh klasifikimin, janë plot 8 klube që mund të ndryshojnë pozicion pas rezultateve që do të prodhojnë dy javët e fundit. Të vetmet që e kanë mbyllur më shpejt garën janë Tirana dhe Tërbuni, pasi çfarë do që të ndodhë në 180 minutat e mbetura, nuk kanë asnjë shans për të ndërruar pozicion (bardheblutë e mbyllën kampionatin në vendin e pestë, ndërsa pukjanët të fundit).

"Panorama Sport" zbardh në një vëzhgim të gjitha shanset që kanë klubet, qoftë për titullin, Europën dhe mbijetesën. Matematika po mban në lojë deri në fund shumë skuadra dhe natyrisht surprizat në futboll asnjëherë nuk mungojnë.

"Titullin mund ta humbasin ndaj Tërbunit ose Bylisit, por jo kundër Tiranës", pat thënë pak javë më parë sulmuesi i Partizanit, Xhevahir Sukaj. Me sa duket "profecia" e shkodranit po bëhet realitet, por gjithsesi për verdiktet duhen pritur edhe 180 minutat.

TITULLI KAMPION

Si e fiton Skënderbeu * Mjafton të mos humbasë në ndeshjen direkte ndaj Partizanit (mbyll gjithçka të premten nëse barazon ose fiton);

* Nëse humbet në Korçë përballë Partizanit dhe fiton në javën e fundit në transfertë kundër Flamurtarit; * Nëse humbet në të dyja ndeshjet, por njëkohësisht Partizani nuk fiton në takimin e fundit ndaj Teutës; Si e humbet Skënderbeu

* Nëse humbet në Korçë ndaj Partizanit dhe në Vlorë kundër Flamurtarit, por njëkohësisht të kuqtë të mposhtin në ndeshjen e fundit Teutën;

* Nëse humbet në Korçë ndaj Partizanit dhe barazon në Vlorë ndaj Flamurtarit, por njëkohësisht të kuqtë të mposhtin në ndeshjen e fundit Teutën. Me këtë kombinim skuadrat shkojnë në kuotë të barabartë pikësh (77), por Partizani shpallet kampion për shkak se ka grumbulluar më shumë pikë në ndeshjet direkte me korçarët. (pa llogaritur ndeshjen e së premtes, deri më tani, Skënderbeu ka fituar një herë, Partizani një herë dhe një takim ka përfunduar në barazim); Si e fiton Partizani

* Të fitojë ndeshjen direkte në Korçë dhe më pas atë të fundit ndaj Tiranës, por njëkohësisht Skënderbeu të humbasë ose barazojë në transfertën e Flamurtarit. Nëse korçarët marrin një pikë në Vlorë, atëherë të kuqtë përfitojnë nga avantazhi i ndeshjeve direkte me Skënderbeun; Si e humbet Partizani

* Nëse nuk arrin të marrë tri pikë në Korçë;

* Nëse fiton ndaj Skënderbeut dhe humbet ose barazon në ndeshjen e fundit ndaj Teutës;

LIGA E EUROPËS

* Me renditjen aktuale, Partizani ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Nëse dështon të parakalojë Skënderbeun në luftën për kreun, nuk i cenohet as vendi i dytë, pasi rivalët janë 14 pikë larg dy javë para fundit të kampionatit.

* Tirana e vendit të pestë nuk ka më asnjë shans për të luftuar për zonën e Kupave të Europës, pasi vendi i tretë është shkëputur me 7 pikë. Sido që të shkojnë rezultatet e dy javëve të mbetura, bardheblutë do ta mbyllin kampionatin në vendin e pestë; Kukësi dhe Teuta

* Kukësi siguron pjesëmarrjen në Ligën e Europës si vendi i tretë nëse i fiton të dyja ndeshjet e mbetura;

* Siguron pjesëmarrjen edhe nëse Teuta i fiton gjithashtu dy ndeshjet e mbetura. Pavarësisht se skuadrat do ta mbyllnin në të njëjtën kuotë pikësh kampionatin (63), Kukësi do të pozicionohej i treti në klasifikimin e përgjithshëm për shkak të diferencës së golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet direkte mes tyre. Në paragrafin a) të rregullores sa u përket pikëve të grumbulluara në ndeshjet direkte, kemi një baraspeshë: një fitore dhe një barazim ka Kukësi, e po ashtu edhe Teuta.

Në këto kushte, hyn në fuqi paragrafi b) i rregullores: diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet direkte; Kukësi ka shënuar 5 gola, ndërsa Teuta vetëm 3;

* Teuta siguron pjesëmarrjen në Ligën e Europës si vendi i tretë nëse fiton dy ndeshjet e mbetura dhe Kukësi nuk grumbullon pikët e plota në këto takime.

* Teuta e ka të sigurt vendin e katërt, pasi ndjekësi më i afërt, Tirana, është 7 pikë larg. Nëse durrsakët e mbyllin në këtë pozicion, atëherë shpresojnë për kualifikimin në Ligën e Europës, nëse Kukësi arrin të fitojë finalen e Kupës së Shqipërisë.

Këtu futet në lojë rregullorja për Kupat e Europës, paragrafi f) nëse klubi i renditur në vendin e tretë në klasifikimin e përgjithshëm, fiton njëkohësisht edhe Kupën e Shqipërisë, atëherë klubi i renditur në vendin e katërt do të marrë pjesë në turin e parë paraeliminator të Ligës së Europës;

MBIJETESA

* Mes Bylisit, Flamurtarit, Laçit dhe Vllaznisë do të jetë gara për skuadrën që pritet të shoqërojë Tërbunin në Kategorinë e Parë. Ekipi ballshiot është më i rrezikuari për të rënë nga Superiorja, pasi në ndryshim nga skuadrat e tjera, duhet të marrë patjetër një fitore ndaj Flamurtarit me dy gola diferencë për të shpresuar te qëndrimi. Vllaznia

* I mjafton një fitore në ndeshjet e mbetura për të shpëtuar, teksa luan ndaj Tiranës në transfertë dhe Bylisit në shtëpi.

* Në rastin më të keq shkodranët i shpëtojnë rënies edhe nëse humbasin të dy takimet, por gjithnjë nëse Bylisi i vendit të parafundit nuk merr më shumë se një pikë në ndeshjen e radhës ndaj Flamurtarit.

* Nëse Bylisi fiton ndaj Flamurtarit dhe Vllaznia barazon ndaj Tiranës, më pas shkon në ndeshjet direkte me ballshiotët me tri pikë diferencë.

Vllaznia bie nga Superiorja nëse Bylisi fiton në Shkodër edhe me shifrat minimale 1-0. Në fazën e parë kanë fituar ballshiotët 3-1, ndërsa më pas Vllaznia ka triumfuar dy herë: 3-2 në Shkodër dhe 0-1 në transfertë. Ballshiotët përfitojnë në këtë rast nga diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet direkte;

Laçi

* I mjafton një fitore në ndeshjet e mbetura për të shpëtuar, teksa luan ndaj Teutës në transfertë dhe Tërbunit në shtëpi.

* Ashtu si Vllaznia, edhe Laçi është i varur nga ndeshja mes Bylisit dhe Flamurtarit. Nëse ballshiotët humbasin ndaj vlonjatëve, atëherë kurbinasit kanë luksin të lënë gjashtë pikë dhe sërish të shpëtojnë.

* Nëse Laçi nuk merr asnjë pikë në ndeshjet e mbetura dhe Bylisi i vendit të parafundit grumbullon katër pikë, atëherë skuadrat shkojnë me pikë të barabarta (35) dhe nga Superiorja bien kurbinasit, pasi ballshiotët kanë fituar tri nga katër ndeshjet direkte mes tyre.

Flamurtari

* Shpëton nga rënia nëse nuk humbet në ndeshjen e radhës në Ballsh. Edhe nëse në javën e fundit humbet ndaj Skënderbeut dhe në klasifikimin e përgjithshëm e mbyll me pikë të barabarta me Bylisin, sërish mbijeton në Superiore për shkak të avantazhit në ndeshjet direkte me ballshiotët.

* Qëndron në Superiore edhe nëse humbet 1-0 në Ballsh, por me kombinimin që në klasifikimin e përgjithshëm skuadrat ta mbyllin në të njëjtën kuotë pikësh. Këtu Flamurtari është i avantazhuar me paragrafin c) të rregullores për klasifikimin, ku merret parasysh diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë kampionatit. Vlonjatët kanë një golavarazh më të mirë të përgjithshëm në krahasim me Bylisin.

* Bie nga Superiorja nëse humbet 2-0 ndaj Bylisit dhe nuk merr asnjë pikë kundër Skënderbeut në javën e fundit.

Bylisi

* Mbijeton në elitë nëse fiton 2-0 ndaj Flamurtarit dhe e mbyll kampionatin me pikë të barabarta me vlonjatët. Në tri përballjet e deritanishme me kuqezinjtë, në fazën e parë ndeshja ka përfunduar 0-0 në Vlorë, më pas 2-3 për Flamurtarin në Ballsh dhe sërish 0-0 në stadiumin "Flamurtari".

Kësisoj i duhen dy gola diferencë për të shpresuar. Nëse në javën e fundit vlonjatët arrijnë të mundin në përballjen shtëpiake Skënderbeun, atëherë Bylisi duhet të fitojë patjetër edhe në transfertën kundër Vllaznisë.

* Bylisi mbijeton në Superiore nëse fiton dy ndeshjet e radhës dhe njëkohësisht Vllaznia nuk merr asnjë pikë.

Përgatiti: JORGIS MEMO


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama