“Përrallë nga e kaluara” (1987) me regji të Dhimitër Anagnostit është padyshim një nga filmat ikonë të kinematografisë shqiptare, si dhe një paraqitje, jo vetëm e artit kinematografik shqiptar, por edhe e traditës, letërsisë, zakoneve, kostumografisë dhe muzikologjisë shqiptare. Ndërsa filmi tjetër i Anagnostit, “Përjetësi” (1974) është një trajtim poetik dhe emocional i temës së të rënëve të Luftës Antifashiste dhe do të promovohet me rastin e 71-Vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Për të dy këta filma ka nisur realizimi i projektit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit për restaurim digjital. “Përrallë nga e kaluara” dhe “Përjetësi” janë pjesë e fondit filmik të AQSHF-së.
Pse u zgjodhën këta filma?
Të gjitha fazat e prodhimit të filmave “Përrallë nga e kaluara” dhe “Përjetësi”; xhirimi, proceset laboratorike, montimi, stampimi, janë bërë në laboratorin e ish-Kinostudios, i cili në ato vite, sidomos në vitin 1987, ishte tashmë i vjetruar, si nga aparaturat dhe nga teknologjia e përdorur, ashtu edhe nga materiali filmik i përdorur për stampimin e filmave. Për këtë arsye, këta filma, nuk u prodhuan në standardet e duhura teknike. Filmi “Përrallë nga e kaluara” ka marrë dhjetëra çmime ndërkombëtare gjatë shfaqjeve në kohën e tij, por nuk ka mundur asnjëherë të hyjë në festivale të rëndësishme, pikërisht sepse ka qenë prodhuar jashtë kushteve teknike. Për më tepër, filmi “Përrallë nga e kaluara” ka vetëm 3 elementet bazë në 35 mm; 1 negativ, 1 fonogramë (negativi i zërit) dhe 1 pozitiv. Nuk është prodhuar asnjëherë elementi dubël-negativ, që është element i ruajtjes arkivale, nga i cili prodhohen kopje të tjera në rast se negativit i ndodhin dëmtime të parikuperueshme. Ndërsa dokumentari “Përjetësi” ka dekolorim ngjyrash, mbizotëron në imazh vetëm ngjyra blu dhe rrezikohet dekompozimi total i ngjyrave, nëse nuk i bëhet kopje e restauruar.
“Ballë për Ballë”, rrezikon dekolorimin total të ngjyrave
Në të vërtetë, në fondin e AQSHF-së, ka tituj të tjerë më problematikë, përsa i përket kushteve në të cilat ndodhen, por restaurimi i tyre kërkon një projekt me buxhet më të madh në dispozicion. Gjithashtu po bëhen bisedime me bashkëpunëtorë të mundshëm për t’u bërë pjesë e projektit të radhës për restaurimin e filmit “Ballë për Ballë”, një nga filmat e fondit tonë, i cili rrezikon dekolorimin total të ngjyrave.
Procesi i restaurimit
Skanimi në rezolucionin 2K, restaurimi, korrektimi i ngjyrave, pastrimi i zërit dhe përgatitja e fileve profesionale digjitale kërkon laborator dhe specialistë të specializuar. Këto shërbime nuk ofrohen në vend. Nga kërkimet tona në rajon, kemi kontakt me Hungarian FilmLab, Budapest, të cilët na kanë ofruar shërbimin e tyre të specializuar. Koordinatorja e Projektit, Eriona Vyshka, ka qenë në datat 13-14 nëntor 2014, në studiot e Humgarian FilmLab për vizitë dhe është takuar me drejtuesit dhe specialistët e restaurimit. Zonja Vyshka ka konfirmuar shërbimet e specializuara që kryhen atje, sidomos për filmat arkivalë, të cilët kërkojnë një kujdes dhe teknologji të veçantë për vetë specifikat që ka materiali i vjetër filmik. Është një nevojë e padiskutueshme që “Përrallë nga e kaluara” dhe “Përjetësi” të restaurohen respektivisht, pas 27 dhe 40 vjetësh nga krijimi i tyre dhe kështu të nisë një jetë e re për këta filma, që rrezikohen të zhduken, nëse nuk kujdesemi për ta. Versionet digjitale që do të prodhohen janë të transferueshme në film 35 mm, gjë që mund të bëhet në një fazë të dytë për arsye të kostove më të larta, por nga ana tjetër do t’u siguronte filmave një jetëgjatësi akoma më të sigurt. Është nënshkruar kontrata nga drejtoresha e AQSHF-së, Elvira Diamanti dhe drejtoresha Ekzekutive e Hungarian FilmLab, Csepaine Havas Agnes. Elementet origjinalë të filmave janë dërguar në laboratorin Hungarian FilmLab në Budapest dhe aktualisht kemi disa minuta video-test, si dhe foto nga procesi i restaurimit dërguar nga specialistët: Robert Nagy, Gabor Petho dhe Gabor Pinter. Në fund të nëntorit 2014, Ministria e Kulturës miratoi projektin e paraqitur nga AQSHF për dy filmat, projekt u mbështet pjesërisht edhe nga Hungarian FilmLab, Budapest dhe pritet të përfundojë në pranverë të këtij viti.