1973 Tirana ne kameren e fshehte te Anagnostit

1973, Tirana ne kameren e fshehte te Anagnostit
"Motive nga dita e djelë", dokumentari i shfaqur premierë pas 37 vjetësh, është një bukuri e ashpër. Imazhe pa propagandë të Tiranës që nuk dolën kurrë nga Kinostudio.

"Motive nga dita e djelë" dokumentar, 1973, 20', skenari: Dhimitër Anagnosti, Kujtim Gjonaj, regjia: Dhimitër Anagnosti, operator: Beqir Vaqarri. Në skedën e Arkivit Shtetëror të filmit shkruhet: Film dokumentar për jetën në Tiranë gjatë një dite të diel.

Filmi trajtohet në formën e një poeme poetike ku emocion të ngjall edhe e përditshmja, gjallëria e zhurmat, njerëzit dhe peisazhet në rrethinat dhe në qendër të Tiranës. Filmi u shfaq por më vonë u ndalua për shkak të frymës disi të veçantë që sillte për kohën.

Këtë përshkrim që përpiqet të jetë i paanshëm, mund t'ia veshësh çdo dokumentari që është bërë mbi Tiranën e atyre kohëve. Përshkrimi nuk përputhet me realitetin që pamë dje në ekranin e madh.

Dokumentari i panjohur që nuk e kapërceu Kinostudion, i regjisorit të "Lulëkuqe mbi mure", në aspektin vizual, e trajton realitetin në mënyrë jo tipike, jo të partishme, jo përgjithësuese.

Mëngjesin e së dielës Tirana i ngjan një qyteti që po del nga coprifuoco-ja. Planet afër të kamerës së fshehtë rrëshqasin mbi flokë të lëpira, të krehura njëlloj, rregull që prishet nga ndonjë zonjë grua me shall në kokë dhe syze të errëta që shfaqet si një trëndafil dimri në qarkullimin urban ku një fizarmonikë kalon si bretk i rënë nga telat e rrobave që nderin gratë tona në ballkonet e vegjël kuti kartoni ku përkulet ndonjë trup me rrobat e lodhura të gjumit.

E diela ditë pazari: trastat dhe rrjetat si të përbrendshme të thara kafshësh, spinaq, qepë, ndonjë qafë rose e lumtur për ç'e pret, që shfaqet nëpër këmbët me pantallona terital;
E diela e fëmijëve: të kapur prej dore në drejtim të ndonjë lodre me tendë si streha e kapelës së shtrigës në përralla, nën të cilën një kalë plastik me turi të pikturuar kot, vërtitet bosh.

E diela e xhirove: pallto me supe të rëna, shpatulla të dorëzuara njerëzish në lëvizje tutje-tëhu në një park të ngrirë nacional pa turistë;

E diela e qerasjeve: pastiçeria e Pallatit të Kulturës si një dhomë ku shkohet për vuajtur; me birraritë ku burrat mbahen me bërryla në tavolinat e larta si mbi paterica.
E diela e dashurisë: një dorë vajze ngacmon lart-poshtë me një çelës gjoksin me kapotë të ngrirë të një ushtari.

E diela e futbollit: mijëra sy ndjekin gjymtyrët e tharë muskulozë që përleshen në baltë, në shi për një top. Këtu Anagnosti vepron: me një tingull gjuajtje të fortë e shqelmon topin imagjinar dhe godet një herë, dy herë, tri herë, dhjetë herë pas kokave të turmës në shkallët e stadiumit.

"Motive nga dita e djelë" është ëndërr makthi ku njerëzit hapin gojën dhe nuk flasin, qeshin dhe nuk iu del e qeshura, vetëm zëri i spikerit është një ton i vdekur që ka ikur një vrap nga ajo turmë deri te studioja e regjistrimit të zërit.

Për paradoks, teksti, aq pak sa është, nuk ka asgjë të përbashkët me imazhin. Teksti thotë "Rini-rini, sykaltra, shtathedhura", flet për rini të përjetshme, se pas mjegullës do të vijë pranvera etj..

Formulimi muzikor i Donika Muçit, është po aq patetik sa fjalët. Muzikë danci për mbrëmje vallëzimi, dhe dikur, kur dora e asaj vajzës që do të shkrijë kapotën e ushtarit, fillon tema orkestrale: "Where Do I Begin? Love Story".

"Motive nga dita e djelë", një cirk dimëror, një arenë ku nuk të ngroh as frika për akrobatin në teh të telit. Është pamja e një trupi që i kanë penalizuar shpirtin, mendimin, vullnetin. Tirana pa spektakël propagande, Tirana e katandisur në pikën për t'ia marrë të qarës, ku parakalon zymtia që i priu mjerimit total ekonomik vitet 1980.

Duke parë këtë dokumentar të Anagnostit bën pyetjen: a kishte vallë njeri që mendonte për lirinë në këtë skenë teatri pa aksion, ku dhuna nuk duket, por ndjehet se vetëm ajo mund të shpjerë në këtë gjendje kalbësie?

Këtë film e ka bërë një frymë dashurie, vetëm ajo mund t'ia pohojë një trupi deri ku i hyrë kalbësia.

Nga biseda me regjisorin Dhimitër Anagnosti: Një vepër arti ishte ideologji

Pas dokumentarit u shfaq filmi "Plagë të vjetra", 1969, 90', skenari dhe regjia: Dhimitër Anagnosti, operator: Faruk Basha, piktor: Namik Prizreni, montazhi: Xhanfise Keko, op/zëri: Koço Tollko, një ekip i shkolluar në Evropën Lindore.

Në role: Roza Anagnosti, Rikard Ljarja, Ndrek Luca, Naim Frasheri, Violeta Manushi, Sander Prosi, Tonin Ujka, Agim Shuke, Ndreke Shkjezi, Reshat Arbana, etj.
Gjini, një plak malësor shtrohet në spitalin e Tiranës për të hequr nga shpatulla një plumb që i ka mbetur kujtim nga një gjakmarrje e vjetër.

Por kur mëson se operacionin do ta kryejë doktoreshë Vera (Roza Anagnosti), ai heziton nga mungesa e besimit në aftësitë e grave. Vera, në këtë kohë, po përjeton një dramë familjare për shkak të vendimit që mori i shoqi, Naimi, për të punuar në minierën e Kurbneshit.

Pak të rinj nga shkolla e filmit, pak autorë ishin dje gjatë projeksionit. Pasi e panë filmin e parë të Anagnostit autor, skenarist dhe regjisor, pati gjykime të ndryshme.

E komentuan në ndonjë rast si "film dokumentar i bërë në një kohë të caktuar", pra ëpr në muzeun e kinemasë, në një rast tjetër si një pasuri "për marrëdhëniet e besueshme njerëzore"; "si një film as i asaj dhe as i kësaj kohe, është thjeshtë një film".

Anagnosti: Ju falënderoj që keni ardhur, falënderoj institucionin për organizimin që ka bërë...Vepra krijuese në atë kohë kishte një producent dhe ky producent ishte shteti, i cili thoshte se artin e filmit nuk e kemi mall, biznes, e kemi ideologji.

Për këtë punë kishte një sistem të tërin të kontrollit, të skenarit, të shikimit të materialit të filmit, të shikimit të montimit të parë. Në distancë kohe edhe unë kam vërejtjet e mia në lidhje me veprën time filmike që sapo pamë, diku me zgjatjet, me strukturën.

Por ajo reflekton kohën e vet, nivelin dhe profesionalizmin e asaj kohe. Unë e ndjej veten mirë tani që e ripashë "Plagë të vjetra", qoftë edhe me ndonjë naivitet, qoftë edhe me anët e politizuara.

Dhe kur një numër aktorësh nuk janë më, është ky një moment emocional. Është një lloj kujtese e njerëzve tepër të talentuar e tepër të devotshëm. Historia e të bërit film është dhe historia e raporteve tona me aktorët. Shoh edhe defektet teknike që ka pasur sistemi teknik atë kohë.

Do doja të dija si e përjeton brezi i ri këtë realitet.
(Asnjë ndërhyrje nga studentët në sallë)

Si është historia me dokumentarin "Motive nga dita e djelë"?

E kisha humbur këtë dokumentar. Kujtoja se ishte gjë e shkurtër paska qenë i gjatë, kujtoja se ishte pa tekst paskësh qenë dhe me tekst, sepse nuk u shfaq kurrë, është hera e parë që e shoh të plotë, sikundër dhe dokumentarin "Përjetësi" që shfaqet javën e ardhshme.

Keni përdorur kamerën e fshehtë...

Kemi xhiruar shumë me kamerë të fshehtë, zaten i gjithi është bërë në befasi, pastaj është ndërtuar në montazh. U pa, nuk e di pse nuk u lejua.

"Të djelat..." vjedh pamjet, realitetin e qytetit, ndoshta ngaqë ishte kamera e fshehur. U fol edhe mbi këtë, pse duhet përdorur kamerë e fshehur, realiteti jonë është i dukshëm, që duhet të shihet, pse duhet të vidhet. Gjithë ky film kishte të bënte me spontanitetin. Do doja të dija, brezi i ri që nuk e ka përjetuar atë kohë si e percepton, qoftë filmin artistik, qoftë dokumentar.

(Asnjë ndërhyrje nga studentët në sallë)
Por mund të them edhe këtë që kur ndalohej filmi, mund të kishte persekucione. Nuk ndodhi kjo gjë me mua, pati kritika, por nuk u penalizova siç ndodhte shpesh.

Kurse "Përjetësi" ishte 7 minuta film dhe u mendua me shumë entusiazëm t'ia çojnë për ditëlindje shokut Enver. Papritur pa kujtuar, u mbyll kjo historia e dhuratës. Filmi nuk u shfaq asnjëherë. E kisha harruar dhe ndërtimin e tij.

"Të djelat" u realizua më 1973, ka qenë një vit kyç që i parapriu goditjeve të Plenumit IV në Art dhe Kulturë.

Unë e bëra atë film nga kënaqësia për të kapur në befasi realitetin. Sigurisht që ti nuk do komentoje realitetin në sensin e kritikës por një realitet jo i luajtur para kamerës por i jetuar.

Edhe tekstin ju e keni shkruar?

Unë e kisha fshirë nga mendja këtë dokumentar. Filmi nuk u shfaq në ekranin e madh, nuk ka dalë nga Kinostudio.

Pse i quani poema filmike dokumentarët?

I quaj poema sepse kanë më shumë poezi se sa prozë, në sensin e gjinisë. I quaj poema përderisa nuk kanë asnjë fjalë. Filmat në përgjithësi duhet të kenë poezi. Krijimtaria është një çështje personale.

Çdo krijues e ndërton veprën e vet në varësi dhe përputhje të asaj çka ai dëshiron të thotë, pse e thotë në një mënyrë dhe jo ndryshe, shpeshherë pa dhënë një shpjegim pse, si një ndjesi që buron së brendshmi.

Skenari i "Plagë të vjetra" është tekst origjinal juaji apo jeni bazuar gjëkundi?

Është një skenar i mirëfilltë. Kam pasur kontakt me Malësinë. Në fëmijërinë time, mbaj mend që vinin në fshatin tonë ushtarë nga Mirëdita, në anë të detit, tregonin këto histori. Më bënin përshtypje edhe këngët e tyre.

Pastaj dalëngadalë edhe me atë të veçantën që kishte kjo krahine, me kodin e saj të nderit, kanunit etj.. Nuk mund të them se ka një arsye konkrete për të marrë dhe për të bërë një skenar. Përgjithësisht skenarët e mi janë krijime të miat. E kam konsideruar veten një autor, edhe pse unë nuk kam studiuar as për skenar, as për regji, po për operator.

Kineastët ishin të paktë në atë kohë, propaganda përmes kinemasë ishte tepër e kërkuar nga regjimi. Në mënyrë fare të qetë nga kinooperator, disa nga ne, kaluam u bëmë skenaristë, regjisorë.

Gjini do të kthehet i shëruar në katund, por para se të shkojë blen një bust të vogël të Enver Hoxhës, dhuratë për familjen.

Kjo finale erdhi natyrshëm, apo është element i repertorit të propagandës?

Jua shpjegoj. Është një realitet. Kam biseduar shumë me aktorët e mi. Kjo ka qenë një gjë e veçantë e punës që kam bërë unë, jo vetëm puna me tekstin por edhe me aktorët. Për atë finale i kam kërkuar Ndrekës (Luca) një sugjerim, se çfarë duhet të çojë dhuratë në shtëpi personazhi i tij që kthehet nga qyteti. Pas disa ditësh Ndreka vjen dhe thotë: një bust të shokut Enver. Kish perëndi që t'i thoshte jo më atij? S'është shpikja ime, është e Ndrekës.

Të bën përshtypje karakteri i Verës që keni krijuar. Ajo ka një individualitet, nuk ka humanizmin që propagandohej, ka idetë e veta, pastaj ju e bëni një njeri uniformë, ashtu siç kërkohej.

Vera shkon atje ku shkon dhe i shoqi, në Kurbnesh, ku e kërkon atdheu. Nga këndvështrimi i sotëm, është e vështirë që t'i futesh me logjikën e ditëve tona asaj kohe. Tek ne një vepër arti ishte ideologji.

Shteti jepte para, ne nuk dinim gjë sa kushtonte kjo vepër, ne firmosnim njëherë në muaj, merrnim rrogën. Producenti ishte ai që kërkonte realitetin e kohës, në rrugën e partisë. Qëllimi? Filmi të ishte propagandë. Për këtë arsye unë temën e ditës e kam trajtuar shumë pak.

Koncesione, lëshime që bëheshin për ideologjinë, për propagandën, brenda kësaj ne bëmë krijimtarinë, si mundëm. Unë jam munduar të trajtoj idetë e mia. Krijimtaria ime buron nga letërsia ime. Ato që s'u bënë filma do t'i botoj së afërmi: një sërë romanesh, novelash, që ishin të asaj kohe. Vokacioni im i parë ishte letërsia.

Ju erdhët si operator tek filmi...

"Plagë të vjetra" është filmi im i parë si skenarist dhe regjisor. Filmi ka naivitete, është krijuar me sinqeritet. Nëse kthehem mbrapsht, nuk kam ndonjë qortim të madh, si kinematografi. Kurse problemi i dramaturgjisë, i çështjes politike-ideore që ka filmi, i përket producentit, dhe producenti ishte shteti.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama